«LDK u kthye sepse populli u lodh me pushtet komandantësh të rremë»

0
347

Komentohet rezultati i Lidhjes Demokratike në zgjedhjet lokaleKush i`a solli triumfin LDK-së më 22 tetor?
Prurjet e reja në Lidhjen Demokratike të Kosovës, qeverisja e mirë në nivelin qendror nga ish-kryeministri Mustafa dhe qeverisja e mirë e dhjetë kryetarëve të LDK-së nëpër komunat e Kosovës ka bërë që LDK të kthehet partia e parë në vend.

Lidhja Demokratike e Kosovës u rikthye partia e parë fituese në zgjedhjet e së dielës qoftë në numër të përgjithshëm të votave, qoftë në fitimin e komunave pa balotazh. Ajo fitoi rreth 210 mijë vota, duke e lënë PDK-në si partinë e dytë me 140 mijë vota dhe Lëvizjen Vetëvendosje me 130 mijë vota.

Sa i përket qyteteve ku LDK-ja ka fituar pa balotazh, është komuna e Pejës, Lipjanit, Fushës Kosovës dhe ajo e Vitisë. Kurse, nga tetë komunat që do të hyj në balotazh, në Gjilan, Dragash, Podujevë, Istog dhe Vushtrri, pesë kandidatët e LDK-së prijnë bindshëm kundër kandidatëve të subjekteve të tjera politike.

Qeverisja e mirë e Mustafës në nivelin qendror riktheu LDK-në partinë e parë

Anëtari i degës së tretë në Lidhjen Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj thotë se njëra ndër arsyet që LDK-ja doli partia e parë në vend lidhet qeverisjen e mirë të ish-kryeministrit, Isa Mustafa.

“Ne besojmë fuqishëm se arsyeje kryesore pse Lidhja Demokratike e Kosovës ka ardhur si partia e parë në zgjedhjet e së dielës, është puna shumë e mirë në qeverinë qendrore nga ana e kryeministrit Isa Mustafa. Pra në qeverisjen në krye me Isa Mustafën kishte një qeverisje me duar të pastra dhe me duar të lirë”, tha Gecaj për “Bota sot”.

“Pra qeverisa e mirë e zotit Mustafa ka qenë njëra ndër arsyet e fitores së LDK-së, por gjithashtu qeverisja jashtëzakonisht e mirë në 10 komuna të cilat janë udhëhequr nga kryetarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës që kanë arritur një zhvillim të jashtëzakonshëm ka bërë që ne të dalim partia e parë në vend”.

Edhe pse sipas Gecajt, Qeveria e Isa Mustafës u ballafaqua me probleme të shumta nga partneri i saj në koalicion, Partia Demokratike e Kosovës.

“Ju e dini se qeverisja Mustafa u ballafaqua me konspiracion të pjesës së pozitës, partnerit të koalicionit Partia Demokratike e Kosovës dhe një pjesë të opozitës të asaj kohe, u rrëzua për interesa personale dhe parciale të këtyre grupacioneve”, tha Gecaj.

Gecaj, si arsyeje tjetër të fitores së LDK-së ia atribuon edhe prurjeve të reja në këtë subjekt politik.

“Lidhja Demokratike e Kosovës në vazhdimësi është një parti e cila ka reflektuar ndryshime në strukturën votuese. Prandaj Lidhja Demokratike e Kosovës ka ecur, ka avancuar duke sjell element të rinj në strukturat e partisë, por gjithashtu edhe kandidatët që kanë garuar në parlamentin e Republikës së Kosovës, por edhe tash me kryetar të komunave dhe kandidatët për asamblistë”, tha Gecaj.

LDK po dëshmohet si parti e cila e ka ruajtur bazën e saj elektorale

Nga ana tjetër, politologu Mentor Tahiri thotë se me këtë fitore LDK tregoi se është duke e ruajtur bazën e saj elektorale.

“LDK po dëshmohet si parti e cila e ka ruajtur bazën e saj elektorale. Megjithëse, edhe partitë tjera kanë krijuar tanimë një traditë të tyre politike, megjithatë duket se për shumicën prej tyre ende nuk është i qartë dallimi ndërmjet politikbërjes në nivel qendror dhe menaxhimit të politikave lokale. Siç edhe shihet nga komunat ku LDK fitoi pa balotazh, fitoret e qarta ishin për menaxherët lokal të cilët nuk eksponohen në politikbërjen qendrore. Të tilla janë fitoret si në Pejë, Fushë Kosove, Lipjan, ashtu edhe në Viti”, tha Tahiri.

