Thaçi: Marrëveshja Kosovë-Serbi do të nënshkruhet në praninë e Presidentit Trump

0
328

Ditën kur ekipi negociator i Kosovës të jetë në Bruksel për t’u takuar me përfaqësues të BE-së, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi do të jetë për skijim në Brezovicë. Këtë e konfirmoi vetë ai në një takim me gazetarë, ku përsëriti se mbështet ekipin e zgjedhur dhe pret arritjen e një “marrëveshje të balancuar” me Serbinë.

Zyrtarisht është thënë se ekipi për bisedime me Serbinë, më 8 janar do të udhëtojë në Bruksel për t’u takuar me përfaqësues të Bashkimit Evropian, ku edhe pritet të prezantohen temat që ka paraparë Kosova, për dialog me Serbinë.

Por, Hashim Thaçi, i cili aktualisht është personi që përfaqëson Republikën e Kosovës në dialogun me Serbinë, nuk do të jetë aty. Ai tregoi se atë ditë do të jetë në pushim.

Thaçi: Më 8 janar do të jem në Brezovicë, ekipi negociator shkon në Bruksel

 

“Ekipi negociator është pajtuar me propozimin tim që me 8 janar ata të jenë në Bruksel, e unë në Brezovicë në skijim”, tha ai.

Para gazetarëve, kreu i shtetit tonë tha se do të punojnë seriozisht që në muajt në vazhdim të ndodhë dialogu që rezulton me marrëveshje gjithëpërfshirëse.

“Ne do të punojmë shumë seriozisht si Kosovë, duke iu përgjigjur edhe nevojave të vendit, qytetarëve të shtetit tonë, për fqinjësi të mirë, që në muajt në vijim të ndodh dialogu dhe negociatat Kosovë-Serbi, si dy shtete sovrane dhe të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese që Kosova të fitojë njohjen nga Serbia, një marrëveshje e balancuar dhe që i krijon mundësi Kosovës për ndryshimin e Rezolutës 1244 dhe anëtarësimin në OKB. Pra, të bëhet një marrëveshje e balancuar, me interes paqeje, stabiliteti, në Kosovë, Serbi dhe tërë Ballkanin Perëndimor”, tha ai.

I pyetur për Gjykatën Speciale, ish-udhëheqësi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot president i vendit, Hashim Thaçi tha se Kosova nuk ka çfarë të fshehë. Andaj, sipas tij, të gjithë duhet t’i përgjigjen pozitivisht ftesave që mund të vijnë nga Specialja.