Sot Kosova voton

0
289

Në Kosovë sot po mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarët e komunave. Nga 38 komunat e Kosovës, gara zhvillohet në 19 prej tyre, në të cilat kryetari nuk u zgjodh në rrethin e parë, më 22 tetor. Ndërkaq, në komunën e Parteshit do të ketë rivotim për kryetarin e ri.

Të drejtë vote, përfshirë të gjitha komunat në balotazh, kanë 1 milion e 353 mijë e 613 votues.

Komisioni Qendror i Zgjedhje ka konfirmuar hapjen e 614 qendrave të votimit, me gjithsej 1,777 vendvotime.

Numri i përgjithshëm i vëzhguesve që do të monitorojnë raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar komune, është më shumë se 12 mijë.

Monitoruesit janë përfaqësues nga subjektet politike, ambasadat e akredituara në Kosovë, organizata joqeveritare, si dhe monitorues nga Bashkimi Evropian.

Në rrethin e dytë të zgjedhjeve, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), garon në 12 komuna, Partia Demokratike e Kosovës(PDK) në 9, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) në 6 komuna, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në 5 komuna, kurse Aleanca Kosova e Re (AKR), Nisma për Kosovën dhe Alternativa nga një komunë./REL