Mashtrimi me çështjen e veteranëve

0
483

Në seancat e fundit të Kuvendit të Kosovës, përfshirë edhe të djeshmen, çështja e veteranëve është problematizuar rregullisht. Dje, deputeti i LDK-së Lumir Abdixhiku, mori fjalën dhe sulmoi ashpër ‘komandantët’ që kishin fryrë listat e veteranëve. Në përgjithësi kjo pranohet nga secili. PDK-ja, e pamësuar (dhe e painteresuar) me komunikim – megjithëse nënkuptueshëm e pranon ‘fryrjen’, ata që e thonë një gjë të tillë, siç bëri deputeti Abdixhiku – i akuzon se po e sulmojnë UÇK-në dhe se po luajnë me ‘kategorinë më meritore për lirinë tonë’.

Se veteranët janë ‘meritorë për lirinë tonë’ kjo nuk mohohet nga asnjëra parti politike në Kosovë. As nga deputeti Abdixhiku. Por, fryrja ka implikime shumë serioze: duke qenë shumë veteranë jomeritues, kjo gjë i dëmton seriozisht veteranët meritorë (ose të vërtetë): tkeqet shoqërisht vlera e tyre në shoqëri dhe statusi i tyre prej veterani dështon të përkthehet në njëfarë statusi moral siç ndodh në vende tjera. Thënë më thjeshtë: veteranët do të marrin paratë, por nuk do të gëzojnë respektin që meritojnë në shoqëri duke qenë të dyshuar mos nuk janë veteranë meritorë. Prandaj, thirrja e Abdixhikut ndaj veteranëve për të dalë në protestë që të ruajnë vlerën e tyre, është e përligjur. Një tjetër dëm serioz nga kjo çështje i shkaktohet vetë institucioneve tona. Një mashtrim kaq i hapur me listat e veteranëve, i kuptuar dhe i pranuar nga thuaj të gjithë, dhe një moshetim lidhur me të – e dëmton seriozitetin e diskursit institucional për një shtet të drejtë. Krijon hapësirë për mashtrime të reja.

Kosova është një ndër vendet më të varfra në Evropë. Kësisoj, është e pakuptimtë të akuzohen njerëzit që janë futur pameritueshëm në listat e veteranëve për të marrë 170 eurot e tyre. Ekonomia joformale është e përhapur por e pazhvilluar dhe jo aq profitabile në Kosovë, e kësisoj nuk përjashtohet mundësia që një pjesë e madhe e ‘veteranëve mashtrues’ (ashtu si veteranët e vërtetë) të kenë edhe një punë ‘pa letra’. E prapë, nuk mund të fajësohen.Ata që duhen fajësuar në fakt, janë liderët politik. I pari, dhe ndoshta më i rëndësishmi, është presidenti aktual i vendit Hashim Thaçi. Ai sa ishte kryeministër deklaronte se ‘të gjithë kosovarët ishin meritorë për luftën dhe lirinë’. Kjo deklaratë e zbulon fare qartë mendësinë që i keqpërdori listat e veteranëve. Duke mos besuar në një meritë të veçantë të veteranëve, është e pritur që edhe ‘meritorët’ e tjerë të përfshiheshin me qëllime elektorale ose ekonomike. Por a ka një faj konkret presidenti Thaçi ose krykuvendari Veseli? Padyshim që po. Këta dy njerëz ishin kryetarë të një partie të dalë nga lufta, dhe afria me shumë ‘komandantë’ të UÇK-së i bën përgjegjës. Marrë parasysh situatën ekonomike të vendit, një mashtrim i mundshëm ishte krejtësisht i pritshëm. Prandaj, është e pakuptueshme sesi u shpërfill në tërësi mbrojtja politike e luftës, dhe mirëadministrimi i proceseve verifikuese për veteranë, dëshmorë e invalidë. Edhe nëse nuk e kanë futur ‘asnjë njeri që nuk ishte në luftë’ në listat e veteranëve, siç tha kryetari i Kuvendit Veseli, ata kanë përgjegjësi evidente për mosveprimin e tyre.

Por, t’i rikthehemi deklaratës së Thaçit ku thuhet që ‘secili kishte meritë për lirinë’. Kjo diskursivisht i bën privilegjet e veteranëve krejtësisht jolegjitime dhe të pandershme. Nga perspektiva e presidentit Thaçi, në një anë del se çdo para e çdo privilegj që marrin veteranët është i pamerituar (meqë për luftën ishin meritorë të gjithë), dhe në tjetrën, kur çertifikimi i veteranëve filloi, pse të mos bëheshin ato parregullsi që u bënë (përsëri, meqë për luftën ishin meritorë të gjithë).

Tash e disa vite, janë dy parti të cilat e kanë dëmtuar rëndë “luftën dhe meritën e veteranëve për të”. PDK-ja dhe AAK-ja (mbase edhe Nisma, por kjo është parti mjaft e re, dhe procesi dëmtues ka filluar qe një kohë shumë të gjatë). Mbase, duke qenë të lindura nga lufta, dhe duke mos pasur asnjë diskurs serioz politik për zhvillimin e vendit, e prandaj asnjë legjitimitet për ekzistencën e tyre në politikë – këto parti i bren kompleksi i të qenët të lidhura pazgjidhshëm me luftën – që i bëri krejtësisht toleruese e madje pjesëmarrëse në përlyerjen e UÇK-së, luftës dhe veteranëve.

Është evidente për secilin se një hetim i listave të veteranëve nuk i përlyen veteranët (siç provohet të thuhet nga deputetët e PDK-së), krejt e kundërta, i pastron ata nga dyshimi që iu është vendosur pa të drejtë./Periskopi