Pushteti po i frikësohet vettingut

0
233

“Ministri Tahiri mund të injoroj kërkesat e qytetarëve dhe nevojën e domosdoshme për vetting dhe mandatin e tij ta fillojë dhe mbaroj me plotësim ndryshim të ligjeve, pa e bërë dallimin. Sigurisht se vettingu është i pa-alternativë dhe sigurisht se në një kohë të shpejtë i njëjti do të realizohet.  Besimi i publikut në sistemin e drejtësisë pa vetting nuk mund të kthehet dhe përmirësohet”, thotë Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka befasuar me një deklaratë të tij për vettingun.

Ai ka thënë se, Kosova ka nevojë që të rris llogaridhënien dhe përgjegjësinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe jo të verifikimit të tyre në periudha të gjata.

“Një proces i vettingut te ne ka kaluar në kohën 2009-2010 në kohën e riemërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga UNMIK-u tek institucionet e shtetit të pavarur të Kosovës. Pra, në atë periudhë e kemi pasur një riemërim të gjyqtarëve dhe ka ndodhur pikërisht pra vettingu dhe ajo ka qenë rreth 35 për qind të gjyqtarëve dhe prokurorëve kanë mbetur jashtë sistemit. Ne na duhen mekanizma të cilët deri më tash nuk i kemi pasur brenda sistemit që e adresojnë këtë çështje dhe që e rrisin efikasitetin e gjyqësorit dhe jo të ndodhin një herë në 10 apo 15 vite procese të tilla”, është shprehur Tahiri.

Kjo deklaratë e Tahirit, ka shqetësuar opozitën dhe njohësit e çështjeve politike në Kosovë.

Millaku: Duhet vetting jo vetëm në drejtësi por në të gjitha institucionet

Image

Drita Millaku

FOTO GALERI

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Drita Millaku, thotë se ky është mentaliteti i pushtetit, i cili e ka gërryer popullin, duke shtuar se, është për të ardhur keq se si funksionon pushteti aktual.

“Ky është mentaliteti i pushtetit që e ka gërryer popullin. Kjo tregon se si funksionon pushteti aktual dhe kjo është vërtetë për të ardhur keq. Nuk ka asgjë ma shpresë mbytëse se sa kjo që po ndodh me gjyqësorin pasi që kjo frenon edhe investimet e jashtme e prek edhe imazhin e vendit. Kjo në përkthim do të thotë ne nuk duhet të përgjigjemi për korrupsion dhe për mos punë. Duhet vetting jo vetëm në drejtësi por në të gjitha institucionet”, thotë Millaku për gazetën “Bota sot”.

Miftaraj: Vettingu pa Alternativë

Image

Ehat Miftaraj

FOTO GALERI

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se, gjatë këtij muaji janë publikuar raporte që dëshmojnë gjendjen e rëndë të sistemit të drejtësisë në Kosovë, duke shtuar se të gjitha partitë politike kanë deklaruar se shpëtimi i drejtësisë është vettingu.

“Gjatë muajit dhjetor në kuadër të javës kundër korrupsion organizata të shoqërisë civile kanë organizuar tryeza, kanë publikuar raporte që dëshmojnë gjendjen e rendë dhe të papranueshme të sistemit të drejtësisë në Kosovë. Në konferencën ku është publikuar edhe raporti vettingu pa Alternativë, të gjitha partitë politike në Kuvend janë deklaruar publikisht se shpëtimi nga sistemi i drejtësisë është procesi i vettingut”, thotë Miftaraj për gazetën “Bota sot”.

Ai shprehet se, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka mundësi të kujtohet si ministër që ka lënë trashëgimi një proces që e përmirëson sundimin e ligjit.

“Ministri Tahiri ka mundësinë unike në cilësinë e Ministrit të Drejtësisë ti përgjigjet kërkesave të qytetarëve që përmes legjislacionit përkatës të filloj me procesin e vettingut dhe me këtë edhe të mund të kujtohet si ministër që ka lënë trashëgimi një proces që e përmirëson sundimin e ligjit në Kosovë, përmes pastrimit të personave qe nuk janë të denjë dhe nuk kanë integritet për të ushtruar funksionin e prokurorit dhe gjykatësit”, shprehet ai.

