Korrupsioni, mungesa e llogaridhënies, besimi,…: Gjyqësori vazhdon të përballet me probleme të ndryshme

0
204

Sistemi i drejtësisë në Kosovë, vazhdon të përballet me probleme të ndryshme, siç është korrupsioni, mungesa e llogaridhënies, besimi i duhur të cilin do të duhej ta kishte nga qytetarët, por edhe sfida të tjera.

Kështu u tha të shtunën nga drejtues të institucioneve të Kosovës, por edhe zyrtarë ndërkombëtarë në konferencën e Shtatë Gjyqësore të Republikës së Kosovës.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se Kosova, që nga shpallja e pavarësisë e deri më tash, ka ndërmarrë veprime me qëllim të konsolidimit të sistemit të drejtësisë dhe në funksion të respektimit të rendit kushtetues.

“Ju jeni ata që e keni këtë detyrë të shenjtë para vetes, para popullit dhe para ligjit. Profesionalizmi, paanshmëria dhe pavarësia e juaj e rrit besueshmërinë e sistemit tonë gjyqësor, ndërsa sigurimi i qasjes së barabartë në gjykata e rrit edhe më tej besueshmërinë e qytetarëve karshi gjykatave. Pa dyshim që të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës do të jenë në mbështetjen tuaj, për t’i arritur synimet dhe qëllimet për një sistem gjyqësor të mirë-organizuar, profesional, të pavarur, të paanshëm dhe në shërbim të shoqërisë”, tha Thaçi para gjyqtarëve.

Kurse, kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci, tha se aktualisht besimi në sistemin e gjyqësisë nga ana e qytetarëve, është i ulët.

Sipas tij, lufta kundër korrupsionit nënkupton edhe marrjen e masave efektive për forcimin real të pavarësisë së sistemit gjyqësor në tërësi.

“Është fakt se aktualisht, besimi i publikut në sistemin e drejtësisë është në kuota të ulëta. Është fakt se media ka zbuluar raste të korrupsionit edhe në sistemin e drejtësisë. Korrupsionin në pushtetin gjyqësor është më i dëmshmi dhe më i rrezikshmi”.

“Në radhë të parë, ne gjyqtarët duhet të rrisim profesionalizimin dhe të formojmë integritetin si e kundërta e korrupsionit. Ka më shumë vend për transparencë e komunikim të drejtpërdrejtë e të vazhdueshëm me publikun. Ka më shumë vend për debat, analiza e kritika profesionale të vendimeve gjyqësore”, u shpreh Peci.