Në kërkim të talenteve/ FSHF vëzhgon 60 futbollistë shqiptarë në Greqi

0
198

Federata Shqiptare e Futbollit po vijon me seleksionimet për ekipet kombëtare të moshave, duke nisur nga mosha U-15 deri tek U-21.

Kuqezinjtë me në krye drejtorin teknik Dzemal Mustedanagic janë stacionuar në Athinë, ku kanë zhvilluar ditën e parë të seleksionimeve me talentet shqiptare që ndodhen në territorin grek.

Ka qenë vetë FSHF që nëpërmjet një njoftimi në faqen zyrtare ka zbuluar detajet nga seleksionimi në Greqi që do të përfundojë ditën e nesërme.

“Federata Shqiptare e Futbolli po vazhdon seleksionimet për ekipet kombëtare të moshave, me synimin për të parë dhe evidentuar element cilësorë për Kombëtaret U-15, U-17, U-19 dhe U-21. Sot është zhvilluar dita e parë e seleksionimeve në Athinë, fazë e cila do të përfundoj nesër për territorin grek.

Drejtori Teknik Dzemal Mustedanagic i shoqëruar nga trajneri i ekipit Kombëtar U-21, Alban Bushi, Nevil Dede, trajneri i ekipit Kombëtar U-19, Elvin Beqiri, trajneri i ekipit Kombëtar U-17, Armand Dama, trajneri i ekipit kombëtar U-15, dhe Sulejman Mema, Dritan Babamusta e Denis Lilo nga Sektori i ekipeve kombëtare vëzhguan nga afër 60 lojtarë të datëlindjeve 2001-2002. Dita e dytë e seleksionimeve do të vazhdojë nesër me datëlindjet 2003-2004-2005.

Sektori i ekipeve Kombëtare në FSHF do të vazhdojë me fazën seleksionuese të elementëve cilësorë në Itali, në Milano dhe Romë në 17 dhe 18 Dhjetor 2018”, shkruhet në njoftimin e FSHF-së.