Miftaraj pohon se, vettingu në një kohë të shpejtë do të realizohet, pasi pa këtë nuk mund të kthehet besimi në sistemin e drejtësisë.

“Sikurse, Ministri Tahiri mund të injoroj kërkesat e qytetarëve dhe nevojën e domosdoshme për vetting dhe mandatin e tij ta fillojë dhe mbaroj me plotësim ndryshim të ligjeve, pa e bërë dallimin. Sigurisht se vettingu është i pa-alternativë dhe sigurisht se në një kohë të shpejtë i njëjti do të realizohet.  Besimi i publikut në sistemin e drejtësisë pa vetting nuk mund të kthehet dhe përmirësohet”, përfundon Ehat Miftaraj.

Burjani: Pa vetting nuk ka pastrim të figurave dhe punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve

Image

Blerim Burjani

FOTO GALERI

Ndërkaq, njohësi i çështjeve juridike Blerim Burjani thekson se deklarata e ministrit Tahiri është hajgare me opinionin publik, pasi gjyqësia dhe prokuroria është e kapur dhe këtu sipas tij, nuk ka më kurrfarë debati.

Ai thotë se,  duhet të hiqet ndikimi politik dhe ndikimi nga njerëzit e profilit të lartë.

“Vettingu është i domosdoshëm sa më parë aq më mirë. Pa vetting nuk ka pastrim të figurave dhe punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, atyre i janë tolerua punë me kontrata dytësore i janë rritur pagat kotë dhe ka mbetur puna e njëjtë, pra joefikase. Janë të pa interesuar të ndjekin parelinjtë e mëdhenj, përfituesit të pa bazë, keqpërdorues të buxhetit, shkaktim të pabarazisë qytetare para të gjitha janë prezentë. Ata duhet të punojnë në mënyrë transparente efikase që të ndërmarrin ndjekjen ndaj njerëzve, zhvatësve të parasë publike. Duhet opinionin ta bindin me punë dhe me aktgjykime ashtu si ka kërkuar deri tash BE-ja. Por, nuk ka asnjë aktgjykim të formës së prerë, ka përplot njerëz që mbajnë poste publike të nivelit të lartë dhe nuk dihet se si i kanë shpëtuar gjyqësori dhe prokurorisë”, thotë Burjani për gazetën “Bota sot”.

Ai shprehet se ministri Tahiri nuk është për të folur për gjyqësor e as prokurori, pasi ai ka kompetenca tjera.

“Ky sistem është i pavarur nga ky ministër, sa më shumë që e përmend dyshohet në kapje të vazhdueshme të gjyqësorit. Pra, nuk ka nevojë deklarata politike, por duhet të lihet rahat sistemi të funksionojë. Deri më tash i kanë rritë pagat për organe të drejtësisë e rezultati është zero. Kjo po i bie se politika i ka rritur pagat e tyre dhe i ka lënë të kenë kontrata dytësore dhe tretësore dhe e kanë ble drejtësinë”, përfundon Burjani.

Duhanaj: Duhet të angazhohen prokurorë të rinj

Image

Leon Duhanaj

FOTO GALERI

Në anën tjetër, analisti politik Leon Duhanaj llogaridhënia dhe përgjegjësia duhet të jenë baza e të gjitha aktiviteteve dhe kjo duhet të ndodhë në të gjitha sferat dhe po ashtu në sistemin e drejtësisë.

“Deklarata e ministrit, për mendimin tim është asgjë më shumë se sa deklaratë koti dhe e pasinqertë. Si mund të arrish ngritjen e nivelit të përgjegjësisë, llogaridhënies dhe luftimin e korrupsionit, nëse e je sistemin përplot me njerëz të korruptuar?! Sistemi i drejtësisë në tërësi, do të stabilizohet vetëm atëherë kur do të hetohet puna e tashme dhe e kaluar e secilit akterë veç e veç. Kjo mund të ndodhë vetëm përmes angazhimit të prokurorëve dhe gjyqtarëve të ri dhe të pa-korruptuar”, thotë Duhanaj për gazetën “Bota sot”.

Ndryshe, gjatë verifikimit në vitin 2009 rreth 45 gjyqtarë dhe prokuror janë larguar nga sistemi i drejtësisë pasi që nuk kanë arritur që të përmbushin kriteret e caktuara.