Mimoza Kusari: Jeta, sfidat dhe rrugëtimi në politikë

0
429
 

Mimoza Kusari, njëra nga gratë më të fuqishme në skenën politike të Kosovës, në një intervistë të zhvilluar për gazetën “Bota sot”, është shprehur rreth të kaluarës së saj në politikë, momentet që kanë ndryshuar orientimin e saj të jetës, marrëdhëniet dhe shkëputjen nga AKR-ja, vitet në krye të Komunës së Gjakovës si kryetarja e parë dhe e vetme femër e një komune në Kosovë dhe së fundmi krjimin e partisë më të re, Alternativës.

Ajo si njëra ndër gratë e pakta, e cila kishte gjetur angazhim qysh në Qeverinë e parë pas luftës na tregon për kohën e luftës dhe për ato të cilat i ka përjetuar gjatë asaj kohe, sidomos momentet kur e fitoi bursën për studime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Mentori im në temën e diplomes ishte Muhamet Mustafa, dhe ai më kishte këshilluar të aplikojë për një bursë e cila ishte nga State Departmenti, që fokusohej në student të sapo diplomuar të ballkanit për bursë për studime master në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo ka rastësisë të jetë bash gjatë kohës së bombardimeve në Kosovë 1999. Kjo edhe u pasua me një intervistë në Ambasaden Amerikane në Shkup”, shprehet Kusari.

Fillimi i Karrierës 

Intervista e saj në Maqedoni u përcoll me shumë të papritura për shkak të rrethanave nëpër të cilat po kalonte shteti i Kosovës.

“Intervista ka qenë në Mars të vitit 1999, unë kam qenë në Gjakovë duke punuar për misionin verifikues të OSBE-së. Unë kam insistuar që të shkojë në Shkup që ta kryej intervistën pavarësisht rrethanave të luftës, të sulmeve të NATO-s, ishte pikërisht në kohën kur trupave serbe i’u kishte dhënë ultimatum për tërhekjen nga Kosova. Prindërit e mi ishin kundër që unë të shkoja atje pasi ka qenë shumë e rrezikshme, nga të gjitha anët”, thotë Mimoza Kusari.

Por, fati në fatkeqësi ishte jo thjeshtë një shprehje në jetën e Mimoza Kusarit pasi që ajo e ka nxënë trenin e fundit të rastit që i ishte dhënë për të studiuar në Amerikë.

“Më ka rastisë fati që të shkojë me autobusin e fundit që e ka lëshu Gjakovën për Prizren. Kurse prej Prizrenit në rrugën ka Brezovica dhe në mbrëmjë kam mbërritur në Prishtinë. Aty kam qendruar tek daja im i cili jetonte në Prishtinë. Të nesërmen kam udhëtuar për Shkup, dhe po at ditë kam dashur të kthehem për Kosovë.  Por në stacionin e autobusëve në Shkup, më kanë thënë se janë ndalur linjat për Kosovë për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë”, thotë Kusari-Lila.

Jetesa disa ditore në Maqedoni kishte qenë një eksperiencë interesante për të pasi që gjatë qendrimit në banesë tek një i afërm, kishte njohur njerëz të ndryshëm, të cilët kishin ardhur si refugjatë aty. Sipas saj, në banesën ku po qendronte ishin edhe 23 persona të tjerë.

Ajo e kujton kohën edhe kur ato ditë kishte humbur kontaktet për disa ditë me familjen e saj në Gjakovë.

“Gjatë kohës sa po qendroja në Maqedoni, unë humba kontaktet me familjen time në Gjakovë, pasi rrethanat i pamundësuan kontaktet. Të them të drejtën ishte një prej momenteve më të rënda në jetën time pasi që nuk po e dija se çka po ndodhte në Kosovë”, shprehet Kusari. Ajo e kujton muajin maj të vitit 1999, i cili ishte shumë fatsjellës pasi që i kumtohet se kishte fituar bursën për studime master në Amerikë. Ishte e vetmja nga Kosova, e cila kishte mbërritur të shkonte në Shkup atë kohë për t’a zhvilluar intervistën. Një vajzë e re e merr guximin që pavarësisht rrethanave t’a ndjekë arsyen dhe ëndrrën.

