Kosova të përgatitet, të dëshmojë shtetësinë e saj karshi Serbisë

0
330

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ditë më parë ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit të jashtëm serb Ivica Daciq, i cili ka thënë se duhet të organizohet një konferencë e re ndërkombëtare ku do të merrnin pjesë BE-ja, ShBA-ja dhe Rusia për ta gjetur një zgjidhje për Kosovën .

Ai, përmes një postimi në rrjetet sociale ka thënë se Serbia historikisht nuk e ka pranuar zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve, dhe asnjëherë nuk i ka pranuar zgjidhjet e negociuara ndërkombëtarisht.

Hoxhaj po ashtu ka thënë që një konferencë e re ndërkombëtare është e panevojshme, pasi që sipas tij dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian duhet të përmbyllet me një marrëveshje ligjore për normalizim të plotë dhe njohje të ndërsjellët.

Sipas tij, historikisht Serbia nuk ka pranuar zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve dhe kurrë nuk i ka pranuar marrëveshjet e negociuara ndërkombëtarisht.

“Nuk ka nevojë, për një tjetër konferencë ndërkombëtare. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja duhet të përmbyllet me marrëveshjen ligjore për normalizim të plotë dhe njohje të ndërsjellë”, ka shkruar Hoxhaj, duke shtuar krye diplomati serb deklaroi se duhet të organizohet një konferencë e re ndërkombëtare ku do të merrnin pjesë BE-ja, SHBA-ja dhe Rusia për ta gjetur një zgjidhje për Kosovën”.

Selimi: Bisedimet e Brukselit mund të përdorën si trampolinë

Deputeti i VV-së Rexhep Selimi ka thënë për “ Bota sot”, se Ministri i sotëm i Qeverisë serbe apo zëdhënësi i djeshëm i Milosheviqit nuk ka se si të mendojë ndryshe përveç që si ta kthej ndikimin e Serbisë në Kosovë.

Sipas tij, ata kanë vrarë dhjetëra mijëra shqiptare që ta mbajnë Kosovën në duart e tyre dhe tash që nuk e kanë sikur dikur po mundohen që me forma tjera t’ia krijojnë edhe ndonjë shans Serbisë.

“Me thirrjen për konferenca ndërkombëtare të tipit të Dejtonit apo të Rambujesë, Serbia po përpiqet që ta realizojë në ato tavolina atë çka Milosheviçi nuk mundi. Shpresën për konferenca të tilla ua ka rritur vetë delegacioni i Kosovës në Bruksel duke e mbajtur gjallë procesin e negociatave me Serbinë. Madje, pikërisht bisedimet e Brukselit mund të përdorën si trampolinë drejt tavolinës që Serbia do ta përdorte për ta zhbërë Pavarësinë e Kosovës, sepse Kosova duhet të mos rrëshqasë andej”, ka thënë deputeti Raxhep Selimi.

Të injorohet Daçiqi

Politologu Faik Krasniqi, duke folur rreth kësaj çështje, konsideron se nuk duhet të merremi fare me deklaratat e ministrit serb.

“Mendoj se s’duhet të merremi me deklaratat e asnjë zyrtari serbi në lidhje me statusin e Kosovës. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran prej shpalljes së saj më 17 shkurt 2008, dhe pavarësia e saj është e njohur nga më shumë se 113 shtete të botës. Në rast se Kosova pranon që të marrë pjesë në konferenca të tilla, atëherë me të vërtetë do të vihej në dyshim pavarësia e saj. Por nuk besoj që as aleatët tanë e në veçanti SHBA-të, do të bëheshin pjesë e këtyre konferencave”, ka thënë politologu Krasniqi.

Ndryshe, Sami Blakaj, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare ka thënë organizimi i konferencës së proklamuar nga krye diplomati serb Daciq, tregon për përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për ta kontestuar ndërkombëtarisht subjektivitetin shtetëror të Republikës së Kosovës.

