Liga e Kombeve, Kosova dhe Shqipëria mësojnë kundërshtarët më 24 janar

0
221

Afrohet Liga e Kombeve, turneu më i ri i UEFA-s. Pasi janë përcaktuar ligat ku do të luajnë skuadrat dhe vazot në të cilat janë pozicionuar, tashmë gjithçka është gati për shortin e 24 janarit, që do të hidhet në Llozanë të Zvicrës.

Pikërisht ajo ditë do të shënojë edhe nisjen zyrtare të Ligës së Kombeve, eveniment që do të zhvillohet çdo dy vjet dhe ku do të marrin pjesë të gjitha skuadrat evropiane.

Pas vendit të tretë në kualifikueset e Botërorit 2018, Shqipëria do të niset nga Liga C në bazë të renditjes së UEFA-s. Kuqezinjtë janë në vazon e dytë, së bashku me Greqinë, Serbinë dhe Norvegjinë. Kundërshtarët e mundshëm të Kombëtares janë Hungaria, Rumania, Skocia dhe Sllovenia në vazon e parë; Mali i Zi, Izraeli, Bullgaria dhe Finlanda në vazon e tretë dhe Qipro, Estonia dhe Lituania në vazon e katërt

Gjatë shortit, skuadrat do të ndahen në një grup me tre ekipe, ku do të jenë vetëm përfaqësueset e tre vazove të para dhe tre grupe të tjera me nga katër. Katër fitueset e secilit grup do të ngjiten në Ligën B, ndërsa katër ekipet e vendeve të fundit do të zbresin në Ligën D për edicionin e vitit 2020, përcjell SS.

Gjithashtu, katër skuadrat me pozicionimin më të mirë në renditje dhe që nuk janë kualifikuar për finalet e Euro 2020, në muajin Mars do të luajnë në fazën “play-off” për të përcaktuar një biletë drejt Kampionatit Evropian.

Liga A përbëhet nga 12 skuadrat më të mira kontinentale, mes të cilave Gjermania, Portugalia, Belgjika e Spanja në vazon e parë; për të vijuar me Francën, Anglinë, Zvicrën dhe Italinë në vazon e dytë dhe më tej me Poloninë, Islandën, Kroacinë dhe Holandën në vazon e tretë.

Edhe në Ligën B janë 12 skuadra të nivelit shumë të lart, nga Austria, Uellsi, Rusia e Sllovakia në vazon e parë; Suedia, Ukraina, Republika e Irlandës e Bosnja në vazon e dytë dhe Irlanda e Veriut, Danimarka, Republika Çeke dhe Turqia që pozicionohen në vazon e tretë të shortit.

Përsa i takon Ligës D, më e ulëta e turneut, aty janë 16 skuadra, me përfaqësuesen e Kosovës që do ta nisë shortin e vazon e katërt përkrah Andorrës, San Marinos dhe Gjibraltari, ndërsa kokat e grupit do të jenë Azerbajxhani, Maqedonia, Bjellorusia dhe Gjeorgjia.

Ndeshjet e fazës së grupeve të UEFA Liga e Kombeve do të luhen prej muajit Shtator deri më Nëntor 2018.