Neuer alarmon Bayernin, dëmtimi i kapitenit i komplikuar

0
193

Manuel Neuer nuk luajti në ndeshjen e fundit ndaj Leverkusenit, pasi vuajti një dëmtim në gishtin e madh të dorës së djathtë.

Në fillim u mendua për një dëmtim të lehtë dhe portieri do të rikthehej pas ndeshjes në Leverkusen. Por, deklarata e Hasan Salihamixhiç para ndeshjes së të shtunës i ka trembur jo pak tifozët bavarezë.

“Dëmtimi i Neuer është shumë i komplikuar. Nuk mund t’u them një datë të saktë për rikthimin e tij. Shpresoj që ai t’i bashkohet skuadrës sa më shpejt”, ishin fjalët e drejtorit sportiv të Bayernit.

Të dielën ai ishte në fushën e stërvitjes së bashku me skuadrën. Por, sipas të pranishmëve, ai ka kryer vetëm vrapime dhe pasime me top.

Ai ndien ende dhimbje në dorë, duke e mbajtur atë të fashuar. E sigurt është që kapiteni do të mungojë edhe në ndeshjen e së mërkurës ndaj Hertës për Kupën e Gjermanisë.

Ndërkaq, shumë tifozë janë tani skeptikë për faktin se portieri nuk do të rikthehet së shpejti me skuadrën.

Stafi mjekësor, trajneri dhe drejtuesit bavarezë, përveç Salihamixhiç, ende nuk kanë dalë me një deklaratë zyrtare.

Ende nuk dihet gjendja reale e tij. A do të humbasë Neuer ndeshjen e Championsit ndaj Liverpoolit? A do të rikthehet ai në ndeshjet e kampionatit?

Shumë pyetje që nuk kanë marrë përgjigje. Sipas “skysport”, dëmtimi i tij është më serioz dhe ai do të mungojë rreth tre muaj me bavarezët nëse dëmtimi në dorë është aq i rëndë sa mendohet. Kjo do të thoshte një humbje të sezonit ashtu si në vitin e kaluar.

Kujtojmë se gjermani u dëmtua në vjeshtën e 2018-ës, duke mos luajtur më asnjë takim deri një javë para se të startonte Kampionati Botëror.

Gjithsesi, një përgjigje e detajuar pritet të jepet në ditët në vazhdim mbi gjendjen e kapitenit të skuadrës më të titulluar në Gjermani.