“Pranverë e zjarrtë e pret Kosovën, rrezikon të digjet nga Hashimi me shokë”

0
232

Mundësia për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale është e pamundur, kjo për faktin se PDK, AAK dhe NISMA-s për Kosovën nuk i kanë votat e mjaftueshme për ndryshimin e këtij ligji.

Deputetët e koalicionit qeverisës PANA të premten në mbrëmje kanë mbledhur 43 nënshkrime ku kanë kërkuar një seancë të jashtëzakonshme për ndryshimin e ligjit në fjalë.

Kjo kërkesë nuk u përkrah nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kështu që në mungesë të kuorumit të anëtarëve në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, kjo çështje është shtyrë për mbledhjen e radhës, që pritet të mbahet në javën e tretë të muajit janar, pasi legjislativi ka shkuar në pushim dimëror.

Partitë e të ashtuquajturit “krahut të luftës” nuk kanë dhënë një qëndrim se çfarë do të bëjnë me fillimin e punës së legjislativit, për javën e tretë të muajit janar.

Nga ana tjetër, njohës të çështjeve juridike thonë se për të ndryshuar projektligjin në fjalë, nevojiten 81 vota të deputetëve në Kuvendin e Kosovës, pasi që për këtë duhet bërë ndryshime kushtetuese.

LDK dhe LVV kundër ndryshimit të ligjit për Specialen

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa dje gjatë ditës ka dhënë një sqarim lidhur me refuzimin e deputetëve të këtij subjekti politik për të përkrahur kërkesën e 43 deputetëve të pushtetit për shfuqizimin e speciales.

Mustafa ka shkruar se LDK nuk është që ka dashur që të formohet kjo instancë ndërkombëtar për Kosovën, por sipas tij, tashmë është i pamundur shfuqizimi i saj.

“Janë detyrime ndërkombëtare, të cilat nuk mund të zhbëhen me nënshkrime të deputetëve në një mbrëmje. Veçmas kur gjykata është funksionalizuar, kur vendet e BE-së dhe SHBA kanë ndarë buxhetet dhe kanë filluar implementimin. Si pasojë prapë do të kishim një ndërhyrje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe rifuqizim të Rezolutës 1244 dhe të rolit të Rusisë në vendin tonë. Do të kishim izolimin e Kosovës”, ka shkruar Mustafa.

Edhe një burim nga Lëvizja Vetëvendosje i kanë thënë gazetës “Bota sot” se ata janë kundër kërkesës për ndryshimin e kësaj instance juridike ndërkombëtare.

“Unë mendoj se subjekti i jonë politik nuk duhet të përkrah një kërkesë të tillë, sepse ne qysh në fillim kemi qenë kundër votimit të Gjykatës Speciale. Po ashtu ne mendojmë se prapa kësaj iniciativa qëndron presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i cili frikësohet se edhe emri i tij gjendet në listën e personave të cilët do të hetohen, dhe në momentin e fundit po mundohet ta shfuqizojë atë”, i ka thënë gazetës ky burim.

Nga ana tjetër, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi në një përgjigje për “Bota sot” nuk ka treguar kur është pyetur se a kanë hequr dorë nga ndryshimi i këtij ligji.
Ai ka thënë se tashmë Kuvendi është në pushim vjetor, kurse opinioni publik do të informohet me fillimin e punës së legjislativit.

Nevojiten 2/3 e votave për ndryshimin e këtij ligji

Nga ana tjetër, profesori universitar Mazllum Baraliu në një prononcim për “Bota sot”, thotë se deputetët e PAN-it e kanë të pamundur ndryshimin e këtij projektligji.

“Ky koalicion qeverisës nuk i ka dy të tretat e votave, kështu që kjo iniciativë nuk do të kalojë. Për të kaluar kjo nevojitet një konsensus me dy partitë opozitare VV dhe LDK, por këto tashmë kanë dal publikisht kundër ndryshimit të këtij projektligji”, thotë Baraliu për “Bota sot”.
Ai thotë se është anakronike dhe e çuditshme që këtë ndryshim po e kërkojnë pikërisht ata që para dy viteve kanë votuar pro themelimit të kësaj gjykate.

Kurse, tentimin e partive në pushtet të premten për shfuqizimin e speciales, ishte i pakuptimtë dhe i dështuar qysh në fillim.

“Kjo ka qenë një iniciativë në start e dështuar dhe për këtë qytetarët nuk do të duhej të shqetësoheshin, sepse ata i kanë vetëm 61 vota. Kurse për këtë çështje, sipas rregullores dhe kushtetutës, nevojiten dy të tretat e votave”, thotë më tej Baraliu.

Edhe Albert Krasniqi nga Instituti KDI që merret me monitorimin e punës së Kuvendit përmes një shkrimi ku analizon ngjarjen e së premtes thotë se për këtë nevojiten dy të tretat e votave.

