Kaos në Itali, 1 mijë të evakuuar lumi Enca del nga shtrati

0
215

Të paktën 1 000 persona në qytetin e Lentixhones, në provincën e Rexhio Emilias, në veri të Italisë, u evakuuan pas daljes nga shtrati të lumit Enca për shkak të reshjeve të rrëmbyera të shiut që kanë shkaktuar edhe përmbytje.
Ujërat kanë ”pushtuar” edhe zona rezidenciale, si edhe zona industriale. Një helikopter është vënë në dispozicion për operacionet e evakuimit.

Pjesa më e madhe e Italisë është përfshirë nga dëbora, shirat dhe temperaturat e ulëta që kanë shkaktuar probleme të mëdha sidomos në veri të vendit.

Rrjeti hekurudhor në Itali është pezulluar në disa zona, ndërkohë që situata mbetet ende problematike.

Në Liguria, lumenjtë Entela, Vara dhe Magra janë gati për të dalë nga shtrati. Edhe në Venecia ujërat janë në nivele të larta, përfshirë sheshin e Shën Markut.