Katastrofa në Greqi ishte e paralajmëruar, gazetat kritika qeverisë

0
235

Greqia ishte sot në zi kombëtare pas përmbytjeve që vranë të paktën 15 persona pranë Athinës, e paraqitur si një katastrofë e paralajmëruar nga media dhe shkencëtarët, të cilët kritikojnë dekada të tëra urbanizmi të shfrenuar.

Sipas shërbimit të zjarrfikësve, pesë persona janë ende të zhdukur dhe 12 të tjerë janë shtruar në spital pas përmbytjeve në rajonet e Nea Peramos, Mandra dhe Megara rreth 50 kilometra në perëndim të Athinës.
Shqetësimet e autoriteteve u rritën pas rifillimit të shirave të rrëmbyeshëm në të gjithë rajonin e kryeqytetit, që pritet të vazhdojë deri në fundjavë sipas shërbimit meteorologjik. “Problemi ynë aktualisht është të përballesh me dy përrenj, ku njëri vazhdon ende të rrjedhë me rrënojat në qendër të qytetit Mandara. Aktualisht ka një stuhi dhe operacionet janë shumë të vështira”, njoftoi një përgjegjës i Mbrojtjes Civile. “Hakmarrje e përgjakshme e natyrës”, “Përrua përgjegjësish”, “Katastrofë jonatyrore”, gazetat greke kritikonin sot mosrespektimin e rregullave të shfrytëzimit të territorit, që ndodh vazhdimisht në Greqi prej dekadash. Si një cunami Kryeministri Aleksis Cipras reagoi të hënën në mbrëmje duke dekretuar një zi kombëtare, një masë kryesisht simbolike. Ushtria ka hapur, gjithashtu, kampet e saj për të pritur personat e mbetur të pastrehë. Shumica e viktimave të gjetur gjatë operacioneve të shpëtimit, ishin të mbytur, por disa kishin mbetur edhe të bllokuar në banesat e tyre, si dy 80-vjeçarë që jetojnin në nëntokë. Madje trupat e dy burrave ishin transportuar nga fuqia e ujit deri në det ku u gjetën nga policia portuare. “Përroi me baltë erdhi si një cunami”, përshkruante dje në mbrëmje tregtari Evangelos Kolovetzos, dyqani i të cilit ishte shkatërruar krejtësisht. “Rrugët tona janë shkatërruar (…) mijëra banesa janë përmbytur, një e treta e qytetit”, njoftoi nga ana e tij zëvendëskryebashkiaku i qytetit Nea Peramos, Stavros Fotiou.
Më shumë se 100 zjarrfikës vazhdojnë të jenë të mobilizuar, duke u përpjekur të largojnë ujin dhe baltën që vazhdon të mbytë banesat dhe akset rrugore si dhe të rikthejnë furnizimin me elektricitet dhe uji. “Deri tani kemi arritur të stabilizojmë situatën, duhet të shpresojmë se nuk do të ketë më viktima”, deklaroi zëdhënësi i qeverisë Dimitris Tzanakopoulos në televizionin publik ERT. Rast studimi shkollor Ekspertët hynë menjëherë në debatin mbi arsyet e kësaj katastrofe për t’u përpjekur të shkaktojnë një reagim zyrtar. Për gjeologun Dimitris Papanikolaou, “kjo katastrofë ishte e paralajmëruar, punimet urbane në zonë kishin bllokuar rrjedhat e ujërave duke mospërfillur masat mjedisore”. “Në universitet e kemi shndërruar Mandran në një rast studimi për rreziqet e përmbytjes”, njoftoi ky gjeolog për agjencinë greke të lajmeve ANA. Ai ka dënuar “një ndërhyrje njerëzore të karakterizuar nga injoranca dhe indiferenca kriminale”. Ambientalisti Mihalis Petrakis ka kritikuar gjithashtu shpyllëzimin e lartësive përreth Athinës, për shkak të zjarreve në verë, për të cilat u kritikua rritja e pakontrolluar e ndërtimeve. Ai theksoi rrezikun e përsëritjes së këtyre dramave edhe për shkak të pasojave meteorologjike nga ngrohja klimatike. Sipas televizionit publik ERT, cënueshmëria e Athinës dhe rajonit të saj nga përmbytjet ishte vërtetuar nga shumë katastrofa ndër vite, ku më i përgjakshmi ishte ai i vitit 1961 ku humbën jetën 40 persona./ATA/