Ngatërresa e qëllimshme e dy UÇK-ve

0
437

Dihet botërisht se Shqipëria ka qenë ndër shtetet më diktatoriale dhe më të varfëra të botës. Por, megjithatë, ka qenë superfuqi propagandistike, lehaqene, siç thuhet në zhargonin mediatik. «Komandantët», pa ushtarë dhe pa beteja, të LPK-së, kopjuan nga komunistët shqiptarë të Hoxhës, ekzekutimet e kundërshtarëve politikë, të shoqëruar me propagandën lehaqene, se, kinse, po luftojnë pushtuesin. Ata kishin proklamuar themelimin e një «UÇK-je», me datime e vende të ndryshme, herë dekada, e herë vite më parë. Por, kurrë nuk e organizuan në formacione ushtarake, ashtu si e pranojnë edhe vetë themeluesit e asaj «UÇK-je», e cila mbeti fiktive, imaxhinare!

Gjithashtu, themeluesit pranojnë se nuk arritën «UÇK-në» e tyre ta aktivizojnë në luftime, nga sabotimi që i bënë luftës, kryesia puçiste e LPK-së: Hashim Thaçi, Xhavit Haliti, Azem Syla, Kadri Veseli, me hafijet e tjerë të Serbisë. Ata, pra, themeluesit e kësaj «UÇK-je», i quajnë të sipërpërmendurit «banditër, profiterë, spiunë të shteteve armike të Kosovës».

Rrjedhimisht, kjo është «UÇK-ja» e SHIK-ut, e cila nuk ka hyrë në luftë kundër pushtuesit, por, me skuadrat, grupet e saj, ka ekzekutuar kundërshtarët politikë si dhe të pabindurit apo rivalët e saj, brenda llojit, pra, anëtarë të LPK-së. Dhe, si e tillë kjo «UÇK-e», është kriminale dhe assesi nuk mund të identifikohet me UÇK-në e FARK-ut, e cila ka hyrë në luftë me formacione të organizuara ushtarake dhe me hierarki të komandimit. Kjo UÇK-e, i ka të njohura betejat dhe luftën e bërë, me datime dhe vend-beteja. Ndërkohë, që «UÇK-së» të SHIK-ut i mungojnë.

Ky është dallimi, prerja e madhe ndarëse, në mes të dy UÇK-ve, të cilat vetëm emërtesën dhe uniformën e kanë pasur të njëjtë dhe asgjë tjetër. Këtë të vërtetë, madje, sipërore, duhet ta mësojnë shqiptarët dhe opinioni botëror. Lufta e UÇK-së, nuk ka asgjë të përbashkët me vrasësit, për pushtet, të kundërshtarëve politikë. Individët dhe grupet kriminale, përfshi këtu Organizatën e tyre terroriste SHIK, nuk përfaqësojnë as Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe as popullin e Kosovës.

Mbrojtja e krimit dhe e kriminelëve, është fyerje e rëndë, për dëshmorët e rënë në altarin e lirisë, qofshin ata të vrarë nga pushtuesit, apo veglat e tyre shqipfolës, gjatë apo pas luftës. Paradoksalisht, kryekriminelët vrasës, haraçxhinj, uzurpatorë të pasurive të brezave shqiptarë, hajna zyrtarë, janë në kupolë të shtetit dhe të pushtetit, kanë mediet, sistemin e drejtësisë dhe gjithçka nën kontroll. Por, ka ardhur koha që populli t`i shporrë nga pushteti këta monstra neveritës.

Lëvizja Vetëvendosje, më sakt, disa kasnecë të saj, të mos krijojë mjegullnajë, me shpifje bajate, se, gjoja, LDK-ja «ka qenë dhe është kundër UÇK-së! Vetëvendosje duhet të faktorizohet se lufton kriminin dhe kriminelët. Qëndrimi, «kokën ke baba e bythët ke burri», do ta devalvojë shumë në sytë e shqiptarëve. Majtizmi i Vetëvendosjes nuk është ekstrem, si ai i PAN-it, edhe pse partitë-banda deklarohen të djathta. Vetëvendosje ka anëtarësi të re, që nuk mund të jetë e kompleksuar me dogmën marroqe e dështake komuniste. Ndoca që mund të kenë ngarkesa të tilla, ose reformohen, ose anashkalohen, pa ju dhënë mundësi ndikimi, komandimi. E ardhmja e saj është vetëm bashkërrugëtimi me LDK-në. Përndryshe, joshja pas banditëve të PAN-it, do ta zvetnonte e degradonte shumë. «Kurrizon vetëm varri e drejton!»

LDK-ja e ka bërë paqen dhe luftën. Anëtarësia e saj dhe populli i Kosovës i ka parë dhe dëgjuar betejat dhe luftën e Forcave të Armatosura të Republikës të Kosovës, UÇK-në e FARK-ut, të themeluar nga Presidenti Historik, Dr. Ibrahim Rugova dhe kolonel Ahmet Krasniqi. Prandaj, e donë, e çmon dhe e vlerëson lartë kontributin e saj, për çlirim dhe liri. Por, do të ishte jashtë çdo logjike, që LDK-ja ta dojë apo amnistojë «UÇK-në» e SHIK-ut, kriminelët e saj vrastarë, që kanë përgjakur LDK-në dhe Kosovën, të cilët kurrë nuk e futën në luftë të organizuar dhe të komanduar «UÇK-në» e tyre fiktive, të rrejshme.

Po ilustroj: Hashim Thaçi e ka pranuar se «kam qenë larg luftës». Televizioni Shqiptar, redaksia për Kosovën, e pushtuar dhunshëm nga halabakët e LPK-së, me ndihmën zyrtarëve filosllavë të Tiranës, transmetonte një stërvitje ushtarake në Malet e Martaneshit, të paktën, 200 kilometra larg Kosovës dhe gënjente, duke e zhvendosur, diku, brenda Kosovës! Është e vërtetë se Hashimi me Kadrinë kanë ardhë në Maqedoni, prej nga i ka shoqëruar për në Kosovë, spiuni Fahrudin Gashi (Faruku), me leje të Serbisë, tani, i dënuar më 18 vjet burg, si vrasës, me librezë të SHIK-ut. Qëllimi i tyre ishte inspektimi i burgjeve të improvizuara rurale të «UÇK-së» të SHIK-ut. Këtë e faktojnë kuadrot e SHIK-ut. Me atë rast, Hashim Thaçi, i zhdepi në dru, «deri sa na shkue gjaku në lugë të b…», thotë për vete dhe Cen Deskun, kryetari i LDK-ë të Malishevës, Jakup Kastrati. Edhe me këtë luftë mund të krenohet presedenti ynë!

Kjo kronologji, rrjedhë e ngjarjeve, dëshmon se kush luftoi dhe kush manipuloi opinionin për luftën. Si dhe domosdonë e krijimit të Gjykatës Speciale, për ta shpëtuar shtetin e Kosovës nga zhbërja.