JU QË DHURUATË JETËN PËR ATDHE!

0
247

Shkrim që ia vlen së lexuari, edhe pas tetë (8) vitesh është aktual.

JU QË DHURUATË JETËN PËR ATDHE!

Nga Fehmi Ramadani

***
Po kalojnë njëmbëdhjetë vjet, nga i ashtuquajturi “çlirimi” i Kosovës, për të cilën ju ishit të parët kur kërkoi kjo tokë t’i dilni zot, ta mbroni atë nga hordhitë serbo-çetnike, të cilët dogjën e përvëluan çdo gjë shqiptare. Në histori pak mbahet mend, që nga pas lufta e dytë botërore bota të ketë parë skena të rënda të krimeve, vrasjeve, plaçkitjeve, dhunimeve, dëbimeve dhe gjithçkaje që ishte ç’njerëzore e që bëhej ndaj popullit shqiptar të Kosovës.
Pushtuesit sllav deshën ta zhbënin këtë popull nga kjo tokë, vetëm pse jetonin këtu dhe Zoti i kishte falur ndryshe. Kjo golgotë ndodhi në zemër të Evropës dhe me këtë rast hordhitë serb-çetnike kishin vrarë dhe masakruar rreth 15 mijë pleq, burra, gra, fëmijë, shtatzëna dhe njerëz të pafajshëm vetëm pse ishin shqiptarë. Rreth një milionë shqiptarë të tjerë të Kosovës i dëbuan nga shtëpitë dhe vatrat e tyre stërgjyshore. Këto skena marramendëse të kujtojnë filmat më të tmerrshëm që kishim parë ndonjëherë nëpër kampet e përqendrimit nazist. Kolonat me njerëz të strehuar nëpër përroska (lugina), autobusë të mbushur, trena që bartnin pa reshtur njerëz, padyshim të kujtonin historinë çifute të periudhës fashiste. Kampi i refugjatëve shqiptar në “Stenkovec ”, “Neproshten”, “Çegran”, “Radushë”, “Has e Krumë”, etj, të përngjanin sikur kampet e golgotës naziste: “Holokausti”, “Dahau”, “Aushvici” etj.

***
Mirëpo, atëherë kur politika paqësore kishte ngritur duart lartë dhe ishte dorëzuar, në mbrotje të këtij populli dolën djemt dhe vashat më të mira të këtij kombi përballë armikut për t’i treguar se ky vatan nuk dorëzohet lehtë dhe për lirinë e tij ishin në gjendje të sakrifikoheshin shumë të rinjë dhe të reja. Dhe kjo ndodhi, në ballë dolën këta djema e vasha, të cilar u radhitën në UÇK, ushtrinë më të lavdishme që kishte pas ndonjëherë ky popull dhe së bashku me NATO-në arritën të ndalin kasaphanen më të madhe në Ballkan. Pas njëqind vjet robërie u arrit që ky vend të hijekë qafë një pushtues shumë barbarë dhe të frymojë më lirshëm rrugës së vet. Deri këtu erdhëm, falë jetës dhe gjakut të dëshmorëve, por edhe falë një sakrifice të madhe popullore, si në aspektin njerëzor dhe material. Përkundër, dëmit kolosal që kishte bërë armiku nuk arriti qëllimin të realizoj projektin ogurzi ”Patkoi”, për shfarosjen dhe dëbimin e shqiptarëve nga këto troje. Sepse, këtë nuk e lejuan dëshmorët e kombit, gjaku i dershur i tyre për liri. Çdo pëllëmbë e kësaj toke është e ujitur me gjakun e tyre të njomë. Nderimi i përjetshëm qoftë për Ta!

***
Ka dy vjet që Kosova ka shpallur pavarësinë e saj, me ndihmën e botës demokratike dhe po synon të bëhet një vend demokratik si të tjerët. Mirëpo, e keqja qëndron se ky shtet është i kushtëzuar dhe jo si të tjerët. Deri më tani këtë shtet të kushtëzuar (specifik) e kanë njohur mbi 65 vende të botës. Tani, Kosova ka një flamur dhe një himn të cilin dëshmorët nuk e njohin. Është tjetër nga ai që ata kishit dhënë betimin kur i kishin rrok armët për çlirimin e tij. Kosova ka shumë parti politike, të cilat po ndërrohen sipas kutit të interesave të tyre klanore, krahinore e më ngushtë. Në këtë vend, ka katër pushtete, tri të huaja dhe një vendore. Këtu, po ndërtohet një sistem mish-mash, as kapitalist, as socialist, as komunist, pra një sistem i përzier, që deri më tani bota e zhvilluar demokratike nuk e ka njohur. Po thonë se ky vend është një rast “sui generis”. Ne nuk e kuptojmë çka është kjo. Dijmë vetëm se këtu gjithçka është e kufizuar: rryma, uji, ushqimi, shërbimet shëndetësore e deri te pavarësia e saj, sepse udhëheqësit e saj e kanë pranuar njëfarë “Plani të Ahtisarit”, i cili këtë vend e sheh si tokë të gjithkujt.
Tashmë, ky vend sundohet nga gjithkush dhe askush. Këtu, sundojnë: EULEX-i, UNMIK-u, SERBIA, dreqi i mallkuar dhe natyrisht më pak populli i Kosovës. Në këtë vend janë instaluar me dhjetëra shërbime të huaja, të cilat bëjnë punën e dreqit. Kosova është shndërruar në një eksperiment interesant deri më tani në botë.

