Pritet të ndalohet shitja e thëngjillit

0
178

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka bërë të ditur se kanë filluar me konfiskimin e thëngjillit në të gjitha rrugët e kryeqytetit.

Në kuadër të kësaj, tek po raportonte para Komisionit për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, lidhur me gjendjen e mjedisit në Kosovë, Matoshi bëri të ditur se së shpejti do të aktivizohet edhe Policia e Gjelbër. Sipas tij, gjendja e mjedisit për vitin 2017 tregon për një gjendje jo të mirë përkundër përpjekjeve për mbrojtjen e tij.

Matoshi, tha se në ndotjen e ajrit ka ndihmuar edhe dhënia falas e thëngjillit për punëtorët e KEK-ut.

“Ka pasur raste që ky thëngjill ka përfunduar me shitje. Po ashtu jemi në plan të konfiskimit të thëngjillit kudo në qytetin e Prishtinës. Ditëve në vijim do të ketë aksione për konfiskim në rrugët e Prishtinës. Sa i përket ekonomive familjare, nuk kemi mundur të marrim vendim pasi që thëngjilli përdoret edhe në institucione”, tha ministri Matoshi.