Pamje përrallore nga vendi më i shtrenjtë në botë, vendi ku qëndroi kryeministri i “varfër”, Ramush Haradinaj!

0
412

NGA PETRIT RUDI
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, javë më parë ishte ankuar se rroga prej 1440 që merrte si kryeministër ishte e pamjaftueshme për të.

Ai menjëherë kishte marr masat që vetes t’ia rrisë pagën. Haradinaj, nga 1440 euro, rriti pagën në 2950 euro.

Haradinaj, në mbledhjen e qeverisë të mbajtur me 20 dhjetor, kishte vendosur  që të rrisë pagat për disa pozita në Qeverinë e Kosovës, përfshirë edhe pagën e tij. Në këtë rritje përveç kryeministrit kishin përfituar edhe kabineti i tij, zëvendëskryeministrat, ministrat, zëvendësministrat dhe stafin e tyre.

Haradinaj rritjen e pagës e kishte arsyetuar me atë se pozita e kryeministrit është pozitë e lartë politike e institucionale me përgjegjësi të mëdha, prandaj edhe paga nevojitet të jetë më e madhe. Ai madje ishte ankuar edhe për “mungesën” e kravatave për të.

“Nuk du me u krahasu me askënd. Por nuk ka vend që bohet më shumë punë se sa kryetari i Qeverisë, sesa në ekzekutiv. Nuk mundet ai që bën ekzekutiv që bën kaq shumë punë me pasë rrogën ma të vogël se sa për shembull një tjetër. Në njëfarë mënyrë kemi respektu hierarkinë e pagave, si të parlamentit, si të presidencës si më tutje. 1300 euro për mua, po mos t’i kisha të hyrat tjera që i kam, ta zëmë qiranë…unë obligohna një kravatë, unë s’muj tash gjithqysh me dalë, obligohna një këmishë. Duhna me qenë në nivel të përgjegjësisë”, kishte Haradinaj në një interviste për televizionin publik të Kosovës.

Ndërsa qytetarët  i kishin ndalë në ndihmë kryeministrit. Atij i ishin siguruar afër 300 kravata në një aksion humanitar.  Afër 300 kravata ishin vendosur në rrethojën e Qeverisë së Kosovës nga një grup i qytetarëve dhe organizatorëve të «Beyond the Walls», si dhuratë për kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, në mënyrë që ai të ulë pagën e tij të cilën ditë më parë e ka rritur 100 për qind, e që tani e merr 2950 euro.

Por, duhet të kujtojmë se vetëm për çdo muaj, Ramush Haradinaj nga shtëpia e tij, që kap vlerën e 300 mijë eurosh në Prishtinë, merr qira mbi 6 mijë euro.

Në bazë të deklarimit të pasurisë në Agjencionin Kundër Korrupsionit në Kosovë, Haradinaj merr 6 mijë e 679 euro në muaj nga qiraja e kësaj shtëpie që gjendet në lagjen Dragodan në Prishtinë.

Po, ashtu në deklarimin e pasurisë së tij, kryeministrit ka bërë të ditur që merr edhe një pension invalidor prej 2 mijë 700 euro.

Edhe pse me gjithë këto të ardhura, Haradinaj ishte ankuar madje se po ha edhe bukë të ftohtë.

“Unë ha bukë në kerr, ha bukë në këmbë, ha ushqim të ftohtë, rrallë ha ushqim të nxehtë. Ky është privilegji i të qenit kryeministër”, kishte thënë Haradinaj.

Ndërsa, pak ditë para Vitit të Ri, Ramush Haradinaj, së bashku me gjithë familjen e tij, kishte vendosur që pushimet t’i kalojë në Zvicër.

Por, ai në shtetin zviceran, kishte zgjedhur vendin me të shtrenjtë në botë që t’i kalojë pushimet.

Ai kishte vendosur të qëndrojë në hotelin “Carlton” në Sant Moritz të Zvicrës, shkruan “Bota sot”.

Ky hotel dhe qendra e skijimit në Sant Moritz është më e shtrenjta në botë.

Hoteli “Carlton” i ndërtuar në stilin rus në alpet zvicerane përballë një liqeni, është në mesin e pesë hoteleve më të mira dhe më të shtrenjta në këtë qendër.

Insjaderi gjatë ditës së djeshme raportoi se suita “Czar” prej 160 metrash katror, në kohën e ndërrimit të viteve ka arritur çmimin mbi 5 mijë franga për një natë. Një darkë natën e vitit të ri në këtë holet ka kushtuar një mijë e 50 franga. Nuk dihet saktësisht se sa ka paguar Haradinaj, por bazuar në çmimet publike të hotelit, del se pushimet e kryeministrit mund të kenë kushtuar mbi 80 mijë franga.

Ndërsa, nga zyra e kryeministrit kishin thënë se nuk kanë përgjigje, pasi sipas tyre pushimet nuk kanë pasur karakter shtetëror.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës nuk ka qenë me agjende shtetërore, por private dhe familjare. Institucioni nuk bartë asnjë kosto materiale”, kishin deklaruar në përgjigjen e shkurtër të Zyrës për komunikim publik të kryeministrit.

Ndërsa, sot Haradinaj ka arsyetuar pushimin e tij. Ai ka thënë që i gjithë pushimi i ka kushtuar vetëm 7 mijë euro, por duke mos ofruar asnjë dëshmi që këto pushime i kanë kushtuar aq sa ka thënë.

Ai, sot gjatë një vizite në Gjakovë, tha se pushimin dimëror në Zvicër e ka paguar me para të veta dhe i kanë kushtuar vetëm 7 mijë euro.

“Pushimi, t’iu them të drejtën unë pare kam për pushim edhe për nja dy a tri, veç kohë s’po kam. Unë kam qenë veç tri net në pushim, shtatë mijë euro më ka kushtuar, prej parave të mija është paguar, por nuk po dua me hy në debat me këto mediat”, deklaroi Haradinaj.

Lidhur me këto pushime, në mënyrë indirekte, Haradinaj ishte “thumbuar” edhe nga partneri i tij në koalicion, kryeparlamentari Kadri Veseli.

“Nuk ka pushime dimërore më të mira se në malet dhe bjeshkët e Kosovës”, kishte shkruar Veseli në faqen e tij në facebook bashkangjitur me një foto të postuar nga bjeshkët e Kosovës.

Ndërkohë, “Bota sot”, u sjell pamje të reja të hotelit  “Carlton” në Sant Moritz të Zvicrës, të cilat me të vërtetë janë pamje përrallore. Duke pas parasysh që paga mesatare në Kosovë është vetëm 346 euro, atëherë ky vend mbetët vetëm një “ëndërr”, për shumicën e qytetarëve të Kosovës, të cilët madje nuk posedojnë as viza, duke qenë vendi i vetëm në Ballkan që vazhdojnë të jenë të izoluar në pamundësi për të lëvizur lirshëm në zonën “Schengen”./shkruan BotaSot