Politikat neokejnsiane në Kosovë

0
203

Shteti i Kosovës ndoqi një politikë liberale në marrëdhëniet ekonomike me jashtë pa kurrfarë masa mbrojtëse për prodhuesit vendorë dhe pa asnjë mbështetje për zhvillimin e tyre. Duke pasur parasysh nivelin tejet të ulët të zhvillimit të prodhuesve vendorë, ekonomia vendore nuk ishte në gjendje të konkurrojë me biznesin e huaj dhe kjo çoi te një deficit tejet të madh tregtar dhe rrjedhimisht pamundësinë për akumulimin e kapitalit me pasoja tepër të mëdha për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Pra, politikat ekonomike të Kosovës ishin neoliberale, që, në fakt, nuk treguan suksese në zhvillimin e Kosovës, ku shteti hoqi dorë nga ekonomia. Politikat neokejnsianiste nuk ishin të pranishme në politikëbërjen e Kosovës.

Sot çdo ekonomi, pak a shumë, është e hapur dhe kjo varet nga shkalla e saj e zhvillimit ekonomik, madhësia e atij vendi dhe tradita. Ekonomitë e vogla, patjetër, duhet të jenë të hapura. Kur analizohet gjendja e ekonomisë së hapur, duhet marrë komponentët e eksportit (E) dhe importit (I). Pra, duke i marrë në konsideratë këto dy variabla, kemi edhe funksionin e të ardhurës si më poshtë:

Y= C+I+G+E+Im

Mirëpo, kur është fjala për Kosovën, mund të themi se raporti ndërmjet importit dhe eksportit është i disfavorshëm dhe shumë dis-harmonik dhe i pafavorshëm, aq sa nuk duket asnjë dritë e bardhë se ky raport do të ndryshojë për një kohë përderisa ndiqen politika të njëjta ekonomike, siç janë ndjekur qe gjashtëmbëdhjetë vjet me radhë. Andaj, përvojat e këtyre gjashtëmbëdhjetë viteve të modelit të të bërit ekonomi dhe të qeverisjes në Kosovë nuk kanë dhënë asnjë sinjal të harmonizimit dhe zhvillimit të kapaciteteve zhvillimore, shkaku i ndjekjes së politikave joadekuate dhe pa plan, e të bëra në mënyrën ad hoc. Prandaj, asnjë qeveri e deritanishme në Kosovë nuk ka arritur as për së afërmi t’i realizojë objektivat e parashtruara për arsye edhe të mandateve të kufizuara kohore, por edhe të mundësive të limituara të përkushtimit, profesionalizmit, e ndonjëherë edhe guximit dhe gatishmërisë për t’u përballur me problemet.

Andaj, pason edhe pyetja: A janë ndjekur politikat ekonomike të përshtatshme në Kosovën e pasluftës?

Dhe, duke pasur parasysh historikun e zhvillimit ekonomik të Kosovës nga periudha komuniste e më pas, jemi të vetëdijshëm edhe për nivelin e zhvillimit ekonomik dhe periudhën e tranzicionit të stërzgjatur dhe të mundimshëm që po kalon sot ekonomia e Kosovës. Mirëpo, a ka pasur mundësi që kjo gjendje aktuale e zhvillimit ekonomik të jetë më ndryshe, pa dyshim, po. Ajo që na bën të mendojmë lidhur më aplikimin e politikave ekonomike është guximi, vullneti dhe gatishmëria për t’u përballur me problemin, gjë që ka munguar nga politikëbërësit dhe njohësit e ekonomisë.

Që në fillim të periudhës së pasluftës së vitit 1999, qeverisjen dhe administrimin e mori UNMIK-u. Stafi i tij, i vendosur në Kosovë, ka ardhur nga anë të ndryshme të botës dhe si i tillë shumë pak është preokupuar me gjendjen ekonomike dhe marrjen seriozisht me problemet ekonomike zhvillimore. Dhe, si i tillë, ky staf apo kjo administratë nuk tregoi ndonjë interesim në këtë drejtim dhe themeloi një agjenci të ashtuquajtur të mirëbesimit, e cila kurrë nuk diti çfarë të bëjë me pronat publike, sepse, lëre që nuk mundi t’i menaxhojë dhe t’i ruajë, të paktën, vlerën e atyre që ishin, por edhe i humbi e asgjësoi një pjesë të tyre, duke u bërë vatër e korrupsionit dhe keq menaxhimit. Prandaj, këtu edhe mendoj se është ajo pika nga e cila gjërat e kanë marrë të keqen dhe sot jemi këtu ku jemi… Pra, kur flitet për aplikimin e politikave ekonomike të mirëfillta, së pari, duhet të kemi ekspertë të vullnetshëm, të guximshëm dhe të përgjegjshëm. Sepse, guximi dhe gatishmëria bëjnë që të mos hiqet dorë nga përgjegjësia e marrë.

Andaj, kur flitet për aplikimin e politikës ekonomike neokejnsiane, duhet guxim dhe të mos lihet ekonomia e vendit në dorë të fatit, e sidomos kur kemi një shoqëri të dalë pas një periudhe okupuese dhe socialiste.

Sot thuajse çdo ditë bëhen anketa dhe sondazhe me qytetarë për probleme të adresuara nga ana e ekspertëve, nga të cilat dalin shumë shqetësime dhe për të cilat duhet të shërbejnë si një sinjal i qartë për klasën politike që synojnë qeverisjen e vendit në mënyrë serioze, e jo që të shfrytëzohen për promovime gjatë fushatave dhe të lihen në harresë pas ardhjes në qeveri.

Problemet e adresuara nga ana e qytetarëve dhe ekspertëve kërkojnë një menaxhim të mirë dhe vënie si prioritet për qeverinë, e cila duhet të fillojë të hartojë dhe menaxhojë, së pari, me resurset njerëzore e materiale në dispozicion, duke i harmonizuar me buxhetin shtetëror, në mënyrë që t’i jepej një kah i dëshiruar zhvillimit shoqëror dhe ekonomik në bazë të prioriteteve të qëndrueshme zhvillimore. E pastaj të mbrohen prodhuesit e pakte vendore, me masa proteksioniste.

Vetëm tani ministria e tregtis ka filluar të marr masa ndaj të tjeërve dhe kështu të nxise rritjen e prodhimit vendore. Duhet e gjithë qeverisa ta përkrahe ministrin Endrit Shala dhe taksa prej 10 %  të  jete deri në kohen kur Serbia i zbaton të gjitha marreveshjet e arritura. Kosova duhet edhe më shumë të zbatoje politika mbrojtese ndaj ekonomisë vendore , se vetëm kështu ngjallet ekonomia dhe rinia shpreson më shumë në institucionet e vendit. Vetem ministra të guximshem dhe me vizion marrin këto vendime, por duhet të mos zbrapsemi në asnje rrethan. Eshte vendi ynë dhe e kemi borxh ta zhvillojme.