Nura: Do të japim subvencione për bizneset nga diaspora

0
303

Zëvendësministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Faruk Nura, shumë shpejt do të marrë pjesë në një takim me bashkatdhetarët në Zvicër.

Në këtë takim Nura pritet që t’i njoftojë me planet e Ministrisë dhe t’u bëjë ftesë për të investuar në Kosovë.

Nura në një intervistë për Kosovapress, tha se marrëveshja e mirëkuptimit e arritur ditë më parë mes ministrit të Diasporës dhe Investimeve strategjike, Dardan Gashi me Ministrinë  e Punëve të Brendshme do të hyjë  në funksion prej vitit të ri, dhe bashkatdhetarët do të kenë mundësi të hyjnë në Kosovë pa pasur nevojë të presin në pikat kufitare.

 Nura :Shumë shpejt do të takohem me mërgatën në Zvicër

“Unë këto ditë do të jem në Zvicër do të kem vizita në Bernë, Cyrih dhe Gjenevë. Siç e dini atje është një mërgatë shumë e madhe. Dhe unë si zëvendësministër natyrisht me autorizimin e ministrit njëherit zëvendëskryeministrit Dardan Gashit , do të kem takime të veçanta me grupet e biznesit të diasporës. Ku do mundohem edhe personalisht t’iu  sqaroj se Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike , ka një plan shumë konkret që ata të investojnë në vendlindjen e vet dhe për herë të parë Qeveria e Kosovës të ju garanton siguri në investimet e tyre në vendlindje e vet “, tha Nura.

Ai po ashtu ka treguar se ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike bashkë me kryeministrin Ramush Haradinaj shumë shpejt do të bëjnë publike krijimin e një fondi, i cili ka për qëllim ndarjen e subvencioneve për ato biznese që do të investojnë në Kosovë.

Nura: Do të japim subvencione për bizneset nga diaspora

“Natyrisht ne kemi në plan që Ministria e Investimeve dhe Diasporës shumë shpejt bashkërisht me kryeministrin do të dalim edhe me një fond subvencionimi. Që ata mërgimtarë tonë që do të investojnë në Kosovë dhe do të hapin vende të reja të punës, Ministria jonë përpos që do t’iu  ofron mbështetje në infrastrukturën ligjore do të bënë edhe për herë të parë edhe subvencionimin e bizneseve të cilat investojnë në Kosovës”, tha Nura.

Ai po ashtu ka shtuar se do të bëjnë të pamundurën vetëm e vetëm që mërgatës t’iu mundësohet lirimi i taksës që aktualisht e paguajnë në kufij.

Nura: Qeveria po angazhohet për t’i hequr taksat kufitare për  bashkatdhetarë

“Natyrisht edhe ministri Gashi ka pasur edhe takim edhe marrëveshje me ministrin e Punëve të Brendshme vetëm se kanë fillua lehtësimet e para për mërgimtarë . Unë jam i bindur se ne po punojmë në këtë drejtim që për festat e fundvitit Qeveria jonë të jetë e angazhuar që mërgimtarët të lirohen edhe nga taksa e sigurimit që aktualisht është në fuqi. Njashtu ne do të ofrojmë edhe një plan të informimit edhe për diasporën tonë sepse në sektorë e ndryshme në Kosovë mundë të investojnë dhe ata për herë të parë të krijojnë besimin dhe vetëdijen se në vendin e vet edhe mund të investojnë dhe të fitojnë. Jo vetëm të dërgojnë ndihma për familjarët e vet në Kosovës. Ky ka me qenë fokusi im kryesor si zëvendësministër këto ditë që do ti kem vizitat në diasporë.”, tha Nura.

Ai ka shtuar se Qeveria ka interes shumë më të madh që investimet e para të vijnë nga diaspora.

Nura: Interesi i jonë që të kemi sa më shumë investime nga diaspora

“Sepse është interes i gjithë neve dhe veçanërisht i institucioneve tona. Që ne ti kemi investitorët e parë  shqiptarë nga diaspora konkretisht nga Zvicra, pasi që aty edhe unë edhe shumë të tjerë familjarë të Kosovës të jemi real të gjithë jemi të lidhur sepse kemi nga një familjarë të paktën nga Zvicra dhe Gjermania.”, tha Nura.

Sipas tij,  kjo Qeveri do të jetë më ndryshe,  pasi sipas tij  që për të gjitha lëmitë që ata kanë interes të investojnë në Kosovë  do t’u ofrohet mbështetje dhe bashkëpunim.