Kuvendi i Kosovës është shndërruar në arenë fyerjesh dhe sharjes mes deputetëve!

0
278

Ndonëse kanë mbetur çështje të pazgjidhura, siç është shembull demarkacioni, deputetët e Kuvendit të Kosovës po i kushtojnë rëndësi më shumë denigrimit të njëri-tjetrit. Kësisoj, Kuvendi në një formë është shndërruar në një arenë fyerjesh.

Lidhur me këtë, për Infopress ka folur njohësi i rrethanave politike, Islam Krasniqi. Ai ka thënë se në Kuvend vazhdimisht bëhen akuza për vjedhje, vrasje e mashtrime, ndërkaq sipas tij, prokurori po rri në gjumë.

“Jemi mësuar ta shohim Kuvendin e Republikës së Kosovës të tillë, ku asnjëherë nuk i përafrojnë mendimet apo përkrahin kërkesat partitë politike mes vete, ku gjithmonë sulmojnë  me gjuhën e tyre duke harruar peshën që populli e ngarkoi mbi supet e tyre. Parlamenti i Republikës së Kosovës është shndërruar në një arenë fyrjesh mes deputetëve, nga të gjitha anët, të cilët akuzojnë njëri-tjetrin për vjedhje, mashtrime, vrasje gjersa prokuroria rri në gjumë, dhe akuzat e tyre i trajton si lojëra fëmijësh asgjë më shumë, sepse ata prokurorë, ata hetues janë emëruar nga politika dhe duhet t’i shërbejnë politikës dhe jo të zbardhin të vërtetën apo t’i shërbejnë drejtësisë”, ka thënë Krasniqi.

Sipas analistit Krasniqi, problemi qëndron te populli, i cili voton persona të akuzuar e mashtrues.

“Problemi qëndron te populli, i cili  voton njerëzit me akuza, individët që gënjyen dhe mashtruan për vite me radhë për t’ia lëshuar rrugën njerëzve që kanë etikë, të cilët me punën e tyre do t’i forcojnë edhe shtyllat e shtetit, duke e vënë drejtësinë në binar, të cilët mund ta zhdukin sëmundjen e korrupsionit e cila është shfaqur edhe në çerdhe dhe njerëz të cilët mund të tregojnë vlera të larta në Kuvend, me pak fjalë dhe shumë punë, e jo me muskuj e forcë siç po i shohim këta sot“, qartësoi Krasniqi.

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike, Leon Duhanaj, ka thënë se deputetët po paraqesin pasqyrimin më të shëmtuar, në vend se të ishin shembull i intelektualizmit, profesionalizmit, kompetencës e përgjegjshmërisë, duke shtuar kështu se për shkak të gjuhës që ata përdorin, mediet duhet të transmetonin seancat me “+16”, “+18”.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës, do të duhej të ishte shembull i mirësjelljes njerëzore. Shembull i intelektualizmit, profesionalizmit, kompetencës dhe përgjegjshmërisë. Por, të zgjedhurit e popullit tonë për fat të keq, paraqesin pasqyrimin më të shëmtuar të mundshëm, qoftë në punën parlamentare, qoftë edhe jashtë saj. Për fat të keq, gjuha politike është skandaloze. Madje shpeshherë do të duhej nga mediat në transmetimet e tyre, të bëhen prerje ose të transmetohen më +16 apo 18”, theksoi Duhanaj për Infopress.

Duhanaj shtoi se duhet të ngriten kriteret në përzgjedhjen e deputetëve.

“Për fat të keq, situata veç sa vjen duke u përkeqësuar. Nëse në një kohë ishte përzgjedhja e kandidatëve për deputet pak më me kritere. Tashmë ato kanë ndryshuar fare dhe në përbërjen e kuvendit, ka lloj lloj deputeti, që në një shoqëri normale nuk do të pranohej fare në punë publike e lëre më të bëhet deputet. Kjo është pasqyra e shoqërisë sonë. Për fat të keq, jemi këta që jemi. Të tillët, janë të zgjedhur me votën e lirë dhe, kam frikë që edhe shumë gjatë do të udhëhiqemi  nga soji i tillë”, përfundoi Duhanaj.