Rrëfimi i dhimbshëm i Granit Xhakës për “The Guardian”: Babanë ma kanë burgosur sllavët

0
265

Futbollisti me origjinë nga Kosova, Granit Xhaka, në një intervistë për gazetën “The Guardian”, ka rrëfyer shumë gjëra, në lidhje me të kaluarën e familjes së tij në Kosovë. Babai i Granitit kishte kaluar tre vite e gjysmë në burg, si i burgosur politik nga sistemi jugosllav në Kosovë.

“Me aq sa di unë, muajt e parë të burgut shkonin mirë, por më vonë filluan ta rrahin si i burgosur politik” – thotë Xhaka. Ragip Xhaka, ishte pjesëmarrës në demonstrata kundër qeverisë komuniste të Beogradit. Në vitin 1986 ai ishte 22 vjeç, dhe student i Universitetit të Prishtinës.

“Si djali i tij, kjo është diçka që më prek shumë, dhe e kam në zemrën time” – deklaron Graniti. “Babai im është një Kosovar krenar, dhe mendonte që atë kohë se ata kishin të drejtë të ekzistonin. Ai protestonte për të drejtat e tij.”

Prindërit e Xhakës emigruan në vitin 1990 për në Zvicër. Një vit më vonë, ata lindër djalin e tyre të madh, Taulantin, në Bazel. Ndërsa Graniti, lindi 18 muaj më pas. Xhaka flet edhe për ambientimin në Londër, teksa aktivizohet me Arsenalin.“Kam gjetur disa shqiptarë me të vërtetë të mirë këtu. Makinën e çoj për ta larë tek një lavazh shqiptarësh. Bisedojmë për futboll, pasi ka edhe konkurrencë. Disa prej tyre janë me Liverpulin, Mançester Junajtid apo edhe Arsenalin. Bëjmë shumë shaka” – përfundoi Xhaka.