Në rrethana të luftës, Mimoza Kusari-Lilës nuk i kishte shkuar ndërmend që të shikonte se a kishte afat pasaporta e saj. E keqja qendronte në faktin se pasaporta i skadonte me 15 qershor të vitit 1999. Kurse, periudha për të shkuar në Amerikë ishte disa javë pas datës kur i skadonte pasaporta.

“Një javë para se të ishte koha të më skadonte pasaporta , Ambasada Amerikane në Maqedoni vendosi që të më nis më herët, pasi që ata nuk donin të shkoja si refugjate por si student e rregullt, me qëllim që të ruaja integritetin e përfaqësueses së Kosovës”, shprehet Kusari-Lila.

Qëndrimi në Amerikë

Momentet e qendrimit në Amerikë i kujton me nostalgji pasi që për të ishte një aventurë krejt ndryshe. Jetesa në njërin prej vendeve më demokratike të botës, bëri që ajo të krijonte një botëkuptim të ri për jetën në përgjithësi.

“Në Amerikë kam qëndruar 2 vite, ku së pari kam qenë në Uashington. Përfaqësuesja e State Departmentit që më ka intervistu është paraqitë vullnetare me më mbajtë në shtëpinë e saj. Unë kam flutuarar me 12 qershor për Amerikë, pikërisht kur forcat e NATO-s kanë hyrë në Kosovë. Pasi që me 15 dhjetor më skadonte pasaporta, e duhej të udhëtoja më herët”, thotë Kusari-Lila.

Kruciale sipas saj për të përcaktuar të ardhmen ishte Amerika dhe përvojat e fituara atje.

“Përvoja në Amerikë ishte përcaktuese për suksesin në karrierë.  Nëse nuk do të shkoja në Amerikë, do të isha marrur me institucione e ndoshta jo me politikë”, vazhdon Kusari-Lila.

Një studente e diplomuar në Amerikë, sigurisht që ra në syrin e bashkësisë ndërkombëtare që vepronte atëherë në Kosovë. Kjo bëri që asaj t’i vinte një ftesë prej USAID-it që të punonte si këshilltare e kryeministrit Bajram Rexhepi.

“Unë kam qenë e ftuar asokohe si një këshilltare që ka qenë e paguar prej USAID-it në kuadër të detyrës së kryeministrit, që është marrë me formatim të zyrës së kryeministrit. Ka qenë qeveria e parë e pas luftës në Kosovë. Mua më është ofruar atëherë pozita e këshilltares së kryeministrit. Asnjëri skemi qenë pjesë e partive politike, kjo është ajo që na ka veçu në këtë rast. Ka qenë ndoshta rast i vecantë ku me propozim të një konsulenteje, kryeministri angazhon këshilltarë jo-politikë, por që natyrisht emërtimin e kanë këshilltarë të kryeministrit. Kemi qenë unë, Ilir Deda, Ilir Dugolli, që i jemi bashku dmth asaj kohe zyrës së kryeministrit. Ai ka qenë angazhimi im dhe ballafaqimi i parë me institucionet e shtetit në Kosovën e pasluftës”, shprehet Kusari-Lila.

Ky veprim, kishte ngjallur reagime të ndryshme në mesin e antarëve të partive që ishin në pushtet pasi që ata nuk e pranon faktin që në kabinetin e kryeministrit të qëndronin njerëz që nuk janë nga partitë e tyre.

