Sessions: Kompanitë teknologjike po pengojnë punën tonë

0
247

Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës akuzoi kompanitë e teknologjisë se nuk kanë ndihmuar hetuesit federalë, që të kenë qasje në komunikimet e koduara të pajisjeve dhe platformave të tyre.

Sipas Jeff Sessions, vetëm FBI-ja vitin e kaluar nuk mundi të hapë thuajse 7.500 telefona celularë. Sessions kritikoi sektorin e teknologjisë nga Nju Jorku, dy ditë pas një sulmi terrorist në këtë qytet.

“Dështimi në marrjen dhe shqyrtimin e informacioneve të koduara në kohën e duhur bën që agjencitë ligjzbatuese të humbasin edhe më shumë kohë të çmuar dhe burime. Kjo mund të ketë pasoja vdekjeprurëse”, tha Jeff Sesions, kryeprokuror i Amerikës.

Kryeprokurori i Shteteve të Bashkuara shtoi se administrata aktuale do të përdorë të gjitha mjetet ligjore në luftën kundër terrorit.

“Nëse dikush ka dyshime për vendosmërinë tonë, – vijoi Sessions, – le të pyesë më shumë se 500 terroristët që janë dënuar prej 11 Shtatorit dhe dhjetëra luftëtarët armiq që gjenden në Guantanamo”.