Rrëfimi tronditës nga lufta e Bosnjës: Babai dhe dy djemtë në tri ushtri të armiqësuara

0
191

Rrëfimi i luftës nga qyteti i Mostarit flet për fatin tragjik të një familjeje – babai dhe dy djemtë u gjendën në tri ushtri të ndryshme.

Njëri djalë e ka humbur jetën, ndërsa tjetrit i ka mbetur barra e luftës, por edhe mësimi për të keqen dhe faljen.

Periudhën e luftës në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Mostarin e përfshirë në flakët e saj, babi dhe dy djemtë e tij e kanë kaluar në tri anë të ndryshme të armiqësuara – në Armatën e BeH-së, Ushtrinë kroate (HVO) dhe Ushtrinë e Republika Sërpskas, shkruan Agjencia Anadolia.

Ky është rrëfimi i mostarasit 50-vjeçar Zoran Laketa, i cili ka mbijetuar për të na e rrëfyer këtë histori.

“Emrin e kam Sabahudin, Zoran apo Ranko, ndërsa mbiemrin Laketa. Të gjithë këta emra kanë kuptimin e njëjtë, sepse të tre kanë lindur në agim ose në sabah”, thotë Zorani.

Ai ka pasur 25 vjet kur ka nisur lufta, e cila atij dhe gjithë të rinjve praktikisht ua ndërpreu rininë në qytetin e lindjes. Zorani luftën e ka kaluar si pjesëtar i HVO-së, vëllai i tij, Gorani, ka luftuar në anën e Armatës së BeH-së, ndërsa babai i tyre, Ratkoja, është mobilizuar në radhët e ushtrisë serbe.

“Po, historinë time duhet ta dijë tërë bota. Se të tre nga një shtëpi, nga një familje më e thjeshtë punëtore ishim në tri ushtri, dhe doni që t’ju flas për atdhedashuri, për patriotizëm? Por, a ishin ato idealet tona? Nuk ishin”, porosit ai.

Duke kujtuar jetën në Mostar para luftës, Zorani thotë se s’ka pasur Bajram, Krishtlindje katolike e ortodokse, e që të mos i ketë vizituar fqinjët dhe që fqinjët të mos e kenë vizituar atë dhe familjen e tij.

“Thonë se të gjitha këto dje kanë qenë sikur të ndaluara, në atë kohë të errësirës. Se di atëherë kush na e paska ndezur këtë dritë! Në atë kohë, në lulen e rinisë, me 25 vjet, bëhem njëfarë ushtari, duhet dikë ta urrej, të gjuaj me armë, të vritemi në ‘luftën vëllavrasëse’, e ja edhe fakti se unë isha në njërën, vëllai në anën tjetër, babai në të tretën.

E tërë kjo na ndodhi familjes sime, miqve të mi, fqinjëve, vëllezërve dhe motrave. Kisha vetëm një vëlla, një baba, një nënë, të gjithë ata sot për fat të keq janë të vdekur, e ja që unë jam edhe pak i gjallë”, rrëfen ai.

Vëllai Goran ka pasur 24 vjet kur është vrarë në gusht të vitit 1993, ndërsa ka pësuar nga një granatë e gjuajtur nga pozitat e HVO-së në kodrën Hum, mbi Mostar – në radhët e së cilës ka qenë vëllai i tij Zorani. Për vdekjen e të vëllait ka dëgjuar tek një javë më vonë, nga Radio Mostari.

“Nuk mundesha të besoj: ‘Shtatë ditë nga vdekja e Laketa Goranit, i cili ra nga granata kriminale më 6 gusht, bashkë me të ranë edhe…’. Nuk mundesha ta besoj atë që e dëgjoja.

Më vijnë shokët, më shprehin ngushëllime, dhe vetëm atëherë bëhem pak më i vetëdijshëm. Nuk mundesh të shkosh në varrimin e vëllait, nuk mund ta shohësh nënën e përlotur që ka humbur djalin, por tërë këtë duhet ta mbash në thellësinë tënde, në qenien e vogël njerëzore”, flet Zorani në varrezat shehide të Mostarit, ku është varrosur vëllai i tij Gorani. Pranë tij është varrosur edhe shoku i tyre i ngushtë Adisi, si dhe shumë bashkëluftëtarë dhe bashkëqytetarë të Mostarit.

Derisa e kujton vëllain dhe flet për të, mund ta ndjesh barrën dhe dhembjen në secilën fjalë të tij. Në fund të rrëfimit të vet, Zorani u përcjell një porosi të gjithë popujve të BeH-së, por edhe vendeve fqinje: “Dhashtë Zoti kurrë dhe askujt të mos i përsëritet!”.