Kërkohet reformimi i KQZ-së

0
158

Gabimi në numërimin e votave në zgjedhjet e fundit lokale nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tregon se ky institucion duhet të reformohet thellësisht.

Kështu vlerësojnë analistët politik në vend që merren.

Sipas tyre, problemi më i madh i KQZ-së në këto zgjedhje, ishte gabimi i numërimit të votave në komunën e Istogut në raundin e tretë të zgjedhjeve që çoi në dyshimin për manipulime të serishme.
Dështimi në Istog

Për këtë, njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani thotë se KQZ-ja duhet të reformohet dhe të funksionoj sikurse në shumicën e shteteve të BE-së.

“KQZ duhet të reformohet përmes depolitizimit të plotë, të jetë një organ jo i përhershëm dhe të funksionojë ashtu si funksionon gati pothuajse në shumicën e shteteve të BE, me përjashtim të rajonit, as Mali i Zi nuk ka komision të përhershëm zgjedhor”, thekson Burjani.

Ai thotë se depolitizimi është hapi i parë i reformës dhe se dështimi në Istog ishte i çuditshëm dhe interesant pse ka ndodhë kështu.

“Askush se ka prit një dështim të tille edhe pse nuk është as i pari dhe as i fundit, kishte edhe me herët dështime por nuk ka pas reagime të mbarë opinion. Andaj reforma është e domosdoshëm”, ka theksuar ai.
Brishtësia e KQZ-së

Poashtu edhe njohësi i çështjeve politike, Skender Zogaj thotë se derisa KQZ-ja është e përbërë nga të deleguarit e partive politike, dihet qartë administrimi i materialit zgjedhor.

“Për vet faktin se KQZ-ja është e përbërë nga të deleguarit e partive politike, pra nga komisionarët partiakë të cilët në KQZ shkojnë për të mos lejuar manipulim me verdiktin e popullit, mirëpo, që janë krejtësisht të pafuqishëm për ta krye këtë detyrë, sepse KQZ-n është nën strukjen e “të fortëve” që ia mbajnë hostenin në shpinë! E kam parasysh mënyrën e administrimit të materialit zgjedhor në ditën e zgjedhjeve, që KQZ-ja e pranon si në karantinë, dhe e proklamon në bazë të faturave të parashkruara, pa pasur mundësi që të ketë as edhe një dëshmi saktësisë së numrave”, theksoi Zogaj.

Ai thotë më tutje se balotazhi në Istog ishte një dëshmi e fortë e brishtësisë së KQZ-së.

“Ajo nuk e kreu mirë punën sepse, nëse ka pasur argumente të keqpërdorimeve është dashur t’i zbulojë dhe t’i dënojë shkelësit me vendim përkatës, e jo të neutralizohet situata dhe të vazhdohet gara. Kjo lë shumë për t’u dyshuar”, vlerësoi Zogaj.
Lufta për pushtet

Nga ana tjetër, analisti politik Leon Duhanaj thotë se zgjedhjet në Kosovë, në përgjithësi janë cilësuar si të rregullta dhe demokratike dhe në këtë kontekst KQZ nuk ka dështuar.

“Ajo çka për mendimin tim bie në sy vazhdimisht, është histeria që ne, përkatësisht subjektet politike tregojnë gjatë çdo procesi zgjedhorë. Për fat të keq, në Kosovë, ka filluar të instalohet kultura politike e Shqipërisë. Për këtë më së shumti ka kontribuar LVV-je por e ndihmuar edhe nga subjektet tjera. Kur vendimet apo rezultatet janë në favor, cilësohen si të drejta. Ndërsa kur ato janë në disfavor cilësohen si të padrejta. Kur gjykohen të tjerët, gjykatat, prokuroria apo, drejtësia janë në nivel. Përderisa kur jemi të gjykuar, i cilësojmë si të padrejta ose të kapura”, vlerëson Duhanaj.

Ai thotë më tutje se KQZ, ka mandatin të organizojë proces të mirëfilltë zgjedhor. Të gjitha problemet dalin atëherë kur rezultatet janë të përafërta dhe lufta për pushtet bëhet e madhe.

“Këtë tollovi e bëjnë partitë politike për t’i shtyrë përpara synimet e tyre për marrje të pushtetit. Një gjë që për mendimin tim ka mundur, apo është dashtë të bëhet më ndryshe. Kishte me qenë që kërkesat e subjekteve për rinumërim të ishin marrë për bazë. Nuk besoj që, i ndihmon demokracisë nëse hezitojmë t’i hapim dhe verifikojmë kutitë e votimit. Fundja gabimet ndodhin, janë diçka normale dhe njerëzore. Natyrisht që duhet të ketë përgjegjësi për gabimet. Qofshin ato individuale apo kolektive. Sepse nëse kalohen pa përgjegjësi, atëherë ka rrezik që gabimet të bëhet të qëllimshme”, ka theksuar Duhanaj.

Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë brenda këtij viti pati sfida të mëdha, duke organizuar dy parë zgjedhje brenda pak muajve. Fillimisht u organizuan zgjedhjet e përgjithshme në muajin qershor, derisa ato lokale në muajin tetor. Në zgjedhjet lokale, shumica e komunave shkuan në balotazh, duke organizuar kështu zgjedhje të dyfishta lokale, ndërsa kur rezultati duhej të certifikohej, komuna e Istogut u desh të shkonte sërish në zgjedhje, si shkak i manipulimit me vota.