Pa dritë në sy, por me vullnet të madh për jetën

0
225

Në korridorin e gjatë të Shkollës së vetme në Kosovë për të Verbrit dhe personat me të parë të dëmtuar, bie lehtë në sy 16-vjeçari Herolind Gashi nga fshati Osek Hylë të Gjakovës.

Ecja e tij me plot vetëbesim dhe me kokë lart mesit të korridorit nuk të jep përshtypjen se është njëri prej nxënësve të qendrës burimore për mësim dhe këshillim “Xheladin Deda” në Pejë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Mbajtëset anësore të vendosura nëpër mure, që ndihmojnë nxënësit e verbër të lëvizin dhe orientohen më lehtë në hapësirat e këtij objekti shkollor, sa për Herolindin mund të hiqen fare, pasi ai ato nuk i përdor. Madje edhe shkallëve kur ecën shpesh i kalon nga dy e tri përnjëherë.

Shpesh kur e bën këtë dëgjohen edhe zërat e mësuesve për kujdes më të madh, se mund rrëzohet dhe lëndohet. Herolindi çdo herë vë buzën në gaz nga vetësiguria dhe vazhdon të ngjitet lart në klasën e tij pa u prekur për mbajtëset në mur, sikur t’i shihte të gjitha.

Korridoret dhe shkallët e një shkolle janë të njohura për të si duken edhe pse këto të kësaj shkolle ku është tash nxënës qe tre vjet nuk i ka parë kurrë. Mbase ai ende ecën me instinktin e një njeriu që sheh, ngase ai nuk ka qenë gjithmonë i verbër.

Herolindi është bërë nxënës i kësaj shkolle nga tetori i vitit 2014, kur ka regjistruar klasën e nëntë. Tetë klasat e tjera i ka kryer në shkollën fillore “Isa Boletini” në Gjakovë, para se një aksident me armë t’ia marrë të parit në moshën 12 vjeç…