Reçaku, fshati heroik që e harroi drejtësia

0
486

Edhe një përvjetor i dhimbshëm i shkaktuar nga krimet dhe gjenocidi serb i ushtruar gjatë luftës në Kosovë. Është përvjetori i njëzetë dhe shënon plot dy dekada, që kur banorët e  fshatit Reçak të Komunës së Shtimes humbën të dashurit e tyre.

15 janari i vitit 1999, shënon një nga ngjarjet më të rënda që ndodhën gjatë luftës në Kosovë.

45 shqiptarë të pafajshëm, ndër ta edhe 11 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u vranë e u masakruan në mënyrën më të tmerrshme.

Kjo vepër, falë zërit të ish Ambasadorit William Walker, bëri kthesë në historinë e Kosovës.

Më në fund, u dëgjua zëri i popullit të pafajshëm të Kosovës që ishte pre e krimeve mizore që kryente Serbia.

Ndonëse po bëhen dy dekada, kryesit e kësaj masakre nuk janë kapur nga organet e drejtësisë.

Në 20 vjetorin e masakrës së Reçakut, po konsiderohet i dhimbshëm fakti që institucionet e Kosovës, nuk kanë arritur të bëjnë asgjë për ndëshkimin e kryesve të kësaj masakre.

Millaku: Institucionet tona qe 20 vite janë në gjumë

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, ka thënë se masakra e Reçakut është momenti i kthesës së madhe ku Kosova tanimë e mori vëmendjen kryesore në politikën globale, e sidomos të SHBA-së.

“Sa i përket asaj se çfarë ka bërë shteti dhe qeveria jonë për zbardhjen dokumentimin dhe faktimin e këtyre krimeve të shtetit serb në Kosovë, mund të them lirisht se nuk është bërë asgjë dhe akoma nuk po bëhet. Prokuroria jonë është tepër e ngathët dhe neglizhencë në këtë drejtim ndërsa qeveria nuk ka vullnet politik për tu marr me këto tema. Institucionet tona qe 20 vite janë në gjumë. Dhe asnjë padi të vetme nga institucionet nuk është bërë dhe natyrisht se kjo është shqetësuese”, ka thënë Millaku.

Sipas saj, Kosova duhet të veprojë për të realizuar interesat e vendit dhe këtë duhet ta bëjë në mënyrë të pavarur.

“Njëzet vite janë kohë e humbur dhe në aspektin e provave dhe dëshmitarëve është humbje e pallogaritshme. Kjo neglizhencë qon ujë vetëm në mulli të Serbisë, ndërsa po duket se kjo situatë po i konvenon qeverisë dhe sidomos Prokurorisë së shtetit e cila është bërë vegël e pushtetit. Këtë pranverë bëhen 20 vite nga masakrat që janë bërë në Kosovë nga shteti serb dhe askush nuk jep llogari për këtë tragjedi”, ka thënë deputetja Millaku.

Barani: Si e harroi Thaçi premtimin për padi

Kryetari i Këshillit rajonal për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Komunën e Mitrovicës, Halit Barani, ka thënë për “ Bota sot” se tashmë po bëhen 20 vite nga masakra e Reçakut, por edhe shumë masakrave të tjera në Kosovë, ku ushtria, policia, paraushtaraket dhe civilet e armatosur kriminel çetnik serbë, vranë gra e fëmijë, pleq e plaka, shqiptarë të paralizuar, gra shtatzëna shqiptarë të fajshëm e të paarmatosur dhe të pa mbrojtur.

“Sa i përket drejtësisë, jo vetëm për masakrën e Reçakut por për asnjë masakër deri më sot nuk ka bërë absolutisht asgjë drejtësia në Kosovë”, ka thënë Barani.

Sipas tij, nëse ka diku drejtësi, atëherë të tillët njëherë janë duke u marrë me vetën e tyre dhe nuk kanë kohë të merren me masakrat.

“Kurse sa i përket padisë zyrtare, në një rast Thaçi pati thënë se do të bëjë padi për krimet dhe gjenocidin që ka bërë Serbia në Kosovë gjatë luftës 1998/99. Por, tani lindë pyetja, se si ka harruar vallë, ai me shokët e tij, apo njëherë kanë punë mes vete. Po mendoj që janë duke kërkuar kriminel në mesin e tyre e pastaj ndoshta merren edhe me ata që bënë krime ta papara mbi popullatën e pafajshme shqiptare”, ka thënë Barani.

Vata: Drejtësia është lehtësimi i një populli të lënduar nga padrejtësia

Ilir Vata, njohës i çështjeve juridike e politike ka thënë se vetëm drejtësia është lehtësimi i një populli të lënduar nga padrejtësia.

Ai ka thënë për “ Bota sot” se  masakra e Reçakut është dëshmi e qartë e krimeve kundër njëzimit që Serbia ka bërë në Kosovë.

