Lanë gjymtyrët në luftë, shteti nuk ua siguron protezat

0
468

Mbi 100 qytetarë që kanë humbur gjymtyrët e tyre gjatë Kosovës së luftës së fundit në Kosovë apo edhe pas përfundimit të saj nga minat, ka shtatëmbëdhjetë vite që janë duke pritur nga ana e institucioneve shëndetësore kosovare vendosjen e gjymtyrëve artificial.

Qendra e Shërbimit Klinik të Ortoprotetikës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka një vit që nuk është furnizuar me material nga i cili punohen mjete ndihmëse për lehtësim të ecjes së atyre që kanë humbur ndonjë gjymtyrë, ose kanë deformime në trup. Më shumë se gjashtëdhjetë persona, viktima të luftës civile në Kosovë ka afro 2 dekada që janë duke pritur në listat për vendosjen e gjymtyrëve.

Shqetësime rreth kësaj çështjeje po shpreh Shoqata e Civilëve të Lënduar nga Minat në Kosovë. Udhëheqësi i kësaj shoqate, Avni Lubovci, ka thënë se institucionet e vendit nuk po ofrojnë zgjidhje për këtë problematikë. Si pasojë e kësaj, disa nga këta persona tashmë kanë lënë vendin në kërkim të gjetjes së një zgjidhje në vendet perëndimore.

“Sepse disa kanë ikur nga Kosova. Se s’ka zgjidhje të problemeve të kësaj kategorie nga institucionet tona”, ka thënë ai.

Lubovci ka sqaruar se Shoqata që ai drejton ka evidentuar 100 persona që gjatë kohës së luftës kanë humbur gjymtyrët si sytë, duart, këmbët mbi dhe nën gju e që të njëjtit po presin për vendosjen e protezave artificiale.

“Persona të cilët kanë humbur gjymtyrët e tyre janë rreth 100 persona. Të njëjtit i kanë të humbura gjymtyrët si dytë, duart si dhe këmbët”, shpjegon Lubovci.

Kjo shoqatë i ka drejtuar letër të hapur edhe kryeministrit të vendit, Ramush Haradinajt, presidentit Hashim Thaci, si dhe krye parlamentarit, Kadri Veseli. Nga të njëjtit po kërkohet zgjedhje e kësaj çështje. Madje vetë Lubovci humbi këmbën si rezultat i shpërthimit të një mine 17 vjet më parë.

“Invalidët Civil të Luftës, u anashkaluan gjithmonë në rritje të pensioneve, në përkrahje për pajisje me Proteza, në arsim e në punësim. Invalidët civil dallohen nga të gjitha kategoritë sepse ju mohohen dhe shumë të drejta”, thuhet në letrën drejtuar institucioneve të Kosovës.

Por shpresë për vendosjen e protezave për këtë kategori nga ana e institucioneve publike shëndetësore në Kosovë nuk do të ketë edhe të paktën për një kohë. Udhëheqësit e Klinikës s të Ortoprotetikës ka një vit që kanë dorëzuar kërkesa në Ministrinë e Shëndetësisë për furnizim me material për përpunimin e protezave. Por MSH ende nuk ka ndarë buxhet për këtë punë.

“Unë shqetësimet e mia lidhur me këtë çështje i kam bartur edhe në Ministrinë e Shëndetësisë, kërkesat tona janë në ministri. Jemi në pritje të ndonjë përgjigje. Rreth 60 pacientë janë viktima civile të luftës e secili nga këta kanë nevojë për proteza të gjymtyrëve të poshtme, nën gju dhe mbi gju”, ka thënë drejtori i Shërbimit të Ortoprotetikës, Lulzim Geci,

“Pritjet e këtyre pacientëve janë shumë të dhimbshme, sepse këta janë pacientë të cilët në të shumtën e rasteve janë raste sociale, andaj ata nuk i kanë mundësitë financiare për t’i blerë vet materialet, andaj ata detyrohen që të presin për një kohë më të gjatë”, thotë ai.

Ndërkohë që gjatë kohës së luftës dhe pas saj 117 persona kanë humbur jetën për shkak të minave tokësore në Kosovë dhe 450 të tjerë janë gjymtuar, tha ai.