“Ka pasur mbledhje të qeverisë, kur është përmendur emri im pa pasur të bëjë asgjë me temën  nga ministrat. Arsyeja ka qenë se pse ata prej zëdhënëses së kryeministrit po i marrim vesh lajmet për qeverinë, e ata janë anëtarë të kabinetit e nuk po i dimë dhe kanë shkuar më tutje duke më kritikuar mua për performancë. Ka qenë atëherë kryeministri Rexhepi që ka thënë se kjo përfaqëson zyrën e kryeministrit dhe natyrisht që i takon kryeministrit me sjellë vendime ose me dhënë opinione”, shprehet Kusari Lila.

Jeta institucionale

Fillimi i jetës publike e politike i kishte krijuar edhe mendimet se ajo nuk do të merrej me politikë asnjëherë.

“Ballafaqimi im me institucionet dhe politikën më ka sjellë mendimin që unë nuk dua me u marrë me politikë.  Kur kryeministri Haradinaj kishte marrur mandatin e parë, na kërkoi që të  vazhdojmë punën në kabinet, por unë e refuzova kategorikisht. Nuk e kam pasur asnjë mendim apo synim as me qenë anëtarë e partisë politike dhe as me vazhdu karrierën politike”, shprehet Kusari-Lila.

Por,  gjithëçka ndryshoi kur në adresë të saj vjen një ofertë për një angazhim që kishte të bënte më shumë me idenë për të kontribuar në Komunën e Gjakovës.

“Ka qenë në vitin 2009, kur kemi qenë duke u kthyer prej pushimit vjetor në Shqipëri, kur një familjar që ka qenë pjesë e AKR-së në Gjakovë, na patë ftuar mua dhe bashkëshortin për të biseduar për këtë angazhim, për Gjakovën, dmth edhe e kanë pasur atë bindjen që është i domosdoshëm dhe i rëndësishëm ndryshimi ose kandidimi për Gjakovën. Prapë po them nuk kam pasur ndonjë besim ose ndonjë dëshirë të zjarrtë me prezantu parti politike, më tepër e kam pasur për aspektin institucional dhe aspektin menaxherial të nivelit lokal, e jo të nivelit qendror”, thotë Kusari-Lila.

Interesi i Mimoza Kusarit ishte që kontributin e saj më shumë ta fokusonte në nivelin lokal pasi që nevoja për ndryshime në Komunën e Gjakovës ishte shumë e nevojshme.

Ajo e kujton takimin e parë më kryetarin e Aleancës Kosova e Re, Behxhet Pacollin.

“Komunikimi i parë me të ka qenë në Prishtinë, përmes një të njohuri të përbashkët. Nuk ka pasur ndonjë marrëveshje, ka pasur vetëm diskutim për bashkëpunim dhe unë në fakt e kam pasur mendjen e ndarë, në momentin kur kam biseduar me bashkëpuntorët e tjerë në Gjakovë, para se me ardhë te z.Pacolli, unë veç e kam ditur që ka nevojë në Gjakovë për një qasje tjetër dhe për një zhvillim”, thotë Kusari-Lila.

Në zgjedhjet komunale të vitit 2009, Mimoza Kusari kandidon për kryetare të Komunës së Gjakovës, nga radhët e AKR-së. Në ato zgjedhje, alternative qeverisëse e përfaqësuar nga Mimoza Kusari nuk arriti që të futet në balotazh pasi që Pal Lekaj i fitoi zgjedhjet qysh në raundin e parë.

E zgjedhur nga populli  

Distafa për kryetare të Komunës së Gjakovës, nuk ndikoi që presidenti i AKR-së, Behxhet Pacolli ta humbë besimin në figurën e Mimoza Kusarit. Ndodhi e kundërta, ishte ai që e propozoi për zëvendës-presidente të partisë. Ky propozim u miratua dhe u votua në Këshillin e Përgjithshëm të partisë.

Sa për të vërtetuar besimin e Pacollit, Mimoza Kusari-Lila në zgjedhjet qendrore të vitit 2010 që u mbajtën në Kosovë, doli të jetë femra më e votuar në Parlamentin e Kosovës. Kjo bëri që figura e Mimoza Kusari-Lilës të jetë edhe më shumë prezente në medie dhe në jetën publike. Pasi që në Qeverinë e formuar të asaj kohë, ajo u emërua në 2 pozita.

