RTK do të ndajë një çmim në emër të artistit Blerim Peci

0
361

Me rastin e njëvjetorit të ndarjes nga jeta të artistit Blerim Peci, në nderim të tij u mbajt një akademi përkujtimore në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Hapjen e kësaj akademie e bëri ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, i cili paraprakisht la një mesazh në libër kujtimin për aktorin Blerim Peci.

Gashi tha se publikut shqiptar do t’i mungojë një figurë e tillë, e njëherësh çmoi kontributin e aktorit të njohur.

Gashi: Publikut do t’i mungojë një aktor i nivelit të Blerim Pecit

«Përveç rrugës së aktrimit, ai intervistoi në programin «Udhëtimi në kohë» disa kryetarë komunash, deputetë, figura publike, në të cilat bisedat kishin qasje tjetër nga ajo e gazetarisë së rëndomtë. Aktivitetet e Blerim Pecit do të mbeten përjetësisht në kujtesën tonë dhe do të jenë inspirim për aktorët dhe aktruesit e rinj. Data 9 dhjetor 2017 do të jetë data e humbjes së një mikut tonë, por edhe publikut do t’i mungojë një aktor i nivelit të tillë çfarë ishte miku ynë Beli. Kujtimet për Blerimin qofshin gjithmonë të paharruara», ka thënë Gashi.

Ndërsa, drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Mentor Shala, njëherësh bashkëpunëtor i të ndjerit Peci, tha se mungesa e tij vërehet shumë sidomos në këtë televizion. Ai njoftoi se RTK do të ndajë edhe një çmim në emër të tij.

Shala: Do ta ndajmë një çmim me emrin e Blerim Pecit

«Për nder të veprës dhe vlerës që kanë pasur emisionet e tij, unë në bazë të kompetencave që i kam, kam vendosur që në kuadër të çmimeve për personalitetet e vitit që ndan RTK për kontributet që i kanë dhënë personalitete të ndryshme RTK-së, njërit nga çmimet t’ia lë pikërisht emrin e Blerim Pecit», ka thënë Shala.

Në këtë mbledhje përkujtimore, foli edhe skenaristi Skender Sadiku, mik dhe bashkëpunëtor i të ndjerit Peci, i cili tha se Blerim Peci me sukses e kreu detyrën e tij si artist.

Sadiku: Beli me sukses e kreu misionin e tij

«Kur Kosovën e kaploi dhuna e paparë, si në aspektin fizik dhe në atë shpirtëror, apartelit të vuajtjes, mjerimit dhe varfërisë, Beli iu përgjigj me rebelim artistik. Secila kohë e kërkon qasjen e vet, secilës kohë dhe shoqëri i duhen njerëz të cilët do të japin më shumë, do të rrezatojnë pozitivisht në negativitetin e skajshëm. E Beli, me sukses e kreu misionin e tij prej artisti», ka thënë Sadiku.

Në emër të familjes së Blerim Pecit, foli gruaja e tij, Afërdita Sopjani-Peci, e cila në këtë përvjetor zgjodhi të falënderojë, e fjalët ia la dokumentarit për Blerim Pecin, në të cilin ka punuar edhe ajo.

Sopjani-Peci: Fjala më e dashur e Belit ishte ‹faleminderit›

«Nëse ka pasur ndonjë fjalë që Beli e ka dashur, ajo ka qenë ‹faleminderit›. Faleminderit ministër i Kulturës, z. Kujtim Gashi për këtë akademi, faleminderit RTK, faleminderit të gjithë mediave, faleminderit të gjithë artistëve që na qëndruan gjithmonë pranë, që na forcuan krenarinë për humbjen e Belit», ka thënë Sopjani-Peci.

Në nderim të artistit të ndjerë Blerim Peci, u shfaq edhe një dokumentar rreth jetës dhe veprës së tij.

Ndryshe, aktori Blerim Peci vdiq më 9 dhjetor të vitit 2017 në moshën 44-vjeçare nga një sëmundje në mëlçi.