Kërcënuan se do dilnin në protesta, qeveria franceze rrit pagat e policisë

0
171

Qeveria franceze është përkulur para kërcënimeve për protesta të policisë vendase, duke përmbushur disa nga kërkesat e tyre më urgjente.

Vendimi u njoftua të enjten (20 dhjetor) nga Ministria e Brendshme franceze pas takimeve me tri sindikata lokale të policisë.

Palët ranë dakord për rritjen graduale të pagës së policëve nga 120 deri në 150 euro në muaj për funksionarët e rangut të lartë, dhe shlyerjen e pagesave të vjetra për rreth 23 milionë orë punë jashtë orarit të akumuluara përgjatë viteve, veçanërisht në protestat e muajit të fundit.

Sipas qeverisë, përmbushja e këtyre detyrimeve do të nisë vitin tjetër dhe pritet që t’i kushtojë buxhetit të shtetit rreth 275 milionë euro.

Sindikatat e mirëpritën vendimin, duke e cilësuar akordin një progres real pas ankesave prej vitesh.

Marrëveshja erdhi pas protestave të shpërndara që oficerët e policisë mbajtën anembanë vendit një ditë më parë.

Të mërkurën, policët francezë improvizuan një demonstratë duke ecur me hap të ngadaltë në terminalin e aeroportit Sharl dë Gol në Paris, çka krijoi radhë të gjata për pasagjerët që pritnin të merrnin linjën e radhës.

Në rajone të tjera të vendit, rajonet e policisë paralizuan veprimtarinë e tyre duke iu përgjigjur vetëm thirrjeve të qytetarëve për ndërhyrje urgjente.