Në qeverinë e Hashim Thaçit, në të cilën ishte në koalicion edhe AKR-ja, Mimoza Kusari u emërua Zv.Kryeministre dhe ministre në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Imazhi i Mimoza Kusarit vetëm sa vazhdonte e rritej për shkak të rëndësisë dhe funksionit të cilën ajo e kryente në Qeverinë e asaj kohe.

Kryerja e funksioneve ekzekutive në Qeveri, nuk bëri që ajo ta harronte një dëshirë e cila ishte aktuale edhe atë kohë. Zemra e saj rrihte për qytetin e Gjakovës dhe për mundësinë që funksionin e saj ta kryente si kryetare e Komunës së Gjakovës.

Kjo bëri që ajo në zgjedhjet lokale të vitit 2013, të jep dorëheqje nga dy funksionet të cilat i ushtronte në Qeveri dhe t’i përkushtohej garës për Gjakovën. Ndonëse, kërkesa ishte që ajo t’i ngrinte funksionet e saja në mënyrë që të rikthehej në funksion prap por ajo e refuzoi këtë kërkesë pasi që nuk e konsideronte të rrugës që të kthehej aty në rast se do të dështonte të fitonte besimin për të administruar me Komunën e Gjakovës.

Zgjedhjet lokale të vitit 2013 nxorrën si triumfuese Mimoza Kusari-Lilën e cila e shkroi një histori të re në kapitullin e shtetit të ri të Kosovës, duke u bërë femra e parë e cila do të udhëhiqte një komunë.

Përgjatë 4 viteve në krye të Komunës së Gjakovës, ajo na rrëfen për përvojat dhe sukseset që e kanë përcjellur gjatë asaj kohe.

“Qeverisja me profesionalizëm ka qenë ajo çka e ka karakterizuar gjatë 4vjeçarit. Drejtorët që janë emëruar, gjysma e tyre nuk kanë qenë pjesë e partive politike. Kam zgjedhur njerëzit më të kualifikuar dhe më të përgatitur. Gjakova tash shquhet për një dinamizim të jetës kulturore, tejkalimit të shumë ngarkesave financiare pasi që komunën e kam gjetur me 6 milionë euro borxh. Po ashtu kemi ndërhyrë në kryerjen e disa projekteve të infrastrukturës, finalizimi i projektit të ujit të pijës për 42 fshatra. Këto janë suksese të konsiderueshme të cilat më shërbejnë që saherë të jem në Gjakovë, të ndihem e lumtur që kam mundur ta jap kontributin tim në këtë aspekt”, thotë Kusari Lila.
Rrugëtimi me AKR-në

Gjatë kohës sa ishte kryetare e Komunës së Gjakovës, ajo tregon se saktësisht pas zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit të vitit 2014, kur AKR-ja nuk arriti as që ta kaloj pragun zgjedhor, ajo e pranoi një kërkesë nga Behxhet Pacolli, se partia duhej të rikonstruktohej dhe se ajo duhej të përgatitej për të ardhur në krye të AKR-së.

“Unë  kisha hezitimet e mija, për shkak të lidhjes së tij me elektoratin por ai insistonte se unë duhej të përgatitesha për të qenë presidente e AKR-së. Por në momentin kur e kam bërë publike kandidaturën time, pra për atë se çka ne kemi bisedu, unë e kom vrejtë një tërheqje të tij mbrapa. Pastaj kanë filluar edhe komunikimet jo fort të këndshme në raport me situatat e krijuara në parti”, thotë Kusari-Lila.

Ajo shprehet se pas disa muajsh Pacolli e thërret mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, pavarësisht se ajo nuk ishte fizikisht në Kosovë dhe se kishte bërë thirrje që ta shtyente për disa ditë mbledhjen.