Sipas tij, LDK ka mësuar disa mësime nga pësimet e viteve të kaluara.

“Më parë në LDK nuk konceptohej si duhet fushata. Rolin e zëdhënësit e merrnin me një automatizëm nënkryetarët e partisë të cilët shpeshherë me jofleksibilitetin e tyre para mediave i bënin dëm subjektit të vetë. Kësaj radhe imazhi i parë i LDK-së para mediave dhe respektivisht edhe para qytetarëve, ishin figura të reja, intelektuale dhe të pranueshme për elektoratin tradicional të LDK-së”, shtoi Tahiri.

LDK është bërthama e rilindjes demokratike të shqiptarëve të Kosovës

Për analistin Skender Zogaj, fitorja e LDK-ja ka qenë e pritur pasi që sipas tij, ky subjekt politik mbetet bërthama e rilindjes demokratike të Kosovës.

“LDK është bërthama e rilindjes demokratike të shqiptarëve të Kosovës dhe e para parti politike në Ballkan që iu ka kundërvënë diktaturës komuniste duke arritur që edhe ta mposht! Si e këtillë LDK-ja është vlerë shpirtërore dhe historike kombëtare që, pavarësisht nga oscilimet e mundshme ka rol boshtor dhe funksion themeltar për qeverisjen e vendit!”, thotë për “Bota sot” analisti Skender Zogaj.

“Kjo u dëshmua edhe në këto zgjedhje lokale kur LDK-ja sërish është shtylla kryesore qeverisëse. Suksesi është krejtësisht normal, padyshim i arritur në saje të ripërtëritjeve shumë cilësore që po ndodhin brenda LDK-s me ardhjet e të rinjve të shumtë, të cilët po sjellin dije të reja, ide të reja dhe frymë të re të demokracisë së avancuar nga anë të ndryshme të botës, që po rezulton me vlera cilësore në konceptin e synimeve partiake”.

Sipas tij, LDK është një parti e hapur për të gjithë qytetarët.

“LDK-ja është parti e hapur dhe e mundësive të gjera për çdo qytetar të Kosovës që të investojë pikëpamjet e tij të dobishme për vendin, dhe kjo mundësi tejkalon interesat e ngushta të individëve dhe grupeve përfituese, dhe kjo është komponentë kryesore që e mbanë të fort dhe të interesit të veçantë për popullin dhe vendin. Kriza e thellë politike e viteve të fundit e ka kthjell vetëdijen e qytetarisë kosovare që ta kuptoj se LDK-ja është hipoteka e lirisë dhe pavarësisë demokratike të Kosovës dhe kjo rezultoi pozitivisht në suksesin e kësaj partie në zgjedhjet lokale!”, shtoi Zogaj.

LDK u kthye sepse populli u lodh me pushtet komandantësh të rremë

Kurse, publicisti nga Shqipëria Rexhep Shahu thotë se njëra ndër arsyet e fitores së LDK-së është se populli u lodh me keq qeverisje të disa komandantëve të rremë.

“LDK u kthye sepse populli u lodh me eksperimente dhe me pushtet komandantësh të rremë, me luftëtarë të rremë”, tha Shahu.

“Populli duket iu kthye LDK edhe pse ajo tregoi shenja të rritjes së moralit, të sjelljes së disa figurave të reja të moralshme e autoritare. LDK ka shumë më shumë shanse se të tjerat nëse ajo do të gërshetojë figurat e gjalla që ka dhe që kanë bërë histori, nëse nuk do t’i hedhe e shpërfillë ato dhe nëse do të krijoje ekipe ku të bashkohen gjeneratat”.

Sipas tij, nga moraliteti i LDK-së varet gjithçka, nëse LDK shfaqet e moralshme ajo gjithmonë fiton.

Ndryshe, Lidhja Demokratike e Kosovës ka dalë me një rezultat bindës në zgjedhjet lokale.

Kjo parti ka arritur të fitojë katër komuna sipas rezultateve paraprake të KQZ-së, gjë që e rendit si partinë e cila ka fituar më së shumti komuna në raundin e parë zgjedhor.