“Ndëshkimi i serbëve për krimet në Kosovë, në duart e këtij shteti të fuqishëm”

0
864

Analisti Faik Krasniqi ka thënë se është dashur që të krijohet një Gjykatë Speciale për krimet e kryera serbe në Kosovë.

Mirëpo, krijimin e Gjykatës për krime të supozuara të UÇK-së ndaj serbëve, Krasniqi e ka quajtur paaftësi të politikanëve vendor dhe atyre ndërkombëtar, të cilët sipas tij, e kanë përkëdhelur Serbinë.

“Themelimi i Gjykatës Speciale për krimet e supozuara të luftës të shqiptarëve ndaj serbëve, në vend se të themelohet Gjykata Speciale për serbët që kanë kryer krime ndaj shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë, serbët nga agresori i kanë bërë viktima, kurse shqiptarët nga viktima në rolin e agresorit. Kjo më shumë nga paaftësia e politikanëve tanë dhe ndërkombëtarëve, që i kanë përkëdhelur serbët dhe vazhdojnë ta bëjnë akoma një gjë të tillë”, ka deklaruar Krasniqi në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

Sa i përket iniciativës së kongresmenit amerikan Eliot Engel, ai ka potencuar se është ide e qëlluar dhe se jep shpresë që të vihet drejtësia në vend.

“Iniciativa e kongresistit amerikan, Eliot Engel për të bërë padi ndaj Serbisë, për krimet e serbëve ndaj shqiptarëve, edhe pse pak e vonuar është ide shumë e qëlluar. Sidoqoftë, nivelimi i amerikanëve në këtë nismë jep një fije shpresë që do të vihet drejtësia në vend, edhe pse mund të nivelohen fuqitë e mëdha proserbe, dhe mund të ndodhë që krimet e serbëve ndaj shqiptarëve prapë se prapë nuk do të ndëshkohen. E gjitha varet nga superfuqia më e madhe në botë, SHBA-ja, se a është e interesuar që Serbia të ndëshkohet për krimet dhe gjenocidin e ushtruar ndaj shqiptarëve”, ka përfunduar Krasniqi.