Kadri Veseli, fajtor për dështimin e Kuvendit të Kosovës

0
188

Rugova: Kadri Veseli po then rregullat e punës së Kuvendit
Dështimi i dy seancave të fundit të Kuvendit të Kosovës, ka ngjallur reagime te deputetët dhe analistët vendor. Ata kanë fajësuar kryetarin e Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, për dështimin e seancave plenare.

Rugova: Veseli nuk e respektoi propozimin e LDK-së
Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, përgjegjësinë e mungesës së funksionimit të parlamentit të Kosovës e hedh mbi kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, pasi që ky i fundit, sipas tij, nuk e ka respektuar propozimin e LDK-së.

“Për shkak të mosrespektimit të propozimit tonë që seanca të mbahet javën e ardhshme dhe jo pardje, ne lëshuam sallën e Kuvendit, dhe në një lloj forme kjo është përgjegjësi e Kadri Veselit në jo menaxhimin konform rregullave të punës së Kuvendit”, ka thënë deputeti Rugova për gazetën “Bota Sot”.

Haziri: Veseli, fajtor për dështimin e Kuvendit
Ndërsa, analisti i çështjeve politike Nexhat Haziri, ka kritikuar jo vetëm Kadri Veselin, por edhe opozitën për performancën e dobët të Kuvendit, pasi sipas tij nuk po shihet që do të ketë përshpejtim të punës të këtij organi.

“Mendoj se Kuvendi duhet të jetë shumë aktiv, pasi vendi ka hyrë një «kapsllëk» sa i përket mungesës së funksionimit të organit më të lartë ligjvënës në vend. Fajtori për këtë mungesë të përformancës së dobët të Kuvendit të Kosovës, që nuk shihet se do të ketë një përshpejtim të punës së këtij institucioni, bie natyrisht në kryetarin e Kuvendit, Veseli, por edhe te akterët e tjerë, qofshin këta edhe nga taborri opozitar, ka theksuar analisti Haziri për “Bota sot.

Përgjegjësia edhe e deputetëve
Por, ndryshe është shprehur analisti Leon Duhanaj, i cili në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë Veseli nuk është fajtor për mos mbajtjen e seancave.

Sipas tij, Veseli ka pëgjegjësi t’i thërras deputetët në Kuvend, dhe nuk është detyrë e tij të merret me mungesat e tyre në seanca.

“Përgjegjësi e Kryesisë së Kuvendit, përkatësisht Kryetarit Veseli, është thirrja për seancë plenare. Se a marrin pjesë deputetët, dalin prej seancave, apo nuk vinë fare, kjo është çështje e deputetëve individualisht si dhe përgjegjësi individuale. Kryetari as nuk ka autoritet, as të drejtë ligjore, t’i detyrojë për pjesmarrje”, ka thënë Duhanaj./Bota Sot/