Sipas tij, konferenca në vete nënkupton ri-negocimin e shtetësisë së Kosovës dhe gjetjen e një zgjidhje të re që padyshim do ta faktorizonte Serbinë brenda Kosovës. Në këtë kuptim autoritetet kosovare duhet të tregojnë pjekuri politike dhe shtetërore karshi iniciativave të tillë.

“Kosova tashmë është shtet i pavarur dhe i njohur ndërkombarisht, prandaj si i tillë duhet ecur tutje. Ecja e Kosovës drejt së ardhmes nënkupton luftën e pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, miratimin e demarkacionit si dhe vazhdimin e dialogut me Serbinë si dy shtete të pavarura dhe sovrane që për objektiv kanë normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore dhe si epilog të ketë njohjen e ndërsjellë shtetërore”, ka thënë Blakaj.

Kosova të përgatitet

Politologu Albinot Maloku ka thënë çështja rreth një konference ndërkombëtare ku do të kishte një marrëveshje e njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, ka kohë që diskutohet dhe kjo nuk është veç ide e ministrit serb të punëve të jashtme Ivica Daçiq.

Sipas tij, si e tillë, kjo konferencë do të kishte kuptim vetëm nëse bëhet fjalë për marrëveshjen përmes së cilës përfundohet procesi i vendosjeve të marrëdhënieve bilaterale e diplomatike mes Kosovës e Serbisë.

“Çdo gjë tjetër është e pakuptim dhe nuk do të duhej që Kosova të merrte pjesë. Për faktin që kjo çështje është përmendur, konsideroj se Kosova duhet të jetë e përgatitur për tu përballur me të gjitha situatat rreth kësaj konference të mundshme. Po ashtu besoj që edhe garnitura shtetërore e Kosovës mjaftueshëm ka pësuar nga gabimet e mos përgatitjes së saj e si pasoj e kësaj do të duhej ta kishte momentin që të ndalohej praktika e gabimeve të kushtueshme. Raste eklatant e kemi çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, ku gabimi i garniturës shtetërore po i kushton edhe Kosovës edhe qytetarit të saj. Pavarësinë e Kosovës në vazhdimësi është duke e kontestuar Serbia dhe aleatët e saj dhe kjo nuk është as informatë e as çështje e re, por e vetmja kundërpeshë e kësaj duhet të jetë angazhimi i Kosovës për ta fuqizuar e dëshmuar ekzistencën e vet”, ka thënë Maloku.

Ide e paralizuar

Opinionisti Nexhat Haziri ka thënë se deklarata e ministrit të jashtëm serb, Daqiqi, për idenë e organizimit të një konference të re ndërkombëtare ku do të merrnin pjesë BE-ja, ShBA-ja dhe Rusia për ta gjetur një zgjidhje për Kosovën, është një deklaratë sa për ta hapur një debat koti, dhe në anën tjetër kjo deklaratë jo e para e këtij lloj nga Daqiqi, më shumë e shohë si një përpjekje për ta marrë vëmendjen e opinionit në Serbi, tani kur atje flitet për zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.

Ai ka thënë se në rast të mbajtjes së kësaj konference, procesi i statusit të Kosovës, do të fillonte nga pika zero.

“ Të them të drejtën unë e shohë si një ide e paralizuar mbajtjen e kësaj konference, për shkakun se Kosova tani është shtet i pavarur i njohur nga mbi 100 shtet, dhe një ide e tillë është e papranueshëm jo vetëm nga Kosova, por edhe nga SHBA-të dhe BE, të cilat ndihmuan dhe përkrahën Kosovën në procesin e pavarësimit. Andaj nuk shohë asnjë rrezik nga ideja e ministrit serb Daqiqi, për mundësin e mbajtjes së një konferencë ndërkombëtare gjoja për zgjedhjen e statusit të Kosovës”, ka thënë opinionsti Haziri.