PARADOKSI NË KUVEND: DEPUTETËT PËRBALLEN ME ATË QË NUK KA NDODHUR ASNJËHERË

0
244

Qeveria e Kosovës ka bërë diçka paradoksale: ka proceduar një Projektligj për miratim por bashkë me projektligjin ia ka bashkangjitur një dokument që ka gjetur se ai projektligj i humbë territor vendit.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, për herë të parë në pesë legjislatura do të përballen me një situatë krejtësisht të re: do të kenë përpara një Projektligj për ta miratuar dhe një dokument shtesë që thotë se ai Projektligj nuk bën të miratohet.

Krejt kjo pasi Qeveria e Kosovës vendosi sot që të procedojë në Kuvendin e Kosovës marrëveshjen për demarkimin e kufirit me Malin e Zi, të nënshkruar në vitin 2015 nga qeveria e kaluar me kryeministër Isa Mustafën dhe zëvendëskryeministër Hashim Thaçin.

Por, marrëveshjes së proceduar në Kuvendin e Kosovës edhe dy herë më parë gjatë legjislaturës së kaluar, qeveria me kryeministër Ramush Haradinaj ia ka shtuar edhe një dokument shtesë; një raport që thotë se marrëveshja paraprake për kufirin mes Kosovës dhe Malit të Zi është e gabueshme.

Komisioni për Shënimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit, me përbërje të re pas ardhjes së Ramush Haradinajt në krye të Qeverisë, ka ardhur në përfundim se marrëveshja e komisionit të kaluar i ka humbur Kosovës mijëra hektarë tokë.

Pra, Qeveria vendosi sot ta dërgonte në Kuvend dy dokumente, të cilat bien në mosmarrëveshje me njëra-tjetrën për shënjimin e kufirit më Malin e Zi.

Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) që monitoron punën e Kuvendit të Kosovës, thotë se vendimi i qeverisë për procedimin e Projektligjit të njëjtë për demarkacionin duke ia shtuar asaj edhe një raport shtesë, shpërfaqë një praktikë të pa përdorur ndonjëherë në jetën parlamentare në Kosovë.

“Raporti që është një element shtesë, nuk janë dorëzu disa të tilla [më parë v.j]. Është dërgu veç projektligji”, thotë Albert Krasniqi nga KDI, teksa thekson se kjo është një mënyrë për bartjen e përgjegjësisë nga qeveria, tek Kuvendi.

“Kryeministri Haradinaj pretendon ta gjuajë topin në Kuvend”, deklaroi Krasniqi, për Insajderin.

Sipas Krasniqit, Qeveria e Kosovës ka krijuar një situatë kontradiktore me Projektligjin për Demarkacionin. Anëtari i KDI-së thotë se Qeveria po dërgon për miratim në Kuvend, një marrëveshje për të cilën thotë se është e gabueshme.

“Këta kanë miratu dy raporte kontradiktore: njëri raport është i cili thotë që ky version i demarkacionit është gabim dhe një marrëveshje te cilën qeveria e ka ratifiku dhe po e dërgon në kuvend për miratim e cila e thotë të kundërtën e asaj që është në raport”, thotë Krasniqi.

Edhe analisti politik, Artan Murati shpjegon se raporti i Komisionit Shtetëror të udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi, është dërguar në Kuvendin e Kosovës si dokument këshillues, por jo detyrues. Murati thekson po ashtu se një praktikë e tillë nuk është hasur ndonjëherë në vend.

“Raporti i Komisionit Shtetëror për demarkimin e kufirit me Malin e Zi nuk ka karakter obligues për deputetët. Ky raport ka vetëm karakter këshillues apo rekomandues, por jo edhe detyrues për deputetët”, deklaroi Murati, për Insajderin. “Me gjasë ky Raport po u dërgohet deputetëve për t’ua vizualizuar qëndrimin tanimë të njohur të z.Haradinaj, se marrëveshja aktuale e demarkacionit është gabim.”

Insajderi ka pyetur edhe Zyrën e Kryeministrit të Kosovës për këtë situatë kontradiktore. Arbër Vllahiu, këshilltar politik i kryeministrit Ramush Haradinaj, ka thënë se votimi i Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi është në dorë të deputetëve.

“[Dokumenti shtesë v.j] dërgohet në Kuvend në cilësinë e raportit të komisionit të ri shtetëror, me gjetjet e tij te reja. Për ndikimin e tij mund të pyesni deputetët e Kuvendit te Kosovës, të cilit institucion i është dërguar edhe projektligji dhe raporti”, deklaroi Vllahiu për Insajderin.

Vllahiu nuk ka komentuar ndikimin që mund të ketë raporti i Komisionit Shtetëror bashkangjitur në Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për kufirin shtetëror ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

“Kuvendi i Kosovës është institucion i pavarur dhe vendos vet për punën e tij”, tha këshilltari i kryeministrit Haradinaj.

Ndërkaq, partitë opozitare kanë paralajmëruar kundërshtimin me votë të marrëveshjes për ratifikimin e Projektligjit për Demarkacion.

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se ajo që ka ndodhur në ekzekutiv është diçka jo e rëndomtë. Ndërkaq, Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se partia e saj do ta kundërshtojë marrëveshjen aktuale për shënjimin e kufirit me Malin e Zi. /Insajderi.com