Lekaj sqaron situatën për 63 milionët e kërkuar nga Bechtel Enka, akuzon qeverinë Mustafa

0
270

Njëra nga temat që u përfol më së shumti gjatë fundit të vitit 2017 ishin edhe 63 milionë eurot që Bechtel Enka, po i kërkon për disa vonesa në lidhje me ndërtimin e autostradës Arbën Xhaferi.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj po akuzon qeverisjen e LDK-së për këto borxhe.

Por Lekaj në një intervistë për lajmi.net ka thënë se do të mundohet që me kompaninë në fjalë të gjendet një zgjidhje ideale.

“E vërteta është se ish qeveria përveç se ka qenë neglizhence, është sjellë e ka shfaq jo sinqeritet me partnerët dhe kontraktorët që kanë kryer punë në të gjithë sektorët e më së shumti në infrastrukturë. Një rast i tillë është edhe ky me kontraktorin Bechtel & Enka e cila po i kryen punimet në autostradën e dytë në Kosovë, në atë “Arbën Xhaferi” që e lidhë Kosovën me Maqedoninë. Para tre viteve ish-qeveria është dakorduar që ka nevojë për me zgjatë kontratën e përfundimit të punimeve në ketë segment rrugorë, kjo për shkak të pamundësisë së shlyerjes së obligimeve financiare. Janë dakorduar për rreth 15 milionë euro që do të kushtontë ajo zgjatje. Pastaj nuk e kanë kryer as ketë obligim dhe në të njëjtën kohë në total, gjatë këtyre tre viteve të keqqeverisjes së tyre, janë vonuar në pagesa afro 60 përqind, për të mos thënë edhe më shumë, kjo ka nënkuptuar ulje të ritmit të punës nga kontraktori dhe rritje e rrezikut për penallti nga ana e të njëjtit”, ka thënë Lekaj.

“Çdo penallti për Kosovën nga B&E do të thoshte rreth 40 mijë euro në ditë dënim për Kosovën dhe buxhetin e saj të vogël, për këto tre vjet penallti do të thoshte edhe rreth gjysmëmiliardi euro dëmtim për buxhetin e shtetit. Kërkesa prej 63 milionëve është si formë e dëmshpërblimit për kompaninë për pamundësinë e saj që të punojë, nga pa përgjegjësia e ish-qeverisë, e cila edhe nuk i ka kryer obligimet ndaj saj, por në të njëjtën kohë edhe e ka injoruar përballjen me të”, thotë ministri i Infrastrukturës.

“Por ajo çka dëshirojë të theksojë është që kjo 63 ende nuk është punë e kryer, sepse B&E ka bërë llogaritë e saja, ndërsa pasi t’i bëjmë analizën tonë, bashkë me kompaninë mikqyrëse dhe ekspertët e Ministrisë së Infrastrukturës, do të ulemi dhe do të bisedojmë më mundësin e arritjes së një kompromisi, gjë në të cilën besojmë shumë”, ka përfunduar Pal Lekaj