“Kjo nuk është vetmja, pasi barbaria serbe ka vazhduar masakrat ndaj popullsisë shqiptare në mënyrë periodike, të vazhdueshme deri në momentin kur ndërhynë forcat aleate të NATO-s. Ushtria serbe jo vetëm ka vrarë në grup qytetarë të pafajshëm, por ka përdhunuar dhe dëbuar një popull të tërë nga shtëpitë e tyre dhe trojet e veta etnike. Parë në legjislacioni penal ndërkombëtarë dhe bazuar në Gjykatën e Hagës kanë të gjitha provat që Serbia ka ushtruar gjenocid ndaj një popullsisë së Kosovës dhe shembull për këtë janë vendimet e gjykatës penale ndërkombëtare për dënimin e liderëve serb për gjenocid”, është shprehur Vata.

Sipas tij, në këtë dimension shteti i Kosovës duhet të ketë në marrëveshje në pikën e parë njohjen e krimeve të Serbisë ushtruar ndaj shqiptarëve dhe dënimi i tyre si dhe dëmshpërblimi për krimet e luftës.

Ai konsideron se, Serbia kërkon marrëveshje duke tepruar dhe pretendimet, por fillimi i bisedimeve nis pikërisht te dëmshpërblimi i dëmeve të luftës.

“Për sa i përket drejtësisë në Kosovë, kjo është ajo që i ka munguar dhe mungon Kosovës. Pa dënuar krimet e Serbisë ndaj Kosovës, pa dalë para drejtësisë përgjegjësit, shqiptarët do vazhdojnë të vuajnë pasojat në aspektin e traumës sociale e psikologjike të një popullit të tërë. Drejtësia është lehtësimi i një populli të lënduar nga padrejtësia. Për sa i përket Kosova pas 20 vitesh nga masakra e Raçakut është një kontrast i madh, një ndryshmin si drita me hijen”, ka thënë Vata.

Sipas tij, ngritja e padisë ndaj Serbisë për krimet në Kosovë është një e drejtë legjitime e shtetit të Kosovës.

“Kosova ka të drejtën dhe të gjitha provat për ta vënë përballë përgjegjësisë penale shtetin e Serbisë dhe drejtuesit e përfshirë në krime, si dhe kërkesa e dëmshpërblimit të pasojave të luftës. Kjo padi tashmë duhet të ishte ngritur, por nuk është vonë sepse krimet kundër njerizimit nuk shuhen kurrë kjo është e sanksionuar në të drejtën ndërkombëtare. E rëndësishme për Kosovën është vendosja e drejtësisë në vend, pasi këtu starton e drejta e një kombi në liri siç është Kosova”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike e politike Ilir Vata.

Shahu: Kosova e kësaj klase politike kurrë nuk do të mund të bëjë padi kundër Serbisë

Ndërsa, analisti politik Rexhep Shahu, ka thënë se 20 vjet pas masakrës së Reçakut, Kosova vazhdon të jetë e masakruar, e pa shëruar, e paqetë, e kërcënuar nga Serbia dhe injoranca e pushtetarëve të saj.

“20 vjet pas luftës, pas masakrave, është masakër më vete të shohësh të njëjtat fytyra zyrave të shtetit, të njëjtat fytyra herë më uniformë lufte e tani me uniformë zotnish. Kjo është masakër ndaj brezave të rij, ndaj atyre fëmijëve, grave, burrave që u masakruan para 20 vitesh. Një fëmijë i para 20 viteve që ka përjetuar masakra e tmerre luftë e do më shumë lirinë, i do më shumë prindërit që iu masakruan, është më i pavarur në dashurinë e tij pa kushte për Kosovën dhe asnjë komandant i gjallë nuk është më në gjendje ta udhëheqë fëmijën e para 20 viteve, që tash mund të jetë 20-30 vjeçar plot vitalitet, i shkolluar, i pa fëlliqur kurrë nga Serbia” , ka thënë Shahu.

Ai ka thënë se udhëheqësit e para 20 viteve që vazhdojnë ta komandojnë Kosovën si pronë të tyre, janë pengesë shumë serioze për të ardhmen e Kosovës.

“Komandantet nuk e kanë me tapi Kosovën, lirinë e të ardhmen e saj. Në 20 vite pas masakrave serbe si ajo e Reçakut, Kosova ka bërë hapa madhështore në zhvillim. Është pa serbë, falë miqve amerikane, evropian, dhe UÇK, por injoranca e drejtuesve komandantë është pengesë shumë frenuese për Kosovën. Ndërsa, sa më pyet për padi ndaj Serbisë, kjo është herezi. Kosova e kësaj klase politike udhëheqëse kurrë nuk do të mund të bëjë padi kundër Serbisë sepse nuk janë të lirë që të bëjnë padi. As Shqipëria zyrtare kurrë nuk guxoi të bëjë padi kundër Serbisë-së për minat që mbolli Serbia në Kukës, Has e Tropojë kanë vdekur 57 njerëz e kanë mbetur sakate përjetë 254 njerëz, pa duar, sy, këmbë. Shqipëria zyrtare dhe shtetarët aktuale të Kosovës kanë frikë ta padisin Serbinë se ajo i rrëzon nga pushteti”, ka thënë analisti politik Rexhep Shahu.