“Në atë mbledhje ku unë nuk isha prezent, u lakua shumë emri im në aspektin negativ, se unë nuk duhej që ta merrja udhëheqësinë e partisë. Kjo ishte e mjaftueshme që unë ta kuptoja se nuk isha e mirëseardhur më në partinë e AKR-së”, shprehet Kusari-Lila.

Sipas saj Pacolli e kishte tradhëtuar për shkak se ishte vet ai i cili kishte insistuar që ajo të bëhej kryetare e partisë e më pas tërhiqet nga fjalët e tij. Ndoshta kjo është mënyra se si është mësuar Pacolli ta bëjë politikën, të trashëguar nga përvojat në biznes.

Largimi nga AKR-ja, bëri që Mimoza Kusari të ketë kontakte me zyrtarë të ndryshëm të partive politike. Ato takime rezultuan që ajo së bashku me Ilir Dedën të larguarin nga Vetëvendosje, të formojnë partinë e quajtur “Alternativa”.

“Alternativa si parti politike si ide ishte finalizuar shumë muaj më parë por për shkak se disa individëve i’u është dashur kohë shtesë që të vendosnin se a do të i bashkoheshin Alternativës. Ne ishim në kontakte me Driton Selmanajn, Vjosa Osmanin, Lumir Abdixhikun, Dastid Pallaskan e disa figura të tjera por që në fund disa prej tyre vendosën që të i bashkoheshin LDK-së ose edhe partive tjera”, shprehet Kusari Lila.

Ajo shprehet se Alternativa është një parti Liberal-Demokrate dhe si e tillë kishte hyrë në koalicion në zgjedhjet e qershorit me LDK-në dhe AKR-në. Rezultati i zgjedhjeve të qershorit bëri që Mimoza Kusari dhe Ilir Deda të fitojnë një ulëse në Parlamentin e Kosovës.

Në zgjedhjet lokale të mbajtura në muajin tetor dhe më pas balotazhin në nëntor ajo e humbi betejën për ta rifituar Komunën e Gjakovës. Gara u përcollë me akuza dhe kundërakuza ku si përfundim e solli fitues Ardian Gjinin.

Tash si deputete e Parlamentit të Kosovës ajo e konsideron të rëndësishëm faktin se duhet që ta ngrisë çështjen e të drejtës së gruas në Kosovë. Ajo shprehet se çdo grua duhet që të jetë faktor i rëndësishëm i vendimmarrjes në Kosovë.
Porosia për të rinjtë

Si përfundim ajo shprehet se të rinjëve po u prezantohen modele jo të mira sa i përket suksesit dhe jetës.

“Jeta ka sfida shumë, nuk bënë me u ndalë. Të rinjëve dhe të rejave po i prezantohen modele se tek suksesi mbërrihet lehtë. Unë prej se kam filluar aktivitetet e mija, krejt se çka i kam mbërritur kanë qenë me punë dhe mund. Ne duhet të besojmë në punën tonë, mos të dëshpërohemi nëse kemi rënie, pasi që sukseset më të mëdhaja janë ato të cilat ngriten pas dështimeve”, thotë Kusari-Lila.

Sipas saj ëndrrat duhet të ndjeken deri në fund dhe se nuk bënë që të ndëgjohen fjalët se çka të tjerët mendojnë rreth një çështje që ka të bëjë me jetën tonë.

“Ky është suksesi pasi që ata të cilat rrëzohen, ngriten më të fortë. Nëse një i ri ose e re e kanë një endërr atëherë ata duhet ta ndjekin atë ëndërr, me punë dhe përshkushtim mos me u tërhjekë. Shumë njerëz të afërt kanë thënë se mos shko në atë rrugë, mos e bëjë atë por unë çdo herë kam insistuar”, shprehet Kusari-Lila.

Në fund të fundit një rëndësi e madhe për te suksesi është me qenë pozitiv sepse ne humbin shumë energji me gjërat të cilat nuk janë pozitive përfundon intervistën e saj, Mimoza Kusari-Lila.