Rreziqet nga moti ekstrem, Haiti më i prekuri në vitin 2016

0
275

Haiti, ishulli që vitin e shkuar u godit nga uragani më i fortë në 50 vite, është cilësuar si vendi më i prekur në botë nga moti ekstrem gjatë 2016-s, në një klasifikim të publikuar të enjten.

Zimbabve, që po vuan nën një thatësirë ekstreme që u pasua nga përmbytje të rënda, renditet e dyta, ndërsa ishujt Fixhi, që po rimëkëmben pas ciklonit më të fuqishëm tropikal të regjistruar ndonjëherë në të, është i treti në klasifikimin e rreziqeve të klimës, botuar çdo vit nga organizata ambientaliste jofitimprurëse “Germanwatch”.

Fixhi po kryeson këtë vit bisedimet e Kombeve të Bashkuara për klimën, ku shtetet e vogla ishullore po këmbëngulin për një aksion urgjent për të reduktuar emetimet që ngrohin planetin, e që pritet t’i bëjnë stuhitë, përmbytjet dhe thatësirat më të shpeshta dhe më serioze.

Shtetet e Bashkuara renditen të 10-t në klasifikimin e këtij viti, me 267 viktima dhe 47.7 miliardë dollarë dëme të shkaktuara nga moti ekstrem. Mes viteve 1997 dhe 2016, më shumë se 520 mijë njerëz humbën jetën në më shumë se 11 mijë fenomene të motit të keq, si stuhi, përmbytje apo valë të nxehti, në botë.

Dëmet ekonomike shkojnë ndërkohë në rreth 3.16 trilionë dollarë. Nëntë nga 10 vendet më të prekura në këtë periudhë janë vende në zhvillim, me Hondurasin, Haitin dhe Mianmarin të goditur më rëndë.

Klasifikimi nuk merr në konsideratë rreziqet klimatike, si rritja e niveleve të deteve apo shkrirja e akullnajave. Në 10-shen e parë të raportit përfshihet edhe Maqedonia, në vendin e tetë, kjo për shkak të motit të ftohtë që preku vendin me temperatura nën 20 gradë Celsius në fillim të vitit 2016, e më pas, shirat e rrëmbyeshëm që shkaktuan përmbytje të mëdha, që u morën jetën 21 personave.

Shqipëria renditet e 85-ta, me 4 viktima si pasojë e motit ekstrem në vitin 2016.