“Mjegulla” sekuestron 90 kg kanabis, arrestohen 5 persona

0
216

Policia e Tiranës ka sekuestruar 90 kg kanabis sativa, dhe ka vënë në pranga pesë persona, në sajë të operacionit të koduar “Mjegulla”.

Të arrestuar janë Klajdi Xhelollari, 29 vjeç, Hysni Elmazi, 31 vjeç, Afrim Shaba, 54 vjeç, Arian Kërtusha, 52 vjeç i dënuar dhe më parë, dhe Pirro Çapi, 52 vjeç gjithashtu i dënuar dhe më parë.

Ata u vunë në pranga në rrugën “Kastriotët”. Operacioni u organizua në orët e mesditës së të premtes, pasi në bazë informacioneve të marra në rruge operative që dispononte Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në policinë e Tiranës ka rezultuar se Klajdi Xhelollari, Hysni Elmazi dhe Afrim Shaba, në bashkëpunim me njeri- tjetrin, kryenin aktivitetin e kundraligjshëm të shitjes së drogës në sasi të konsiderueshme, personave të ndryshëm në zonën e Kamzës, Institut Kamëz, Paskuqan, Babrru, etj.

Ata lëviznin me automjetet BMW me targa AA 314 RV, Peugeot me targa AA 911 GY, Peugeot me targa AA 459 IA, në përdorim nga këta persona.

Sasia e kanabisit ndodhej në bagazhin e mjeteve të tyre dhe në sediljet e pasme të mjeteve, e vendosur në thasë të zinj.

Në vijim të operacionit janë kapur dhe arrestuar edhe Arian Kërtusha dhe Pirro Çami të cilët qarkullonin me një automjet “Mercedez Benz” me targa AA 761 KK, për të cilet kishte dyshime së bashkëpunonin më autorët e dyshuar të arrestuar në flagrancë.

Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale katër automjete dhe 8 telefona celularë.