KOSOVA NUK KA KAPACITETE TË THEMELOJË GJYKATË PËR KRIME LUFTE

0
231

Shfuqizimi eventual i Ligjit për Gjykatën Speciale, besohet se do t’i hapte rrugë krijimit të një gjykate vendore, pavarësisht dilemave nëse Kosova ka kapacitete të mjaftueshme.

Nisma e një grupi të deputetëve në Kuvendin e Kosovës në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, ende nuk ka zënë vend në agjendat e institucioneve shtetërore. Por, në bazë të deklaratave të disa prej nënshkruesve, nisma mbetet në fuqi dhe mund të aktualizohet, në kohën kur Kuvendi fillon sesionin pranveror të punës.

Ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se iniciativa e deputetëve, aktualisht nuk është duke vazhduar.

Ai ka thënë, po ashtu, se Ligji për Gjykatën Speciale vazhdon të jetë në fuqi që nga miratimi në vitin 2015, i cili kishte pasuar edhe me disa ndryshime të nevojshme kushtetuese.

E, nëse ndodh shfuqizimi i kësaj gjykate, ministri Tahiri thotë se do t’i kryejnë të gjitha obligimet që i takojnë.

“Çfarëdo ndryshimi i këtij ligji, ne, si Qeveri e Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucionet, jemi të obliguar që ta zbatojmë dhe jemi në pritje se çfarë do të ndodhë në ditët në vijim, nëse do të jetë pjesë e agjendës së Kuvendit apo jo”, ka thënë ministri Tahiri./insajderi