Rebelimi demokratik

0
227

Imer K. dhe Besmir B. janë pjesë e shumicës së kosovarëve që u janë përgjigjur me “rebelim demokratik” dy palë zgjedhjeve të organizuara në 2017-n. I pari e ka prishur qëllimshëm votën, kurse i dyti u ka shpallur bojkot zgjedhjeve.
Politikanët, pavarësisht fushatës agresive që kanë bërë, nuk kanë mundur t’ua ndërrojnë mendjen atyre. Përkundrazi, zhgënjimi në ta ka rritur numrin e qytetarëve me përcaktim të njëjtë sikur Imeri e Besmiri, shkruan “Koha Ditore”. Për pasojë, ka pasur numër rekord të fletëvotimeve të pavlefshme e edhe numër rekord qytetarësh që nuk i janë përgjigjur apelit për të votuar.

Arsyet e revoltës janë nga më të ndryshmet.

Imeri u është afruar të 65-ve, është i dëshpëruar me PDK-në, partinë që thotë ta ketë mbështetur vite rresht dhe e cila prej themelimit e ka pasur për bastion komunën e tij, Drenasin.

Votë për të më nuk ka, por nuk i ka votuar as të tjerët. Prandaj, ka shfrytëzuar një mënyrë ndëshkimi për të gjithë – e ka shpallur të pavlefshëm fletëvotimin. Dhe edhe në zgjedhjet e parakohshme nacionale që janë mbajtur në qershor, por edhe në ato lokale që janë zhvilluar në tetor mbi fletëvotim e ka shkruar një iks të madh.

“U bëmë prrallë me kryetarin. Qysh me votu prapë për të?”, pyet ai, derisa arsyeton prishjen e votës në zgjedhjet lokale.

“Vazhdimisht e kam votu PDK-në. Dilemat më janë shfaqë në zgjedhjet e shkuara, por thash hajt t’i votoj edhe kësaj here mos po ndryshojnë diçka. Ata nuk ndryshun”, ka treguar më herët ai, tek ka folur për motivet që e kanë shtyrë ta prishë edhe votën për zgjedhjet nacionale. “Votë për LDK-në nuk kam, e Vetëvendosja duhet me u pjekë më shumë”.

Në dy palë zgjedhjet që janë organizuar në 2017-n, numër jo i vogël qytetarësh kanë shprehur “revoltë artistike” në fletëvotimet që i kanë prishur. Ndryshe nga Imeri që vetëm e ka prishur votën me një iks të vënë mbi listën e subjekteve që konkurronin, shumë qytetarë me të drejtë vote kanë lënë edhe mesazhe në fletëvotim, qoftë të shkruar apo edhe të shprehur me ndonjë vizatim. Disa, madje, i kanë fotografuar ato dhe i kanë shpërndarë në rrjete sociale.