Shqiptari kërkon falje për aksidentin, por nuk pranon ta fyejnë

0
343

Pasditen e së dielës, në Konstanz, Gjermani, Nderim K. nga Kreuzlingeni i Zvicrës ka humbur kontrollin mbi makinën e tij sportive dhe kështu ka dalë nga rruga në trotuar, duke u përplasur në vitrinën e një dyqani.

Ai kishte ndaluar para semaforit, në të kuqen, ndërsa sapo iu ndez e gjelbra, i dha me sa fuqi pati gaz, makinës së tij BMW M4, shkruan blick.ch. Shtypja e fortë e pedales së gazit të makinës së tij me 400 kuaj/fuqi mbi asfaltin e lagur bëri që ta humbasë kontrollin mbi të. Makina rrëshqiti nga ana e djathtë, mbi trotuar dhe kërceu mbi vitrinën afër, duke shkaktuar një dëm prej 70 mijë frangash, transmeton albinfo.ch. Dy këmbësorë arritën të shmangen në sekondën e fundit dhe kështu, për fat shpëtuan me lëndime të lehta.

«E kam vlerësuar fuqinë e makinës sime, aq sa edhe vetë jam tmerruar“, tha ai, duke bërë autokritik, për gazetën. Por ai nuk pranoi që ta etiketonin si «raser“.

«Unë, thjesht, vetëm sa e kam shtypur së tepërmi pedalen e gazit duke nisur makinën dhe kjo diti «të hakmerret», kur ke makinë që tërheq edhe me të pasmet. Por, unë nuk është se i kam dhënë me shpejtësi të çmendur“, tha Nderimi.

Ndërkaq atë e zemëron jashtë mase pohimi se ai ka qenë duke i shtypur dy kalimtarë. «Unë nuk e kam shkelur askënd në këtë aksident,» përcjell albinfo.ch. «Ata dy persona që janë lënduar, kanë qenë dy shokët e mi që kanë qenë në makinën time dhe pastaj janë hedhur prej saj“, tha ai.

Por Nderimi megjithatë dëshiron t`u kërkojë falje dy personave, mirëpo ata ende nuk e kanë takuar. «Unë e di se kam bërë gabim. Jam po ashtu i vetëdishëm se sa fat kam pasur që askush nuk pësoi lëndime serioze.»