SHTETI QË KUNDËRSHTON VENDIMIN E TRUMP: AMBASADA JONË NUK LËVIZË NGA TEL AVIVI

0
251

Kryeministri kanadez Justin Trudeau e bëri të qartë të enjtes se ambasada e Kanadasë në Izrael do të qëndrojë në Tel Aviv, duke vendosur kështu kundër fqinjit dhe aleatit të vet, Shtetet e Bashkuara. “Nuk do të lëvizim ambasadën e Kanadasë nga Tel Avivi”, tha Trudeau gjatë një vizite në Guangzhou, Kinë.

Reagimi i tij erdhi pasi presidentin amerikan Donald Trump vendosi që ambasada amerikane në Izrael të vendoset në Jerusalem, duke e njohur kështu si kryeqytet të shtetit hebre.

Të mërkurën, ministri i punëve të jashtme Chrystia Freeland ripohoi qëndrimin e Kanadasë që “statusi i Jerusalemit mund të zgjidhet vetëm si pjesë e zgjidhjes së mosmarrëveshjes midis palestinezëve dhe izraelitëve”.

“Ne jemi të vendosur për qëllimin e një paqeje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, duke përfshirë krijimin e një shteti palestinez që jeton krah për krah në paqe dhe siguri me Izraelin”, tha ajo

Vendimi i Trump, i përshëndetur nga Izraeli, është dënuar nga udhëheqësit dhe ministrat e jashtëm anembanë botës, të cilët kanë thënë se statusi i qytetit duhet të përcaktohet nëpërmjet bisedimeve midis Izraelit dhe palestinezëve. Një numër udhëheqësish myslimanë kanë paralajmëruar se masa mund të çojë në dhunë.