Një ditë e një pacienti në Mitrovicë

0
381

Shkruan: Blerina Ademi Sahiti

Mjeku është profesion i shpirtit!

Është biznes shumë fisnik dhe i përgjegjshëm, pasi shëndeti e ndonjëherë edhe vet jeta e njeriut varet nga ky biznes.Sjellja e mjekut, qoftë edhe jashtë kohës së ushtrimit të profesionit, duhet të jetë shembullore në përputhje me dinjitetin që kërkon ky profesion.

Detyra themelore e një mjeku është mbrojtja e jetës dhe e shëndetit fizik e psiqik të njeriut dhe lehtësimi i vuajtjeve të tij. Në misionin e tij human për mbrojtjen e shëndetit, dhe mjjekimin e sëmundjeve, mjeku para së gjithash duhet të bazohet në ndërgjegjen e tij.

Nëse të vjen pacienti, dhe sillesh me të si të ishe një shitëse butiki, me plot nerva sikur të t’i kishte rrëzuar krejt veshjet në butik në tokë, më mirë hiç mos e vesh mantilin e bardhë, sepse të jesh i bindur i dashur mjek/e asnjë pacient nuk vjen te ti për pikë të qejfit me fëmijë në krahë në pikë të zhegut, dhe asnjë i moshuar me kroç nuk të troket në derë t’ia kontrollosh pulsin e zemrës se i duket se ka shtrëngim në zemër…vinë tek ti sepse pas Zotit , jetën e tyre ta besojnë ty dhe ti nuk e ke atë të drejtë ta lësh të pret pse ty të ftohet kafja turke e të bajatohen biskotat që i ke hap me i hangër me kafe.Ku e merr këtë të drejtë ti mantilbardhë të mos i shpjegosh një nane për gjendjen e fëmijës së vet, por vetëm ia përshkruan një recetë edhe ditën e mirë.

A të shkon mendja se ajo nanë mund të mos ketë shkollë të kryer aq sa ke ti dhe nuk i kupton madje termet që ti i përdor si përcaktim të diagnozës për fëmijën e saj ?!

Jo , nuk të ka shkuar sepse këtë mantil të bardhë ti e vesh vetëm sa për ta marr një rrogë dhe nuk e bën me dëshirë këtë punë, se po ta bëje me dëshirë do ta bëje me ndërgjegje e po të kishe pak ndërgjegje , jam e bindur se jetën e pacientit në atë rast do ta vendosje para jetës tënde.Përpara se të vendosësh të bëhesh mjek , mendoje mirë , nëse je i duhuri për ta veshur mantilin e bardhë…Mantili bardhë do shumë përgjegjësi, duhet të jesh shumë human për ta zgjedhë këtë profesion se ky është thuajse më i ndjeshmi profesion i mundshëm.

Do të kesh punë me secilën klasë shoqërorë sa të jesh në detyrë, dhe mjek i dashur nuk je vetëm ti i lodhur e me derte, se me derte mund të jetë edhe pacienti që ti e kontrollon e ndoshta edhe nuk e mirëpret.

Gjithçka është e mundur !Pastaj, të flasësh për kushtet me të cilat ballafaqohen pacientët për ditë janë tmerr.Pse ?Pediatria ta marrim shembull në qytetin e Mitrovicës, aq është e pa mirëmbajtur sa më shumë ke frikë se do të marr ndonjë virus fëmija aty se sa të gjej shërim.

Nuk e di , njerëzit që janë kompetentë e që kanë të drejtë ta shtrijnë autoritetin në këtë aspekt a kanë fëmijë ose a i kontrollojnë ndonjëherë fëmijët në këtë qendër , që tash e sa kohë nuk e kanë marr mundin të bëjnë diçka në këtë drejtim.

Dikur e një kohë nisi të kishte pak rregull dhe as nuk prisje për shërbime, por tash si duket prap është kthyer avazi i vjetër.

Të duhet të presësh për shërbim derisa motra ta vlojë kafen turke se po i prishet kajmaki kafes e mandej s’po i pihet.Pastaj, organet e rendit , policia , dënojnë qytetarë mos vet sa shumë nëpër qytet, por rrallë ama shumë rrallë ndodhë që e sheh një patrollë të sillet rreth shtëpisë së shëndetit.

Besoni ose jo, ndonjëherë duhet bërë lutje inshallah nuk sëmuret asnjë se ambulancës vetëm krahët duhet me ia vendos për me gjet hapësirë me kalu e me u nis.Trokisni ndërgjegjes tuaj aman ju që keni të drejtë të shtrini autoritetin tuaj në këtë drejtim.

Vjen njeriu e sjell një të moshuar e bile shpreson ta afrojë deri afër se për shkak të moshës ajo nuk mundet të bëjë aq shumë ecje aty, por ç’e do kur edhe në këmbë mezi arrin të kalojë prej aq shumë veturave.

Secili spital ka rregull, është e qartë se ajo është shtëpi e shëndetit dhe aty mirren vetëm shërbimet ditore me kapacitete të kufizuara, ama nuk është edhe aq e vështirë të vendoset pak rregull, një rampë – një sigurim dhe është e lehtë sepse është hapësirë e dedikuar për pacientë, dhe jo për njerëz që dalin në shetitore me orë të tëra.

Sidoqoftë, qytetari adreson shqetësimet e tij, sepse është e drejtë e tij, por mbetet të shohim nëse do të hasë në «vesh» të personave të duhur ky shqetësim që jam e bindur është i një mase shumë më të madhe se sa që mendohet.