“Punë e madhe nëse janë vra anëtarët e LDK-së”, deklarata shokuese e Haradinajt që tronditi Kosovën (+18)

0
765

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, mbrëmë gjatë një emisioni televiziv, ka bërë një deklaratë skandaloze, po aq edhe shokuese.

Duke bërë replika me analistin Imer Mushkolaj, i cili tha se shumica e vrasjeve që janë bërë në Kosovë kanë qenë anëtarë të LDK-së, Haradinaj i është përgjigjur se “punë e madhe që janë vra të LDK-së”.
“18 vjet askush nuk merret me rastet e vrasjeve të pasluftës. Na të gjithë e dimë që shumica e personave që janë vrarë pas luftës kanë qenë të LDK-së”, ka thënë Ymeri.

“Punë e madhe që janë vra të LDK-së”, ka qenë replika e Haradinajt.

E kjo deklaratë e Nasim Haradinajt, ka ngjallë reagime të shumta në opinionin publik në Kosovë, ku nxiti reagimin e familjarëve e viktimave të vrasjeve politike dhe disa nga ata që pësuan nga këto atentate.

Beriane Mustafa, vajza e Xhemajl Mustafës, anëtar i LDK-së i vrarë pas luftës, përmes një postimi në facebook, ka treguar ashpër ndaj Nasim Haradinajt të OVL e UÇK-së.

“Nasim Haradinaj me te thene qe je bishe…eshte ofenduse per sojin e kafsheve. Pune e madhe nese Gjykata Speciale arreston disa persona te UCK edhe ashtu e perjetojme nje Nentor te Dyte, mas luftes kunder Milloshit”, ka shkruar Beriane Mustafa, përcjellë “Bota sot”.

Beriane Mustafa, ka kërkuar nga Ramush Haradinaj që të distancohet publikisht nga fjalët e Nasim Haradinajt, i cili mbrëmë bëri një deklaratë skandaloze, duke thënë “Punë e madhe që janë vra të LDK-së”.

“Kryeminister Ramush Haradinaj, po te drejtohem si ish komandante i UCK, nese nuk distancohesh publikisht nga fjalet e Nasim Haradinajt( qe mund ta kesh edhe familjar), atehere po e marre qe je ne vije me te. Nese OVL e UCK nuk e shkarkon prej pozite Nasimin, atehere kjo nenkupton qe edhe ata jane ne mendim te njejte me te. Mos harroni qe ne mesin e te vrarve me motive politike te veprimtarve te LDK, disa prej tyre kane qene pjese e UCK”, ka shkrua Mustafa në rrjetin social facebook, përcjellë “Bota sot”.

Po ashtu, edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, nip i kolonel Tahir Zemajt, përmes një postimi në facebook, ka shpërthyer ndaj Nasim Haradinajt, pas deklaratave shokuese të këtij të fundit.

“Një pleher i degraduar, i njohur si harbut i pasluftës, një profiter fondesh publike, një egersire ndaj bashkëqytetarëve të vetë që nuk mendojnë njejte me logjiken e tijë prej stalinisti, i dashur dhe i respektuar për kriminelet ordinier….. si përfaqësues i “Veteraneve të Luftës” me hipokrizi dhe mungese ndërshmërie, thekson me mburrje për vrasjet e veprimtarëve të LDK-së, se s’janë asgjë me shume se “punë e madhe”. Ky është modeli i mbrojtjes së kastes kriminale në Kosovë. Populli e dijë kush jeni, kush keni qene dhe çka përfaqësoni, andaj edhe nuk quditet nga këto deklarta tuajt dhe ty atyre qe i ke padron”, ka shkruar deputeti Zemaj, përcjellë “Bota sot”.

Gjithashtu edhe deputetja e LDK-së, vazja e veprimtarit të vrarë të LDK-së, Enver Malokut, Doruntina reagoi ndaj deklaratave shokuese të Haradinajt, të cilin e quajti edhe “Monstër”

“Kam dëgjuar disa herë që kur bëheshin plane për vrasjen e kundërshtarëve politikë në Kosovë, pra për vrasje të Intelektualëve të shquar të LDK-së, grupe të caktuara njerëzish të sojit të Nasim Haradinajt indoktrinonin të rinjtë duke u thënë që zyrtarët e LDK-së janë udbashë dhe ata duhet të eliminoheshin. Ky monstra, mbrëmë e paska konfirmuar edhe publikisht këtë gjë: Punë e madhe që janë vra njerëzit e LDK-së, paska thënë ai! Njëmend? Mos e vet se t’kallxon vet, ka thënë populli!”, ka shkruar Maloku.

Ajo ka kërkuar distancim nga deklaratat e Nasim Haradinajt, dhe ky i fundit të shkarkohet nga OVL e UÇK-së.

