Kukaj u prezantua sot te Ballkani, por transferimi mund të dështojë

0
207

Transferimi i Liridon Kukajt te Ballkani i Suharekës mund të dështojë për arsye administrative.
Skuadra në të cilën ka luajtur Kuka në stinorin vjeshtor, KEK-u zotëron kartonin e futbollistit dhe nuk e ka ndërmend ta lirojë drejt ndonjë skuadre të Ligës së Parë, aq më pak për të kaluar tek Ballkani i Suharekës, ekip rival me të cilin do garojë për inkuadrim në Superligë.

Në një prononcim ekskluziv për Gazetasheshi.com drejtori sportiv i “elektricistëve”, Agim Keka potencoi se Kukaj nuk do të mund të federohet tek Ballkani pa pëlqimin e KEK-ut.

“Jemi dakorduar me Liridon Kukajn që fletlëshimin mund ta marrë vetëm për skuadra të Superligës dhe asesi për kundërshtarët tanë direkt për inkuadrim në Superligë. Ai akoma figuron në sistem si lojtar i KEK-ut dhe nuk do lejojmë shkëputjen kontraktuale pa pëlqimin e klubeve ndërmjet vete. Kukaj i ka dyert e hapura në Superligë, ndërkohë nëse Ballkani dëshiron shërbimet e tij duhet të bisedojë me drejtuesit e KEK-ut, ndryshe Kukaj do vazhdon të figurojë si lojtar i KEK-ut”, deklaroi Keka për Gazetasheshi.com.

Ndryshe Kukaj u prezantua sot si lojtar i ri i Ballkanit të Suharekës pas gjashtë muajve të kaluar tek KEK-u.