Selmanaj e godet rëndë Krasniqin: Politika nuk bëhet me vargjet e “Ritmit të Rrugës”

0
170

Partia Demokratike e Kosovës, vazhdon të jetë në një linjë duke e mbrojtur kështu qëndrimin e saj se është kundër zgjedhjeve të parakohshme. Në të njëjtën kohë ky subjekt po vazhdon të mos i marrë seriozisht përpjekjet e krahut tjetër për ta quar deri në fund nismën për ta rrëzuar Qeverinë Haradinaj.

Është deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ai i cili ka deklaruar se LDK e Isa Mustafës ka probleme të brendshme, prandaj, sipas tij kjo e fundit edhe i frikësohet zgjedhjeve në këtë kohë.

Mirëpo, partia më e madhe opozitare, LDK, konsideron se partia e tyre tashmë e ka bërë të qartë se janë të gatshëm dhe nuk frikësohen nga asgjë për ta rrëzuar qeverinë aktuale.

Derisa analistët politikë janë të mendimit se është vet PDK ajo që po frikësohet nga zgjedhjet e parakohshme, pasi sipas tyre, kjo parti është në dijeni se e ka katandisur vendin me keqqeverisje.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se partia e tij është shumë e qartë, se sa më shumë të vazhdojë të qeverisë me vendin kjo qeveri, pasojat do jenë më të mëdha.