***
Populli shqiptar i Kosovës po jeton në varfëri të madhe, rreth 60 për qind e tyre janë të varfër, ndërsa rreth 15 për qind jetojnë në varfëri të skajshme. Janë mbushur rrugët e këtij vendi me lypsa, gjithë andej e këndej. Papunësia është e madhe, rreth 40 për qind e tyre janë të papunë. Nga ky vend po ik rinia,, bile kohë më parë ndodhi një tragjedi e tmerrshme në lumin Tisa të Serbisë ku humbën jetën 12 shqiptarë të këtij vendi. Për çdo ditë kemi vetvrasje të shumë të rinjëve, sepse këtë vend e kapluar një paperspektivë e paparë. Këtu janë pasuruar hajdutët, pseudopatriotët, kriminelët, klosharët, shërbyesit e pushtuesit, shërbyesit e shërbimeve të huaja dhe të tjerë. Shumica e këtyre njerëzve janë të privilegjuarit e shoqërisë së sotme.

***
Po ashtu, e keqja më e madhe e kësaj shoqërie që ndron në atë se një pjesë e shokëve tuaj që luftuan kundër armikut të përbashkët kanë marrë poste të larta, janë bërë kryetarë partish, disa janë në politikë, e disa në opozitë. Kanë bërë pasuri, famë, bile disa prej tyre u kanë siguruar pasuri brezit të brezit. Disa prej tyre vozisin makina shumë luksoze dhe të shtrenjta, nuk çajnë trapin për popullin, shikojnë vetëm interesat e tyre. Nuk donë të shohin më larg. Ata janë mirë, po fitojnë çdo ditë tenderë të ndryshëm, po bëjnë biznes në emër të “luftës” dhe “prosperitet” të Kosovës. Fëmijët e tyre po shkollohen nëpër shkolla private dhe jashtë vendit, sepse ata janë privilegjuar vetë pa masë. Këtë vend e kanë shndërruar në zona krahinore, bile edhe kanunore, po s’je i krahinës së tij nuk mund të punësohesh, nuk mund të shkollohesh. Politika e këtij vendi është bërë fisnore, krahinore, njëherë e sundonte Dukagjini, ndërsa tani kalit i ka hipë Drenica dhe Llapi. Ky vend është bërë vendi më i pështjelluari në botë.

***
Sunduesit e këtij vendi po thonë se është e lirë. Ky vend ende nuk është i lirë, sepse rreth 30 për qind të këtij vendi e mbajnë peng hordhitë çetnike. Nëpër këto vendbanime shqiptarët nuk kanë qasje, aty nuk ka ligje, sepse aty funksionojnë ligjet e barbarisë. Ky vend, tani për tani nuk ka siguri për qytetarët e vet, sepse nuk ka ushtri të vet. Ka forca të huja, por populli thotë: ”Ku të kruan dora jote nuk të kruan e huaja”. Kosova ka një polici, por këtë polici nuk e udhëheqin vendorët, të huajt vendosin për sigurinë tonë, sepse tanët nuk kanë kompetenca. Në veri të vendit shqiptarët po pësojnë vazhdimisht, sepse ajo pjesë u është lënë kriminelëve serb. Pakica serbe, kurrsesi të integrohet në shoqërinë kosovare, sepse nuk mund të pranojnë të jetojnë të barabart me shqiptarët, sepse ata janë mësuar të jenë gjithmonë sundues. Me Pakon e Ahtisarit kanë marrë shumë privilegje, trajtohen si komb në Kosovë, edhe pse përbëjnë vetëm 5 për qind të popullatës së këtushme.

