Prej tash diaspora paguan online policën kufitare

0
556

Ministria e Diasporës, Ministria e Punëve të Brendshme bashkë me përfaqësuesit e Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS), kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi, me qëllim që t’iu lehtësohet hyrja në Kosovë bashkatdhetarëve nga diaspora. Përfaqësuesi nga BKS, ka thënë se nga tani pagesa e policës kufitare do të bëhet online.

Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, ka konsideruar iniciativën shumë të rëndësishme, pasi sipas tij, me këtë memorandum do të krijohen lehtësira për bashkatdhetarët.

Sefaj: Me këtë memorandum do të zvogëlohen pritjet

“Kemi konsideruar që është shumë e rëndësishme kjo iniciativë. Promotorë është ministria e Diasporës. ne si ministrie e Punëve të Brendshme menjëherë ju kemi bashkëngjitë kësaj iniciative . Është nënshkruar memorandumi që ti lehtësohet ardhja e qytetarëve tanë , diasporës sonë në vendlindje, sepse ata kontribuojnë me mundin e tyre për këtë vend. Që ti zvogëlojmë pritjet e tyre në rend në pikat kufitare. Ky ka qenë qëllimi i vetëm është shumë praktik, është pragmatik . Nuk duhet të politizohet nuk e ka një rendësi të tillë”, tha Sefaj.

Ndërsa, ministri i Diasporës dhe Investimeve, Dardan Gashi, ka thënë se sot është një ditë e rëndësishme për bashkatdhetarët dhe tani ata do të kenë më të lehtë hyrjen në pikat kufitare të Kosovës.

Gashi: Sot është ditë e rëndësishme për bashkatdhetarët

“Kjo iniciativë është e vjetër nuk është iniciativë e re. Mirëpo fatkeqësisht nuk është realizuar. Po nuk do të shkojmë në histori prapa pse nuk ka funksione çka funksionuar. Sot e kemi një ditë të rëndësishme për bashkatdhetarët tanë. Do të ju lehtësojmë disa procedura. Qëllimi final është që bashkatdhetarët tanë kur të vijnë mos kenë nevojë të paguajnë sigurim shtesë që të njihet kartoni i gjelbër i Kosovës jashtë Kosovës edhe sigurimet të bëhen jashtë Evropës të njihen në Kosovë”, tha Gashi.

Ndërsa, Blerim Pushkolli, drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, ka thënë se pagesat online janë rezultat i avancimit të teknologjisë dhe se tani nga ky projekt, siç e ka quajtur ai, do të përfitojnë edhe qytetarët që transportojnë vetura jashtë.

Pushkolli: Nga ky projekt përfitojnë edhe qytetarët brenda vendit

“Sa i përket këtij projekti të pagesës online të policës kufitare, besoj që benefitet e këtij projekti janë të mirënjohura për qytetarët si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës. Pagesat online janë si rezultat i avancimit teknologjik në ditët e fundit. Kështu që për këtë risi qytetarët janë të njohur. Besoj që benefitet e saj do të shihen menjëherë. Pagesa bëhet online si për qytetarët jashtë vendit që jetojnë në diaspora, po ashtu edhe për qytetarët të Kosovës, që importojnë vetura jashtë mund ta bëjnë pagesën online të kësaj police kufitare”, tha Pushkolli.

Ndërsa sa i përket pagesës, Pushkolli nuk ka treguar saktë tarifat që do të paguhet për policën kufitare. Sipas tij ato dallojnë varësisht prej periudhës që ata e shfrytëzojnë.