Image
Albert Krasniqi
FOTO GALERI
“Edhe nëse keni përmbushur të gjithë këta hapa, Gjykatën Speciale nuk e keni shpërberë krejtësisht, pasi baza e ekzistencës së saj është e përcaktuar në Kushtetute. Për ta bërë këtë ju duhet të ndryshoni Kushtetutën, që kërkon votat e 2/3 të të gjithë deputetëve të Kuvendit, përfshirë 2/3 e deputeteve që mbajnë vende të garantuara”, shkruan Krasniqi.

Shfuqizimi i Speciales izolon Kosovën

Kurse, publicisti Skender Zogaj mendon se veç tentimi për të ndryshuar Ligjin për Gjykatën Speciale, i ka bërë dëm Kosovës.
“Rreziku tashmë është shfaqur sepse tentimi për ta marrë miratimin e projektligjit për shfuqizimin e Gjykatës Speciale nga ana e Kuvendit ka ndodhur, mirëpo, kjo iniciativë ka dështuar për shkak të kuorumit. Pra, e keqja e ka marrë botën dhe, për vetëm kaq sa ka ndodhur, dëmi është i jashtëzakonshëm, sepse, pas një periudhe 17 vjeçare ka ngjallur huti dhe mosbesim në shtetësinë e Kosovës”, thotë Zogaj për “Bota sot”.

Sipas tij, veprimet e mëtutjeshme janë më pak të rëndësishme, sepse problemi është theksuar dhe dihet se shumica e shqiptarëve të Kosovës janë kundër këtij ndryshimi.

“Për shfuqizimin e Gjykatës Speciale janë të gjithë ata që, me ose pa vetëdije marrin anën e mbrojtjes se krimeve, sepse, Gjykata është formuar për zbardhjen e krimeve dhe të kriminelëve dhe, ata që nuk e duan këtë d.m.th. se janë krah i krimeve”, thotë më tej ai.

Sipas tij, askush nuk duhet të frikësohet nga kjo gjykatë.

“Pse nuk na u dashka të frikësohemi tash nga Gjykata që po kërkon ta vazhdojë ndjekjen e krimineleve dhe dënimin e tyre? Ky është një nder për Kosovën e cila këtë detyrë vet nuk ka mundur ta bëje dhe as nuk mundet ta bëje në rrethanat aktuale. A ka gjë më të bukur se sa një gjykatë ndërkombëtare të hetoje drejtpërsëdrejti krimet dhe të pasqyrojë të vërtetën e Kosovës. Populli i Kosovës është pro Gjykatës, sepse, populli i Kosovës qe 17 vjet është nën presionin e tyre, nën dhunën dhe terrorin e tyre, me vrasje të njerëzve më të mirë, me djegien e vlerave të shenjta si Flamuri i Dardanisë, me plaçkitjet e pronave, reketët e harraqet, nepotizmin dhe korrupsionin e galoponte. Pra, një ndërmjetësim i fuqishëm ligjor është i domosdoshëm”, thotë ai.

Sipas tij, ndryshimi i speciales e izolon Kosovën.

“Bashkësia ndërkombëtare këtë ndërmjetësim e ka menduar Gjykatën Speciale, dhe nëse do të arrihet shfuqizimi, atëherë pasojat janë të qarta: Kosova mbetet e vetme në vazhdimin e udhëtimit! Deri ku mund të ecën, mbetet të shihet”, shtoi Zogaj.

Mehmeti: Pushteti po përdoret për mburojë nga ndjekjet
Nga ana tjetër, analisti Faton Mehmeti thotë për “Bota sot” se ngjarjet e së premtes fytyrën e vërtetë të Thaçit dhe Veselit.

“Morali i kësaj qeverie ka rënë qysh në ditët e saja të para, ndërsa ngjarjet e fundi me ligjin për Gjykatën Speciale e kanë nxjerr fytyrën e saj të vërtetë. Si kryeministri Haradinaj ashtu edhe Thaçi dhe Veseli nuk kane integritet për të qeverisë, në fakt pushtetin e përdorin si mburoje nga ndjekjet”, thotë Mehmeti për “Bota sot”.

Sipas tij, tani që Gjykata Speciale pritet t’i fillojë arrestimet, po përpiqen që të shfuqizohet me ligj.

“Mirëpo, tani që Gjykata Speciale pritet t’i arrestoj duke mos përfillura imunitetin e tyre, po përpiqen që të shfuqizojnë ligjin. Derisa Thaçi dikur insistonte, tani po e inicion, këtu shfaqet fytyra hipokrite e tij. Thaçi dhe Veseli pritet të arrestohen, pastaj Daut Haradinaj, Rexhep Selimi, Elmi Reqica, Xhavit Haliti, Rasim Selmanaj etj. Kosovën e pret pranvere e zjarrtë, rrezikohet te digjet nga Hashimi me shokët e tij”, shtoi Mehmeti.