“Si deputete e LDK-së në Parlamentit të Kosovës, i kërkoj Kryeministrit Haradinaj dhe të gjitha organizatave të dala nga lufta që urgjentisht të distancohen nga deklaratat e Nasim Haradinajt. Si fëmijë i një dëshmori të UÇK-së, Heroi të Kosovës, e zyrtari të lartë i LDK-së, i vrarë në atentat më 11 janar 1999, kërkoj urgjentisht nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, që ta shkarkojë këtë fundërrinë nga kjo pozitë sepse ky nuk përfaqëson interesat e veteranëve as të neve familjeve të dëshmorëve të UÇK-së dhe jo se jo vlerat e luftës!”, ka shkruar Maloku.

Po ashtu edhe Flamur Bytyçi, djali i Ukë Bytyçit, ish kryetarit të Komunës së Therandës, i vrarë pas lufte me 27 tetor 2002, ditën kur ai kishte fituar zgjedhjet në këtë komunë, ka reaguar ndaj Nasim Haradinajt, nënkryetarit të OVL-së së UÇK-së.

““Punë e madhe që janë vra të LDK-së ” z.Haradinaj mbrëmë po flisnit edhe për babain tim (UKË BYTYÇIN) themeluesin e UÇK-së, i burgosuri politik, aktivist i madh i cili meritonte që të jetë sot bashkë me Neve, me të gjithë bashkë udhëtarët e tij për një shtet më të formuar dhe më demokratik. Për ty z.Haradinaj nuk është punë e madhe vrasja e babait tim, punë e madhe dhe e dhimbshme është që unë sot ndoshta dhe takohem me vrasësin e babait tim, ndoshta i’a jap edhe dorën sepse ende nuk dihet se kush e ka porositur atë vrasje !?Ti mbrëmë luajte me tragjedinë e familjes time, ndoshta Ne familjarët nuk dimë asgjë, por një gjë e dimë që babai im u vra për motive politike para gruas, fëmijëve dhe gjithë simpatizantëve në ditën e fitores së LDK-së në komunën e Suharekës. Turp për Ju për një prononcim të tillë, më ke kthyer në ditën e mallkuar kur e kam parë Babain tim të shtritë më 27 Tetor të 2002!”, ka shkruar Bytyçi, përcjellë “Bota sot”.

Edhe anëtari i LDK-së, Fetah Rudi, i plagosur rëndë me 15 dhjetor të vitit 2000m dhe që nga ajo kohë është në karrocë.

Rudi ka shkruar se hienat kanë filluar të dalin në shesh.

“Hienat kane filluar te dalin ne shesh, edhe pse ne te gjithe i kemi ditur cilat jane. Kohe e nxehte po vjen per disa disa. Ty qe as emrin nuk dua ta permend, me te thene qe zoti ftyren ta marrte spo mundem, se disa as ftyre nuk kane. Por mos e keni dert, te gjitha do te deshmohen. Te gjithe po deshmohen se kan vrare veprimtar te LDK!”, ka shkruar Fetah Rudi, përcjellë “Bota sot”.

Edhe djali i Smajl Hajdarajt, Shpëtimi ka shkruar se kriminelët janë në panikë.

«Kriminelët në panikë. Punë e madhe», ka shkruar Shpëtim Hajdaraj.

Po ashtu, edhe deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, ishte ai që Haradinajn e krahasoi me ministrin serb, Ivica Dacic.

“Nuk po flet Shesheli, shqiptar e patriot i thotë vetes. Per nga pamja më shumë i përngjan Daqiqit e nga deklarata Sheshelit”, ka shkruar Avdyli, përcjellë “Bota sot”.

Ndërsa, edhe deputeti Driton Selmanaj, i cili në një prononcim për media ka kërkuar distancimin e OVL-së së UÇK-së nga dejklarata e Nasim Haradinajt.

“Unë pres që sot, që organizata që ai përfaqëson dhe institucionet e tjera që thirren në ato vlera të distancohet përndryshe nëse kjo është qasja e këtyre organizatave, atëherë vërtetë ata qenkan përgjegjës për këto, nëse për ta nuk kanë rëndësi vrasjet politike pas luftës, nëse për ta nuk ka rëndësi, vrasja e dikujt vetëm përse ka mendua ndryshe, vërtetë këto organizata kanë probleme serioze edhe me organizimin e tyre edhe me angazhimin e tyre publike në Kosovë”.

Kurse, anëatri i LDK-së, dhe ish këshilltari i Isa Mustafës, Bajram Gecaj ka shkruar se edhe heshtja është pajtim.

“Të gjithë përfaqësuesit institucional e shtetëror, posaçërisht krerët institucional, por edhe përfaqësuesit e shoqatave të UÇK-së, do të duhej të distancohen sa më parë nga deklarimi i Nasim Haradinajt se nuk ishte “punë e madhe që janë vra të LDK-së”! Përndryshe heshtja në këtë rast nuk është asgjë tjetër veç pajtim dhe solidarizim me një deklarim të tillë skandaloz! Ata që pretendojnë të përfaqësojnë popullin, duhet të përfaqësonin edhe dhimbjen e tyre!”, ka shkruar Gecaj në faqen e tij në facebook, përcjellë “Bota sot”.