Kosova rritë taksën 100 për qind ndaj Serbisë, Haradinaj: Veprim prej zorit

0
153

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka deklaruar se vendimin për rritjen e taksës doganore për produktet e Serbisë e kanë marrë nga zori, pas bllokimit që vazhdimisht po i bën Serbia vendit tonë në të gjitha fushat.

Pas mbledhjes së Qeverisë, ku është marrë vendimi për rritjen e taksës doganore në 100 për qind për mallrat serbe nga 10 sa ishte ngritur më herët, Haradinaj ka thënë se Serbia vazhdimisht ka vendosur barriera jo tarifore ndaj Kosovës.

Ai ka përmendur se produktet e Kosovës për të hyrë në Serbi iu nënshtrohen  procedurave të verifikimit dhe analizës, madje ka pasur edhe pengesa në transport, duke mos respektuar në këtë mënyrë marrëveshjen e CEFTA-s.

Haradinaj: Këto janë veprime të zorit

“Janë bërë 20 vjet nga lufta, janë bërë 10 vjet nga pavarësia dhe shihet se Serbia nuk merr vesh ndonjë gjuhë tjetër pos kur nuk ka çare pa u dakorduar me ty. Besoj që të gjithë e dinë, edhe Amerika, edhe BE-ja, që Serbia nuk po tregon një mirëkuptim për normalizim, përkundrazi qasja e tyre është kundër normalizimit. Ne nuk kemi zgjidhje shumë duhet ta mbrojmë interesin dhe sigurinë tonë. Këto janë veprime të zorit”, tha ai.

Kreu i Qeverisë, ka thënë se dialogu me Serbinë është i pashmangshëm, mirëpo mbrojtja e vendit është e pashmangshme.

Haradinaj: Ne jemi të mbështetur për muri si Kosovë

“Dialogu është i pashmangshëm, nuk mund të ikim prej dialogut, duhet me pas dialog. Mirëpo, edhe mbrojtja e interesit të vendit tonë është e pashmangshme. Ne nuk e kemi bërë këtë veprim në kalkulim kohor. Nëse dikush kujton se është çështje e ditëve dhe e heqim është mirë të kuptohet që nuk kemi ne fort dalje. Ne jemi të mbështetur për muri si Kosovë, janë bërë 10 vjet. Pesëshja e BE-së nuk na njeh, jemi të bllokuar në planin tjetër ndërkombëtar, nuk na njohin nga Serbia, çka presim ne. Edhe sa kohë do të vazhdojmë me qenë kështu?”, tha ai.

Haradinaj ka folur edhe sa i përket mos anëtarësimit të Kosovës në Interpol dhe  shpenzimin e 1.2 milionë euro për lobim.

Haradinaj: Bëhet fjalë për votë të 2/3, është një votë e vështirë

“Bëhet fjalë për votë të 2/3, është një votë e vështirë. Po, Serbia e ka bërë punën e vet, por është pak edhe gjeopolitikë ajo që ka ndodhur, ka grupime, interesa. Këtu nuk duhet ta lëmë mangët edhe punën tonë, pra puna jonë me siguri se ka mundur të bëhet edhe më shumë. Ju siguroj se të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë kanë qenë aktiv në këtë temë. Po, është një qasje agresive në të gjitha anët nga Serbia. Çdo para e shpenzuar ka argumentimin e vet, pra nuk ka para të shpenzuara pa argumentim. Tash ju e dini që ambasadat tona kushtojnë. Tash nuk dihet se sa, veprimtaria jashtë vendit është e kushtueshme. Çdo gjë që e parasheh ligji po, aty ku ligji thotë nuk bën, po ashtu do ta respektojmë”, tha Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës ka folur edhe për vendimin e Qeverisë që ka pezulluar vendimin për kthimin e pronave shoqërore në pronësi të komunave deri në  vendimin e Kushtetueses. Vendimin e presidentit Hashim Thaçi për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese për këtë çështje, Haradinaj tha se është  veprim i pabazë.

Megjithatë, ai ka ri-konfirmuar se qëndrimi i tij mbetet i njëjtë se ndarja e Kosovës dhe lëvizja me kufij nuk është opsion për marrëveshje me Serbinë.

Haradinaj: Nuk ka arsye të shkelet Kushtetuta me këtë vendim

“Shkelja e Kushtetutës në një vendim të zbatueshëm do të ishte rast i rëndë dhe është mirë të shqyrtohet. Kjo është një punë e përditshme e Qeverisë së vendit, e cila nuk mund të zbatohet jashtë ligjeve, nuk ka arsye të shkelet Kushtetuta me këtë vendim, është pamundshme të shkelet Kushtetuta. Pasi të gjithë ata që i zbatojnë janë mekanizma ligjorë. Sido që të jetë, e thashë edhe më herët, nëse ka rrezikim për sigurinë kombëtare dhe unë jam i pari që dua ta korrigjoj nëse kam bërë gabim. Jam i kënaqur ta korrigjoj, dhe e falënderoj presidentin dhe këdo që më ndihmon në ruajtjen e sigurisë kombëtare”, tha ai.

***

Produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja për në Kosovë nga sot do të kenë taksë prej 100 për qind.

Qeveria e Kosovës ka miratuar sot propozimin e Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë Endrit Shala për të vendosur taksë prej 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe atyre nga Bosnja.

«Nga sot t’i vendoset masa prej 100 për qind produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnja», tha Shala.

Ai po ashtu ka kërkuar edhe largimin e të gjitha produkteve në të cilat shkruan ‘Kosova e Metohija’.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se e përkrahë këtë gjë.

«Një kohë të gjatë Kosova është penguar, është penguar në transport, në analiza. Cefta nuk ka funksionuar në mes Kosovës dhe Serbisë. Unë e përkrahi propozimin e juaj», tha ai.

***

Qeveria e Kosovës ka miratuar rritjen e taksës ndaj produkteve që importohen nga Serbia.

Një ditë pasi Serbia bllokoi anëtarësimin e Kosovës në Interpol, Qeveria e Kosovës ka miratuar rritjen e taksës 100 për qind.