***
Në Kosovë e “lirë” njëmbëdhjetë vjet pas luftës nuk ka rrymë, ujë, shërbime jo të mira shëndetësore. Këtu shkollimi bëhet vetëm për famë, e jo për cilësi. Në këtë vend ekonomia është shkatërruar plotësisht, kjo është bërë me ndihmën e të huajve, por edhe profiterëve të vendit. Këta i kanë shitur shumicën e ndërmarrjeve shtetërore për pak para, për interesa të tyre, ndërsa shumë punëtorë kanë mbetur pa punë. Korrupsioni dhe nepotizmi ta zënë frymën, nuk mund të punësohesh askund nëse nuk ke ndonjë lidhje, të afërm familjar, apo të korruptosh ndonjë zyrtar të shtetit. Kosova është bërë një qytet-katund, ndërtohet vend e pa vend, plan e plan, janë ndërtuar objekte nëpër fusha, kodrina e gjithkund, sepse nuk ka shtet, nuk ka ligj, nuk ka kush i pengon.
Këtu në Kosovë ka shumë llafe, por punë bëhet pak, gjithkund dhe gjithkah ka rrahagjoksë, që i bëjnë vetes lavd, i thurin poezi, i bëjnë një mijë e një qind dredhi vetëm të përfitojnë diçka. Të gjithë janë bërë Adem Jashara, Azem Bejta, Mic Sokola, sa që çuditet njeriu sa shumë trima ka ky vend.
***
Një pjesë e shokëve tuaj që luftuan bashkë me ju kanë mbetur rrugëve të këtij vendi. Për ta nuk kujdeset askush. Familjet dhe fëmijët e tyre, përsëri kanë filluar të vuajnë, nuk po kanë kushte të shkollohen si duhet, nuk po mund të punësohen, po diskriminohen nga kjo shoqëri. Njerëzit e ndershëm, të moralshëm, me dinjitet dhe kombëtar i kanë lënë nëpër greminat e shoqërisë. Një pjesë e shokëve që luftuan me ju, tani janë nëpër burgje, po dergjen për shkak gjykimeve të montuara politike nga të huajt dhe shërbyesit vendorë. Një pjesë e tyre kanë ikur kah sytë këmbët, përsëri kanë marrë rrugën e kurbetit, duke lënë familjet e tyre. Një pjesë e tyre, që kishin ardhur nga perëndimi për të luftuar në Kosovë, përsëri janë kthyer nga kanë ardhur, sepse këtu nuk ishin të mirëpritur. Vëllezërit tonë që kishin ardhur nga Shqipëria për të luftuar kundër hasmit, tani më nuk janë të mirëpritur, ata po shikohen me sy të dyshimtë, si rebelë, apo kaçak. Kjo shoqëri ka pësuar transformime të mëdha, bashkë me të edhe deformime të mëdha. Absurdi është se tani po krijohet një identitet i ri kombëtar i quajtur kosovar. Në dokumentet e udhëtimit të këtij vendi jemi nacionalitet kosovar, e jo shqiptar. Janë bërë ndryshime të mëdha në kokat tona. Tani ne kosovarët dhe ata shqiptarët jemi dy kombe të ndryshme. Ata festojnë hyrjen në NATO, ndërsa ne bëjmë sehir, sepse jemi “ndryshe” nga ta, po ndahemi, nuk jemi një komb. Një ngjarje e tmerrshme kishte ndodhur vitin që lamë pas, një fëmijë tetë vjeçar në një fshat të Kamenicës e kanë hëngër qentë. Kjo ka ndodhur këtu në Kosovën e “lirë”, sepse këta pushtetarët e sot nuk dinë as qenët ti ndalojnë. A kjo është liria për të cilët dhatë jetën tuaj? Pas këtij lajmi të tmerrshëm çfarë të thuhet më! Nuk duhet që shpirtrat tuaj për së vdekuri të shqetësohen në botën e amshuar, sepse bile atje e meritoni të jeni të qetë. Këtu në Kosovë njerëzit janë hutuar, nuk dinë nga t’ia mbajnë, duken sikur të gjithë janë të traumatizuar. Kjo po ndodhë këtu në Kosovën e “lirë”, në këtë vend të botës, mu në zemër Ballkanit dhe mu në mes të Evropës.
***
Zoti Ju bekoftë dhe Ju mëshiroftë me xhenetin më të mirë të botës së amshueshme, sepse Ju këtë e meritoni me veprën Tuaj të shenjtë që dhatë për atdheun!
Lavdi dëshmorëve dhe martirëve të rënë për atdheun!

Shkruan: Fehmi Ramadani, me 08 January 2010

PS/Ky është një shkrim që është shkruar 8 vjet më pare dhe sot e kësaj dite mbetet ende aktual.