KEK-u tejkalon parashikimet në prodhim e energjisë elektrike

0
415

Përkundër sfidave të shumta tashmë të njohura edhe nga opinioni i gjere publik, Korporata Energjetike e Kosovës po bën maksimumin që qytetarët e vendit të kenë energji elektrike të mjaftueshme gjatë ditëve festive të ndërrimit të motmoteve.

Kështu ka deklaruar drejtori për informim i KEK-ut Skender Bucolli, sipas të cilit mobilizimi i gjerë në të gjitha Divizionet e korporatës po jep rezultate pozitive, madje ka tejkaluar edhe parashikimet si në prodhim të energjisë elektrike poashtu edhe ne prodhimin e thëngjillit dhe largimin e djerinës.

“Falë angazhimit maksimal të menaxhmentit dhe punëtorëve të KEK-ut në ditën e parë të vitit të ri 2018, blloku A-4 ka arritur te prodhojë afër 160 MW/h duke tejkaluar parashikimet për 30 MW/h.”

“Njëkohësishtë edhe dy blloqet e Kosovës B kanë arritur të prodhojnë deri në 290 MW/h, secila, apo 60 MW/h më shumë se sa ka qenë planifikimi. Prandaj, nëse prodhimi vazhdon me këtë trend, KEK do të arrijë prodhimin në afër 18000 MW/h në ditë, apo mbi 2000 MW/h në ditë më shumë se sa ka qenë planifikimi”, ka thënë Bucolli, shkruan Ekonomia.

Këtij suksesi sipas tij i ka paraprirë edhe furnizimi i dy termocentraleve me thëngjill nga Divizioni i Prodhimit të Qymyrit ku vetëm gjatë ndrrimit të parë jane prodhuar 8400 tonë qymyr, ndërsa jane larguar 10270 m3 djerrinë.

Bucolli ka thënë se mobilizimi i KEK-ut do të vazhdojë edhe në ditët në vijim. Në këtë vazhdë, angazhimi i të gjitha divizioneve të Korporatës që qytetarët e vendit të kenë energji elektrike do të jetë në maksimum!