Thaçi hesht për taksën, Haradinaj thotë se nuk e pyeti

0
163

Kryeministri Haradinaj thotë se nuk ka folur me presidentin Thaçi për bllokadën që sot Qeveria ia ka vënë produkteve serbe. Pas vënies së taksës prej 100 për qind kanë reaguar e e kanë komentuar të gjithë në Kosovë e Serbi, vetëm presidenti Thaçi ka qëndruar në heshtje të plotë. Njëjtë kishte vepruar edhe më herët kur bëhej fjalë për sanksionimin ekonomik të Serbisë.

Në emisionin Frontal të Televizionit 7, kryeministri Ramush Haradinaj ka folur menjëherë pas vendimit që mori qeveria e tij për ta rritur taksën ndaj produkteve serbe deri në 100 për qind.

Haradinaj thotë se nuk e ka pyetur presidentin Hashim  Thaci nëse duhet të sanksionohet Serbia.

Tutje, kryeministri thotë se vendimin e ka marrë në dakordim të plotë me partnerët qeveritarë.

“Nuk e kam pyetur presidentin. Kam biseduar me kryetarin Veseli, me kryetarin Limaj”, ka thënë Haradinaj në Frontal, transmeton Gazeta Express.

Shefi i Qeverisë, i pyetur pse nuk bisedoi me Thaçin për një vendim të tillë, tha se i mjaftoi të pajtohet me Veselin.

“Kur e kam pëlqimin e Veselin, mendoj se e kam edhe të presidentin Thaçi”, ka thënë Haradinaj, duke përmendur se presidenti Thaçi vjen nga Partia Demokratike, dhe sipas tij, do të ketë qëndrim të njëjtë si kryetari i PDK’së.

Ndërsa në shumë reagime që janë bërë sot pas vendimit të qeverisë, madje edhe nga opozita, mungon një i presidentit Hashim Thaçi.

Presidenti Thaçi, i cili kishte refuzuar ta komentojë vendimin e mëhershëm të Qeverisë për vënien e taksës prej 10 për qind ndaj produkteve serbe, deri më tani, nuk ka dalë me ndonjë qëndrim ndaj vendimit të Qeverisë.

Haradinaj ka thënë se as ai nuk është i kënaqur pse ka marrë vendim për sanksionimin e mallrave serbe, por thotë se Serbia duhet të ndalët me fushatën e egër ndaj Kosovës.

“Nëse Serbia vazhdon me këtë agresivitet, ne duhet ta respektojmë vetën”, ka thënë Haradinaj.

Pas vendimit të Qeverisë kanë reaguar Qeveria serbe e presidenti i Serbisë, Aleksander Vuciq. Ky i fundit ka mbledhur Këshillin e Sigurimit dhe të gjithë ambasadorët e shteteve më të fuqishme. /Express/