Java e kuzhinës italiane në Shqipëri, në fokus “Dieta mesdhetare”

0
215

Edicioni i tretë i javës së kuzhinës italiane do të zhvillohet edhe në Shqipëri. Qëndrueshmëria, cilësia, biodiversiteti dhe siguria ushqimore janë pikat kyçe, që premtohen në veprimtaritë që do të zhvillohet gjatë 7 ditëve.

Java e kuzhinës italiane në Shqipëri prej datës 19 deri në datë 25 nëntor do të ketë në qendër të aktiviteteve “Dietën mesdhetare”. Ushqimi i shijshëm, i shëndetshëm, por edhe ekonomik do të jetë pranë qytetarëve të Tiranës.

Ambasadori italian Alberto Cutillo, shpjegon detajet e këtij bashkëpunimi mes dy vendeve. Ai shprehet se “prezantojmë javën e tretë të kuzhinës italiane në botë, vlerat e së cilës përqendrohen në disa pika si cilësia, qëndrueshmëria deri tek biodiversiteti. Tema kryesore ka të bëjë me ”Dietën Mesdhetare”. Kjo dietë është shkencërisht e vërtetuar që lidhet me jetëgjatësinë dhe shëndetin e mirë”.

“Ajo çfarë do paraqesim në Shqipëri javën që vjen sjell në fokus rajonin e Puglias dhe duke filluar nga dita e hënë do prezantohet projekti ”Puglia Lifestyle”. Gjithashtu, në Shqipëri do prezantohet edhe rajoni i Marches me produktet tipike të saj. Kjo iniciativë nuk do jetë vetëm në Tiranë por edhe në Elbasan, Vlorë dhe Berat”, shprehet ambasadori italian Alberto Cutillo.

Veprimtaritë në kuadër të javës së kuzhinës italiane nisin në datë 19 nëntor. /ATSH