Sherr në parlamentin shqiptar: Berisha përleshet me gardistët, ndërpritet seanca

0
417

(E plotësuar) – Një përplasje e dytë ka ndodhur në foltoren e Kuvendit dhe kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka urdhëruar ndërprerjen e seancës.

Kryemadhi thirrje Ramës: Ik që të shpëtojë edhe familja jote prej teje

Me tone të larta ka nisur seanca e ditës së sotme, ku pritet të votohet kryeprokurori i ri i Përkohshëm.

Duke folur nga foltorja e Parlamentit, Kryemadhi bëri thirrje që të hiqet nga rendi i ditës zgjedhja e kryeprokurorit, ndryshe ky veprim do të ketë pasoja.

“Ndërprit seancën për rendin e ditës. Hilacakët më të mëdhenj jeni ju, por kjo punë ka marrë fund, nuk ka për të vazhduar kjo histori, nëse doni një prokuror të mbulojë zullumet tuaja, pisllëqet që keni bërë kjo gjë ka marrë fund, nuk ka as prokuror të përkohshëm, as të përgjithshëm, as shqiptar e as ndërkombëtar të mbulojë pastrimin e parave të drogës që po helmojnë shqiptarët.

Edhe këtij i duket normale përdorimi i kokainës, ik dhe mos u kthe të shpëtojnë shqiptarët, por të shpëtojë edhe familja jote prej teje”- tha Kryemadhi.

Rama i përgjigjet Bashës: Ti je luledielli!

Ndërkohë që opozita ka mbledhur mijëra njerëz në shesh për të protestuar ndaj qeverisë Rama dhe vendimit të saj për kryeprokuririn e ri, maxhoranca ka zgjedhur t’i përgjigjet ndryshe.

Në Kuvend në çdo karrige ishte vendosur nga një bluzë më luledielli.

Bluzat janë të shoqatës “Ti je një lule dielli”, që drejtohet nga moderatorja Albana Osmani, e cila u vjen në ndihmë fëmijëve të sëmurë.

Jashtë Kuvendit opozita ka nisur protestat ku mijëra protestuest janë mbledhur nga rrethet për të protestuar kundër vendimit të maxhorancës për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri.

Pozita e vendosur, nuk e heq kryeprokurorin nga rendi i ditës së Kuvendit

Mazhoranca nën drejtimin e Edi Ramës duket se është e vendosur që të mos tërhiqet nga zgjedhja e një kryeprokurori politik, vetëm me votat e saj.

Edhe pse opozita kërkoi heqjen e zgjedhjes së kryeprokurorit nga rendi i ditës, por me votat e shumicës se mazhorancës është vendosur që zgjedhja e kryeprokurorit të përkohshëm të vazhdojë.

Tension në Kuvend, Berisha: Kryehorri kërkon të na shpallë luftë

Ish-kryeministri Sali Berisha ka folur menjëherë pas incidentit të ndodhur në sallën e Kuvendit, ku Garda nuk e ka lejuar të marrë fjalën duke shkaktuar një incident të paprecedent në histori.

Berisha: Ka ndodhur ajo që s’ka ndodhur kurrë në historinë e këtij parlamenti, kur një horri, një pispisi më mohon të drejtën e fjalës që e mora me të drejtën e procedurës. Me këtë akt ky horr shpall luftë në parlament dhe do t’i shpallim luftë

Ruçi: Fillojmë fjalën me rendin e ditës për projektligjin për turizmin. Këta janë deputetët që janë regjistruar.

Urdhëro z.Spaho! z. Basha, përse? Vetëm një herë keni të drejtë.

Plas sherri në Parlament, Berisha ‹përleshet› me gardistët

Pas fjalës së kreut të grupit parlamentar të PS, fjalën ka tentuar ta marrë Sali Berisha.

Berisha në fakt nuk ka kërkuar lejen për të marrë të drejtën e fjalës, ndërsa ka shtyrë punonjësit e gardës në foltoren e parlamentit.

Kjo situatë ka çuar kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi për të shtyrë seancën. Pas kësaj në foltore kanë mbërritur deputetët e opozitës duke mos munguar edhe përplasja fizike mes deputeti Flamur Noka dhe punonjësve të gardës.Basha kërcënon në sallën e Kuvendit: Tërhiquni, sot është dita e fundit

Kreu i PD-së Lulzim Basha i ka bërë thirrje mazhorancës që të tërhiqet nga zgjedhja e kryeprokurorit të ri të përkohshëm prej mazhorancës së drejtuar nga Edi Rama.

Gjatë fjalës së tij, Basha u shpreh se kjo është dita, momenti i fundit që mazhoranca të tërhiqet nga votimi antikushtetues dhe ti bindet popullit.

Fjala e Lulzim Bashës:

Sot është një ndër ditët më dramatike për këtë parlament, më të rënda për demokracinë 27 vjeçare, më të vështira për shqiptarët. Sot në dhunim flagrant të kushtetutës shumica parlamentare po kërkon të marrë një pushtet që nuk i takon, por edhe më keq, që e ka të ndaluar ta prekë, afrohet.

Kjo është një seancë antikushtetuese. Sot në mënyrë tinëzare, po bëheni gati për një grusht shtetit. Prej shekujsh, Europa, SHBA e kanë të sanksionuar qartë, ndarjen e pushteteve si themel i demokracisë.

Kjo është arsyeja se Kushtetuta e Shqipërisë dhe Reforma në Drejtësi, ja ndalojnë shprehimisht një force të vetme politike emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm. Nenet janë të qarta, e ju jeni paralajmëruar këto javë.

Mos bllokoni, pengimin e hetimit të Saimir Tahirit, Vangjush Dakos, Qazim Sejdinit dhe dosjet e korrupsionit për ministrat e tjerë. Por ju jeni të vendosur për të mbrojtur korrupsionin tuaj.

Ky është momenti i fundit, tërhiquni. Binduni popullit ose do të përballeni me pasoja.

Nis Kuvendi, Ruçi njofton zgjedhjen e kryeprokurorit në rendin e ditës, Basha kërkon fjalën

Ka filluar në orën 10:00 seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë, e drejtuar nga kryetari Gramoz Ruçi.

Në rendin e ditës është futur edhe projektvendimi për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm, pika 5.

Ruçi njoftoi se ka marrë letra nga kryetarët e tri grupeve parlamentare të opozitës ku ngrihet shqetësimi për zgjedhjen e njëanshme të kryeprokurorit.

Basha kërkon fjalën…